Pas Metodologjisë dhe Komunitetit Politik Evropian, Macron vjen me një ide tjetër, të vjetër: Evropa e dy shpejtësive. Të gjitha këto ide kanë ngadalësuar procesin e integrimit në vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në rastin e Maqedonisë së Veriut mund të ketë pasoja serioze politike, kur kihet parasysh se procesi i ndryshimeve kushtetuese tashmë ka filluar.
Shkruan: Xhelal Neziri
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, që në vitin 2011 propozoi një Bashkim Evropian (BE) të dy shpejtësive. Kjo ide, e diskutuar poashtu me presidentin e atëhershëm francez, Nikolas Sarkozi, ngjalli shumë debate, reagime dhe dyshime te anëtaret e Evropës Lindore, por edhe te vendet aspirantë. Ideja për Evropën e dy ose më shumë shpejtësive është e vjetër sa vetë projekti i BE-së, dhe nënkupton nivele të ndryshme integrimi. Dhe kjo BE deri diku është edhe realitet pasi jo të gjithë anëtarët e BE-së janë njësoj të integruar. Përveç të qenurit anëtar i Bashkimit, ka edhe dy nivele tjera – Eurozona dhe Zona Shengen.
Por, tash kur zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit po bëhet urgjencë gjeopolitike, kërkohen sërish modele të reja të thellimit.
Presidenti aktual i Francës, Emanuel Macron, riaktualizoi idenë e Evropës së dy shpejtësive. Para një viti, gjatë një ligjerate në Universitetin e Pragës, këtë e kërkoi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Kjo lë të kuptohet se kjo ide vazhdon të zhvillohet edhe pas largimit të Merkelit dhe Sarkozys nga skena politike evropiane. Po bëhet një konstantë që synon të shndërrohet në plan, që synon ta bëjë BE-në më efikase, por më pak të drejtë. Kjo ngase një pjesë e madhe e vendimeve më nuk do të merren me konsensus nga të gjithë anëtarët, por nga anëtarët që kanë fuqi ekonomike dhe politike që të realizojnë ato vendime. Kjo do të thotë se vendeve që nuk janë pjesë e Eurozonës do t’u merret e drejta të bllokojnë buxhetin evropian apo atyre që nuk janë pjesë e gjashtë vendeve të para themeluese të BE-së t’u merret e drejta e vetos për vendimet strategjike të BE-së.
Debatin për “Evropën e dy ose më shumë shpejtësive” sërish e hapi presidenti Macron, siç para katër viteve hapi debatin për metodologjinë e re të negociatave anëtarësuese, ose para një viti lansoi idenë e themelimit të Komunitetit Politik Evropian. Të gjitha idetë e tij pranohen dhe realizohen, por integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, BeH, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi, Kosovë) gjithnjë e më shumë vonohet.
Fakti se nga viti 2013 Bashkimi Evropian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri po shkakton frustrime te liderët e këtij rajoni. Në forumin e Bldeit kryeministri shqiptar, Edi Rama, madje ironizoi me zgjerimin e BE-së që assesi të ndodhë. “Nëse mendoni ta integroni më shpejt Ukrainën në BE për shkak të luftës, atëherë tregoni që edhe ne të nisim të luftojmë njëri-tjetrin”, tha Rama. Nga viti i kaluar edhe Ukraina dhe Moldova morën statusin e vendit kandidat, duke u bërë gjithsej 8 shtete në paradhomën evropiane. As paralajmërimi i presidentit të Këshillit të BE-së, Charls Michel, se deri në vitin 2030 duhet të ndodhë zgjerimi, nuk i zbutën kritikat e liderëve ballkanikë. Aq më tepër kur Mischel “u qortua” më pas nga presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e cila tha se fokusi mbetet te plotësimi i kritereve, e jo te datat.
Është i pritshëm ky frustrim pas një mbyllje gati dhjetëvjeçare e dyerve të Evropës. Procesi i zgjerimit madje shënoi një kthim prapa: në vitin 2016 Unionin e braktisi Britania e Madhe.
Kjo është vonesa më e madhe e zgjerimit të BE-së që nga 1957-ta. Në këtë vit, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu vunë themelet e Unionit. U nevojit të kalojnë 16 vite që ky Union në 1973 të zgjerohet me Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Irlandën. Kështu, BE-ja nga 6 u rrit në 9 anëtarë. Dinamika e mëpasshme e zgjerimit ka qenë më e shpejtë duke bërë që sot BE-ja të numërojë 27 anëtarë. Vendi i fundit që u anëtarësua ishte Kroacia në vitin 2013.
Maqedonia e Veriut e para nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Associimit në vitin 2001 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005, kur Serbia dhe Mali i Zi ende ishin një federatë. Në vitin 2009 mori rekomandimin e parë të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave. Megjithatë, negociatat u pamundësuan shkaku i vetos nga Greqia për emrin, nga Franca për Metodologjinë e re dhe së fundmi nga Bullgaria për historinë.
Para një jave në vend nisi procesi i ndryshimeve kushtetuese për të zbatuar pikërisht Propozimin Francez, që hoqi veton bullgare. Ky propozim kërkon ndryshime kushtetuese në RMV që, midis tjerëve, edhe bullgarët etnikë të përfshihen në preambulë. Opozitarja VMRO-DPMNE, votat e të cilës janë kyçe për të kaluar ndryshimet në Parlament, i kërkon qeverisë të presë e të mos e zbatojë Propozimin. Ideja e Macronit sikur shkon në favor të këtij qëndrimi, edhe pse shkëputja e RMV-së nga pakoja me Shqipërinë dhe lënia në një grup me BeH dhe Kosovën padyshim se jell rreziqe të mëdha. Këtë e tha edhe diplomati i lartë amerikan, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Shkup javën e kaluar.
Një krizë e re mund të shpërthejë sërish shkaku i mungesës së perspektivës së qartë evropiane. Fustrimet ballkanike shpesh shpërthejnë në konflikte.