E shtunë, 15 Mars, 2025

ZYRTARI I NATO-S NË SERBI: PRESIM SHTENSIONIM TË PLOTË TË SITUATËS NË VERI TË KOSOVËS

Ne ende presim të shohim një shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano.

“Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të këtij rajoni”, tha Romano.

Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

“Rruga e vetme përpara është ajo përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian [BE], të cilin Aleanca Veri-atlantike e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partnere afatgjatë e NATO-s, do të angazhohet për t’u përfshirë në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive”, theksoi ndër tjerash shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ndërkohë, Kosova dhe BE-ja arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës, e cila parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Kur bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, Romano deklaroi se shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajon “u bënë më intensive që kur filloi pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia”.

“Ajo që po shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Kjo është arsyeja pse NATO-ja do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Romano.

NATO-ja, e gatshme të reagojë në veri

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës? Cilat janë sfidat më të mëdha për NATO-n në atë pjesë të Kosovës?

Giampiero Romano: Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të rajonit. Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës së fundi, për zvogëlimin e numrit të policëve përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

Këta janë hapa në drejtimin e duhur që duhet të shoqërohen me një shtensionim shtesë. Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën mbikëqyrjen e BE-së është platforma më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia, vazhdon të mbetet në kontakt me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, si dhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit [EULEX], OSBE-në dhe komunitetin ndërkombëtar.

Gjenerali Ristuccia me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në dhjetor të vitit 2022.
Gjenerali Ristuccia me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në dhjetor të vitit 2022.

Misioni i NATO-s, KFOR, është plotësisht i përkushtuar dhe i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara [OKB] të vitit 1999, që për synim ka ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Kur është fjala për situatën në terren, KFOR-i monitoron nga afër situatën dhe ka një qëndrim të shkathtë, fleksibil dhe një prani të dukshme.

Gjatë muajit maj, pati një sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it – 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Prandaj, si përgjigje ndaj trazirave të fundit, NATO-ja ka dislokuar edhe 500 trupa shtesë në Kosovë dhe KFOR-i mbetet i gatshëm të përgjigjet sipas nevojës.

Misioni ynë i KFOR-it gjithmonë do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara. Çdo ndryshim në numrat e KFOR-it do të bazohet në kushtet në terren, jo në afate të paracaktuara.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në korrik në Bruksel dhe me atë rast kërkoi “siguri për serbët në Kosovë”. A ka ndodhur ndonjë lëvizje e re në këtë drejtim? Si merr pjesë Zyra Ndërlidhëse Ushtarake e NATO-s në Beograd në përpjekjet për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës?

Giampiero Romano: Vizita e fundit e presidentit Vuçiq në selinë e NATO-s ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për sfidat në veri të Kosovës, si dhe për NATO-n për të riafirmuar angazhimin e saj afatgjatë ndaj misionit të saj KFOR bazuar në mandatin e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e uljes së tensioneve, si dhe faktin se të gjitha palët duhet të përmbahen nga masat dhe retorika që mund të çojnë në përshkallëzim. Ne jemi ende në pritje për të parë një shtensionim të plotë.

E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilën [rrugë] NATO-ja e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partner afatgjatë i NATO-s, do të angazhohet në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive.

Siç thashë, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në ofrimin e sigurisë, në përputhje me mandatin e tij që rrjedh nga OKB-ja. Gjithashtu, ekipi im vazhdon të japë kontributin e tij përmes aktiviteteve të përditshme në fushën e dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik me bashkëbisedues të shumtë në Beograd dhe në mbarë Serbinë.

LEXO INTERVISTEN E PLOTE NE REL

Të fundit