Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Escobar ka thënë se shpreson që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë me procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa Kovaçevski ka theksuar se mbështetja e fuqishme nga faktori ndërkombëtar, për vazhdimin e procesit të integrimit evropian përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese, “dëshmon rrugën e drejtë të institucioneve të Maqedonisë së Veriut”. Ndërkohë, partia opozitare VMRO-DPMNE përmes një komunikate njofton se Mickoski në takim me Gabriel Escobarin, ka përsëritur qëndrimin e koalicionit në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Njëkohësisht thuhet se Mickoski i ka thënë Eskobarit se pushteti aktual në Maqedoni për shumë nga çështjet gabimisht e informon bashkësinë ndërkombëtare duke përfshirë edhe SHBA-të. KDP.MK gjithashtu mëson se Escobar sonte pritet të takohet edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Shkruan: Enis Shaqiri.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, të premten ka deklaruar se SHBA-ja e inkurajon Maqedoninë e Veriut që ta vazhdojë rrugën e integrimit evropian dhe se dëshiron ta shohë këtë vend pranë strukturave evropiane.
Diplomati Amerikan pas takimit me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski, është shprehur optimist se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë me procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, duke shtuar se “unë nuk do të torturoj askënd këtu.”
“Dua të them askush këtu nuk do t’iu nënshtrohet torturave. SHBA-ja nuk bën zgjedhjen e qeverive të anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, ne kemi pritje dhe do ta përcjell mesazhin e njëjtë sikur në gjithë rajonin se, SHBA-ja i sheh si partnerë natyralë ata që janë të përkushtuar në integrimin evropian, në NATO dhe luftën kundër korrupsionit”.
“Duam t’ju shohim në Bashkimin Evropian. Ju jeni anëtare e Këshillit eurotlantik, kështu që duam që të jeni sa më pranë strukturave evropiane. Më vjen mirë që ka nisur ky proces dhe shpresoj se do të vazhdojë. Shpresoj se pas takimit do të kemi më shumë për t’i thënë opinionit”, ka deklaruar Escobar.
Ardhja e Escobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuesepër përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.
Marrëveshja bazohet në atë që njihet si “propozimi francez”, që ishte miratuar në Kuvendet e të dyja shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke i hapur rrugën Shkupit që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 19 korrik.
KOVAÇEVSKI: BULLGARIA NUK DO TË VENDOS KUSHTE TË REJA
Ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se mbështetja e fuqishme nga faktori ndërkombëtar, për vazhdimin e procesit të integrimit evropian përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese, “dëshmon rrugën e drejtë të institucioneve të Maqedonisë së Veriut”.
“SHBA-ja ka qenë dhe do të jetë me ne. Është mbështetësja më e madhe që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë të na mbështesë”, ka thënë Kovaçevski.
Ai i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës maqedonase se “ndryshimet kushtetuese dëmtojnë interesat maqedonase, andaj edhe refuzojnë mbështetjen e tyre”.
“Korniza negociuese është dokument i miratuar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Ajo përmban kushtet që ne duhet t’i përmbushim, por edhe BE-ja. Marrëveshje të re nuk do të ketë. Kjo është kornizë negociuese që është miratuar edhe nga Kuvendi. Ajo garanton identitetin, gjuhën dhe të ardhmen tonë evropiane. Kërkesa të reja nga Bullgaria nuk do të ketë dhe për këtë kemi mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së”, ka thënë kryeministri maqedonas.
Gjithashtu nga Departamenti i Shtetit njoftojn se diplomati i lartë amerikan, është angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit.
VMRO-DPMNE NUK NDRYSHON QËNDRIMIN EDHE PAS TAKIMIT ME ESCOBAR-IN
Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE përmes një komunikate njofton se kryetari kësaj partie, Hristijan Mickoski bashkë me nënkryrtarin, Aleksandar Nikollovski, në takim me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, dhe ambasadoren e SHBA-ve, në Shkup, Angela Ageler, kanë ripërsëritur qëndrimin se VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve kushtetuese nën diktatin bullgar. Njëkohësisht thuhet se Mickoski i ka thënë Eskobarit se pushteti aktual në Maqedoni për shumë nga çështjet gabimisht e informon bashkësinë ndërkombëtare duke përfshirë edhe SHBA-të.
“Qëndrimi i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese u konfirmua në takim. Të dyja palët theksuan gjithashtu nevojën për të forcuar dhe thelluar miqësinë strategjike midis dy vendeve. Kryetari Mickoski theksoi se qeveria aktuale në Maqedoni për shumë çështje të brendshme politike keqinformoi komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, thonë nga VMRO DPMNE.
Partia gjithashtu theksoi se e vetmja zgjidhje për dalje nga situata janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata shtuan se qeveria aktuale po e largon vendin nga Bashkimi Evropian, sepse duke folur për integrimin, po kryen krim dhe korrupsion.
“Për gjashtë vjet, LSD keqpërdor BE-në duke deklaruar në mënyrë të rreme vlera që ata nuk i respektojnë, ndërsa për zbatim as që diskutohet. Gjashtë vjet, Maqedonia është gjithnjë e më larg BE-së. Të dashur miq, me çdo muaj me LSD dhe BDI në pushtet, Maqedonia po largohet më shumë nga BE. Kjo është arsyeja pse na duhen zgjedhje për ndryshim”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Pas takimit me Mickoskin, nga ambasada amerikane në Shkup nuk kanë bërë të ditur se çfarë kanë biseduar konkretisht. ndërsa lideri i VMRO-DPMNE nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media
PENDAROVSKI: VLERËSOJMË MBËSHTETJEN E SHBA-ve
Gjatë ditës së djeshme Esocbar pati një takim edhe me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, në të cilin, siç njoftuan nga kabineti i presidentit, shprehu pritjen nga Uashingtoni zyrtar se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Në takim u theksua mbështetja e SHBA-ve në aspiratat evropiane të vendit tonë. Ndërkohë, u theksua edhe pritshmëria nga Uashingtoni zyrtar që Maqedonia do të vazhdon rrugën për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, deklarojnë nga presidenca.
Presidenti Pendarovski ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane në realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut.
“Në takim u diskutuan hapat e radhës që duhet t’i marrë Maqedonia e Veriut që të përparon në procesin integrues në Bashkimin Evropian”, deklaroi Pendarovski.
OSMANI: BASHKËPUNIMI NË KUADËR TË DIALOGUT STRATEGJIK VAZHDON TË ZHVILLOHET
Kurse Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përmes profilit të tij në facebook njoftoi se fokusi i takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte nevoja për vazhdimin e procesit të negociatave me BE-në përmes zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, mbështetja për Ukrainën, si dhe kryesimi i RMV-së me OSBE-në.
“Në fokus: Nevoja për vazhdimin e procesit të negociatave me BE-në përmes zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, duke pasur parasysh se bllokada na kushton një miliard euro në vit mbështetje financiare nga BE-ja. Aleanca brenda NATO-s, mbështetja për Ukrainën, si dhe kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe A5”, ka shkruar kryediplomati Osmani në facebook duke nënvizuar se “bashkëpunimi në kuadër të Dialogut Strategjik vazhdon të zhvillohet, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”!.
KDP.MK gjithashtu mëson se Escobar sonte pritet të takohet edhe me kreun e integristëve Ali Ahmetin.