Zgjati vetëm katër vjet. Prej tij pritej shumë. Shumë shpresa u varën tek ai. U prezantua si holli ynë evropian. Ballkani i Hapur mbetet një kujtim.
Shkruan: Misha Bërkiq*
Kush nuk i besoi vendimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama të 1 korrikut për të shpallur mbylljen e “Balllkanit të Hapur”( shkas ishte arrestimi i tre policëve kosovarë në territorin e Serbisë), u bind përfundimisht më 21 gusht, kur Rama reagoi sërish dhe shpjegoi se kërcënimet janë të rrezikshme dhe të papranueshme kërcënimet e funksionarëve serbë ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Këtë herë kryeministri shqiptar reagoi ndaj deklaratës së ministrit serb të ushtrisë dhe shef i partisë në pushtet, Milosh Vuçeviq, se Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut do t’i përplaset në kokë njohja e Kosovës, siç i ndodhi kjo Ukrainës. Vringëllimit kanosës nga Beogradi, Rama u përgjigj se nuk duhet harruar se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s, plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.
„Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lkëmë pas përgjithmonë ! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”. Shpjegim të deklaratës së Vuçeviqit kërkoi edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Ndërsa presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e interpretoi deklaratën e Vuçeviqit “se 30 për qind e serbëve në Mal të Zi nuk mund të kenë dy ministri ose një” si ndërhyrje të papranueshme të faktorëve të huaj në formimin e qeverisë së re malazeze. Reagimi i Milatoviqit për shumëkënd ishte konfirmim i korrektësisë së qëndrimit të këtij shteti që të heq dorë nga nisma “Ballkani i Hapur”, pavarësisht flirtit të hapur të aventurierit Dritan Abazoviq me këtë ide.
Tani që duket se, pas katër vitesh ekzistencë, “Ballkani i Hapur” është në rrugë për t’i thënë ndjesë pastë, mund të thuhet (jo vetëm nga mirësjellja kur për të ndjerin flitet më së miri) se nuk është se nuk pati edhe disa efekte pozitive për rajonin. Dakord, nuk ishte Panairi i Verërave shembulli më mbresëlënës i bashkëpunimit të ekonomisë rajonale, por është fakt që kalimet e integruara kufitare, lëvizjet e thjeshtuara të njerëzve dhe mallrave, punësimi dhe licencat e kamionëve sollën benefite. Gjithsesi gjatë gjithë kohës e shoqëruan kontradikta. Shpesh u tha se ishte një zëvendësim i marrëveshjes tregtare të CEFTA-s, për të cilën kurrë nuk u tha zyrtarisht pse u shua dhe me arsye dyshohej se për sukses i lipsej vullneti politik i liderëve të disa shteteve.
Për të flitej shpesh edhe si për rivalin (e prodhuar lokalisht) të Procesit të Berlinit i cili në kabinetin e Angela Merkelit u projektua për të qenë një mjet për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik e të rivitalizimit të lidhjeve të këtyre vendeve me BE-në. Ky rivalitet Ballkani i Hapur – Procesi i Berlinit u theksua vazhdimisht dhe ishte konfrontim shtesë, gjë që ishte arsye e mjaftueshme që Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova të mos i bashkoheshin kurrë Ballkanit të Hapur.
Sapo nga Beogradi u përzie politikisht në rajon, dolën në dritë të gjitha të metat e Ballkanit të Hapur dhe të gjitha dallimet mes këtyre dy koncepteve të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të shteteve të rajonit. Zënkat politike të liderëve të shteteve anëtare e pushuan Ballkanin e Hapur si një nismë ekonomike dhe e kthyen integrimin rajonal në fillesat (e qëndrueshme) evropiane.
Koncepti i Ballkanittë Hapur OB nuk i bëri ballë provës në krizën e parë të madhe politike. Por kjo edhe pritej sepse mbështetej në nevojën e marketingut (të të paktën dy nga tre) liderëve politikë për të ngritur për vete një themelatë monumentale. Mirëpo, doli se pazaret personale ishin një bazë e dobët për një qëllim kaq ambicioz. Pikërisht për shkak se mbështetej (në thelb) në një marrëveshje byrazerësh, Ballkani i Hapur nuk kishte amortizues të integruar sistematikisht që do të zbusnin fërkimet e mundshme politike në ekonomi.
Në arkitekturën e tij sistemore, nuk ekzistojnë mekanizma autonome monitorimi, stimujsh, imponimi, garantimi dhe arbitrazhi në rast të problemeve eksterne. I gjithë funksionimi varet nga shtrëngimi fortë i duarve, përqafim vëllazëror dhe puthjeve solemne të liderëve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një ngrehinë e brishtë ishte lehtësisht e ndjeshme ndaj streseve politike.
Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit (vitin e ardshëm feston dhjetëvjetorin e tij) është një iniciativë rreptësisht e formalizuar, me procedura të përcaktuara saktësisht, veprime të renditura, me stimuj dhe kontrolle. Ndikimi i saj në integrimin e rajonit nuk buron vetëm nga qindra miliona euro ndihmë e pakthyeshme, por nga autoriteti politik (i Berlinit dhe Brukselit) që qëndron pas tyre. Kryeministri shqiptar u kurtalis lehtësisht nga Ballkani i Hapur në këmbim të Procesit të Berlinit, sesioni i të cilit këtë vjeshtë do të mbahet në Tiranë, pasi është i bindur se prapa fondeve të begata ( që duhet t‘i mundësojnë një frymëmarrje të lirë ekonomisë së rrënuar të vendit të tij dhe t’i sigurojnë asaj një rritje të qëndrueshme) qëndron autoriteti i Evropës.
Nëse ministri serb i Mbrojtjes ka dashur t’i vardisej shefit të tij dhe të hidhte kripë në plagën e hapur duke u grindur me partnerët nga Ballkani i Hapur dhe duke rrezikuar stabilitetin e rajonit, ai e bëri këtë në mënyrë jashtëzakonisht të pamatur. Por, nëse e ka bërë me urdhër të shefit, atëherë minimi politik i Ballkanit të Hapur nga ana e Vuçeviqit është dëshmi se presidenti serb ka hequr dorë nga ky projekt. Duket, për të njëjtat arsye si vëllai i tij politik, Edi Rama.
Në një përfundim të këtillë sjellin takimet dhe deklaratat e presidentit të Serbisë në samitin e Athinës. Nga vendi ku është ulur (në Beograd), ai nuhat krizën kërcënuese ekonomike që po vërtitet përmbi Serbinë. Kina është larg dhe e zënë me krizën e saj ekonomike, Rusia është e paaftë për një kohë të gjatë, ndërsa BRICS po shikon nga ana tjetër, kështu që është e detyruar të kthehet përsëri (jo me vullnet, por në mënyrë racionale) nga Bashkimi Evropian dhe këtu të kërkojë ndihmë për të nxitur rritjen e ngadaltë në Serbi.
Kjo kthesë e Presidentit tingëlloi kështu në Athinë: “Një mundësi e madhe për të biseduar me krerët evropianë dhe për të parë se ku është e ardhmja jonë… Për ne është me rëndësi të shqyrtojmë në mënyrë racionale se çfarë mund të bëjmë me BE-në. E rëndësishme është ajo që thanë për tregun e përbashkët ekonomik sepse do të stimulonte më tej rritjen në vendin tonë dhe do të ishim më tërheqës për investimet e huaja. Ne duhet t’i tërheqim edhe më shumë në të ardhmen nëse duam rritje të mëtejshme… Krahas ndihmës përmes programeve dhe subvencioneve të ndryshme, pres një fluks parash për vendet e Ballkanit Perëndimor, që sigurisht në kushtet e sotme do të ishte për ne shumë e rëndësishme”.
Në Tiranë, më 16 tetor do të mbahet Samiti i Tetë i Procesit të Berlinit (pas Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes, Londrës, Poznańjit dhe Sofjes) ku Bashkimi Evropian do të prezantojë masat mbështetëse për rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky tubim, shikuar nga perspektiva e sotme, mund të jetë edhe një “tallkin” për Ballkanin e Hapur që po vdes, kartë në të cilën luajtën për katër vjet liderët e tre shteteve ballkanike.
*Shkrimi është marrë nga: danas.rs. Përktheu: kdp.mk