E mërkurë, 26 Mars, 2025

OSMANI: KOSOVA T’U MBËSHTETET QËNDRIMEVE TË SHBA-SË DHE BE-SË

Osmani në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Kosova duhet t’u mbështetet qëndrimeve dhe pikëpamjeve të Uashingtonit dhe Brukselit. “Ky është drejtimi i vektorit të përgjithshëm të qasjes së vektorit ndërkombëtar, mund të kemi dallime të qasjes së tyre në këto beteja të vogla, mirëpo jo edhe në vektorë, jo edhe në ato qasje strategjike. Mendoj se duhet t’u mbështeteni pa asnjë dilemë dhe fuqishëm pikëpamjeve dhe qëndrimeve të Uashingtonit dhe Brukselit”, është shprehur ai.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se në interes të shteteve dhe të rajonit është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Osmanit këto janë edhe qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar. Ai ka thënë se për situatën në veri komunitetit ndërkombëtar është shumë i shqetësuar.

“Edhe për zhvillimet tani por edhe për pasojat që mund të jenë në të ardhmen, duke qenë se jemi edhe neve ministrave shqiptarë në Maqedoninë e Veriut na drejtohen edhe për ndihmë, që të shprehen këto shqetësime, se mund të ketë pasoja nga ngecjet në implementim e marrëveshjeve. Natyrisht të gjithë jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e temave, për nevojën e mbrojtjes së interesit të Kosovës, por nga eksperienca jonë neve asnjëherë nuk na ka dalë keq kur kemi bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të, edhe në momente kur kemi vlerësuar se e kanë gabim”, ka theksuar Osmani, duke shtuar se është i bindur që nuk ka dilema në komunitetin ndërkombëtar se Kosova është e pavarur dhe në kuadër të këtyre kufijve do të anëtarësohet në BE dhe në NATO një ditë.

Kur është pyetur për sanksionet që ka vendosur bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova duhet t’u mbështetet qëndrimeve dhe pikëpamjeve të Uashingtonit dhe Brukselit.

“Ky është drejtimi i vektorit të përgjithshëm të qasjes së vektorit ndërkombëtar, mund të kemi dallime të qasjes së tyre në këto beteja të vogla, mirëpo jo edhe në vektorë, jo edhe në ato qasje strategjike. Mendoj se duhet t’u mbështeteni pa asnjë dilemë dhe fuqishëm pikëpamjeve dhe qëndrimeve të Uashingtonit dhe Brukselit”, është shprehur ai.

Osmani ka folur edhe sa u përket ndryshimeve kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet të bëjë, duke përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë, për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Osmani ka thënë se kjo është temë e ndjeshme në Maqedoninë e Veriut.

“Sepse ne kur ndryshuam emrin u thamë njerëzve ky është kusht për anëtarësim në BE, bëmë edhe referendum për këtë çështje dhe tani është një përshtypje e njerëzve se kjo është bërë një cak në lëvizje, sapo bëjmë një kompromis na shtohet një kompromis tjetër”, ka theksuar Osmani.

Megjithëkëtë sipas tij ky nuk është konspiracion nga Maqedonisë së Veriut dhe se procesi i anëtarësimit në BE ka qenë i vështirë për të gjitha shtetet.

Ai ka përmendur se Kroacia njësoj është dashur ta ndryshojë Kushtetutën dhe të inkorporojë 25 komunitete në të.

“Të gjitha shtetet që kanë rrugëtuar drejt Bashkimit Evropian është dashur të bëjnë kompromise të dhimbshme, por neve sigurisht vetëm pse na dhemb më tepër mendojmë që është një konspiracion ndërkombëtar, që është vetëm kundër nesh, që është bota asimetrike, që po favorizon dikë tjetër dhe mendoj që kjo qasje është e gabuar”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka deklaruar se nuk mund të mos ketë ndryshime kushtetuese dhe se Maqedonia e Veriut nuk mund të funksionojë pa Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se diskutimi për iniciativën Ballkani i Hapur, është i politizuar.

Sipas tij në rajon ekzistojnë 72 iniciativa rajonale të formatit të ndryshëm, formale dhe joformale.

Osmani, të hënën, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se këto janë të gjitha forma të përforcimit të bashkëpunimit rajonal.

Megjithëkëtë sipas tij platforma ombrellë është Procesi i Berlinit.

Por ka shtuar se është e drejtë legjitime e Kosovës që të vendosë për pjesëmarrje në iniciativa të tilla.

“Dielli është Procesi i Berlinit, të gjitha ato platformat e tjera janë satelitë të cilët i sillen ‘Procesit të Berlinit’, për t’i dhënë atij një vlerë të shtuar, diku një iniciativë është vlerë e shtuare sepse e fokuson debatin në temat ekonomike, një iniciativë tjetër në pajtimin ndërmjet popujve, ashtu edhe ne e kemi parë Ballkanin e Hapur “, është shprehur Osmani.

Ai ka thënë se Ballkanin e Hapur nuk e kanë parë si një iniciativë që përcakton fatin e bashkëpunimit rajonal, por si një prej 72 iniciativave të cilat i japin një element shtesë bashkëpunimin.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se Ballkani i Hapur është një iniciativë paralele e Procesit të Berlinit, Osmani ka thënë se asnjëherë nuk e kanë parë si të tillë.

“Ne kemi menduar se duhet të marrin pjesë të gjitha shtetet, për shkak se secila platformë e re është mundësi për t’u dëgjuar zëri juaj. Mua më kujtohet që në takimin e dytë, pasi atij të Novisadit, ka qenë në Ohër, mua më ka penguar që flamuri i Kosovës nuk ishte bashkë me 5 flamujt e tjerë të shteteve që ishin aty”, ka theksuar Osmani.

Ai ka thënë se nëse ka një argument që Ballkani i Hapur po e dëmton Kosovën, atëherë Maqedonia e Veriut do të largohet nga kjo iniciativë.

“Një argument se iniciativa po dëmton interesin e Kosovës, Maqedonia e Veriut nuk rri asnjë ditë aty”, ka thënë Osmani.

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut javë më parë, u tentua të keqpërdorej nga parti të vogla atje, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ai ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së të hënën se vizita e Kurtit atje u keqpërdor nga “parti minore” për të krijuar një polarizim shtesë të situatës, në një periudhë kur Maqedonia e Veriut “ishte disa ditë para seancës plenare historike”.

“Është normale që edhe kryeministrat e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut të bëjnë vizita. Vizita u bë temë sepse u tentua të keqpërdorej nga parti minore në Maqedoni, veçanërisht duke prezantuar edhe simbole që mund të shihen si provokative. Kjo u bë për të krijuar një polarizim shtesë, në një situatë veçse të polarizuar në Maqedoninë e Veriut. Ndodhi disa ditë para seancës plenare historike ku u bë debati për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni të Veriut, ku shoqëria është e ndarë. Këtu nuk kam vërejtje për vizitën, por për tentimin e të tjerëve për të keqpërdorur”, ka thënë Osmani.

Sipas ministrit të jashtëm, Kosova e Maqedonia e Veriut kanë raporte të mira dhe komunikime të shpeshta, por siç është shprehur ai, kontaktet gjithmonë janë institucionale.

“Ne komunikimin e kemi pasur mbi parimin që komunikojmë me shtetin e Kosovës, pavarësisht se cila parti e udhëheq shtetin, ne kemi komunikuar me institucionet. Kombinime partiake ka pasur mbështetje të tilla reciproke, mirëpo e kaluara tregon se në Maqedoni të Veriut ndikimet nga jashtë janë të pakta. Në Maqedoni të Veriut kemi fatin të kemi Ali Ahmetin drejtues të shqiptarëve, një njeri si strateg i madh në çështjen kombëtare…Kemi një organizatë si BDI-ja që ka ndërtuar detyrën e platformës së shqiptarëve”, është shprehur ai.

Osmani ka potencuar se raportet mes Kurtit dhe Ahmetit janë korrekte, derisa ka shtuar se Maqedonia e Veriut e sheh Kosovën si shtysë për stabilitetin rajon.

“Dialogu Kosovë-Serbi u mbajt në Ohër për shkak të rolit të ri që ka Maqedonia e Veriut në rajon. Për shkak të qasjes konstruktive tonë që kemi pasur ndaj Kosovës që kemi për mbylljen e këtyre dallimeve me Serbinë me një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë dhe integrimin e shteteve të rajonit”, ka thënë ministri i Maqedonisë së Veriut.

Ai ka shtuar se tentimi për ndryshimin e emrit të rrugës së Çairit në “Adem Demaçi”, e shtyrë edhe nga kryeministri Kurti, s’mund të bëhet pasi sipas tij, kjo bëhet me vendimin e qeverisë së Maqedonisë dhe të institucioneve lokale.

Të fundit