Është koha e fundit që Shqipëria dhe Kosova të hartojnë piketa të përbashkëta në politikën e jashtme dhe kjo nuk duhet të frikësojë askë, sepse ne jemi nën ombrellën e sigurisë evroatlantike (Shqipëria – anëtare e NATO-s, Kosova – zgjatim i NATO-s). Për fillim do të mjaftonte që Tirana zyrtare të rikonfirmojë se në asnjë rrethanë nuk ka kthim te “Ballkani i Hapur”, ndërsa Prishtina të le pas hatërmbetjet e viteve të fundit.
Shkruan: Melazim KOCI*
Samiti i Athines i ftuar nga kryeministri Micotakis ishte vetëm “Maja e Ajsbergut” i një projekti afatgjatë që sërish shpërfaqi kordinimin greko – serb për përçarjen dhe margjinalizimin e faktorit shqiptar në Ballkan.
Mos ftesa për kryeministrin Edi Rama nuk mund të justifikohet me rastin Beleri dhe është evidente që pos tjerash kishte synim thellimin e përçarjes ndërshqiptare.
Mjerisht përcarja Tiranë – Prishtinë kishte filluar shumë më herët dhe fillet i ka te “Ballkani i Hapur”, që paradokohe njëanshem u braktisë nga Edi Rama. Kërkesat e sërishme të Beogradit, Shkupit dhe disa faktoreve tjerë te jashtëm që “Ballkani i Hapur” të mbetet i gjallë, paralelisht me “Procesin e Berlinit”, katërcipërisht e bëjnë të qartë se ky projekt tinzar dhe antishqiptar nuk ka asnje funksion tjetër pos përçarjes së Kosovës dhe Shqipërisë.
„Ballkan i Hapur” nuk është gjë tjetër pos ide e vjetër e politikës serbomadhe – „Ballkani – ballkanasve“, përmes së cilës aktualisht margjinalizohet Kosova, ndërsa në plan afatgjatë synohet përjashtimi i fuqive të mëdha nga zgjidhja e kontesteve në këtë rajon.
Rikthimi i „Procesit të Barlinit“, që bazament ka gjashtë subjekte të barabarta shtetërore, ka goditur në themel „Ballkanin e Hapur“, fuqizon faktorin shqiptar (dy subjekte shtetërore) dhe rrjedhimisht ka frikësuar boshtin Athinë – Beograd.
Në këtë prizmë duhet analizuar dhe vështruar manovrimet e Athinës dhe Beogradit, që synojnë rol liderist në Ballkan. Nëse synimi i Athinës për liderizëm në Ballkan deri-diku mund të kuptohet (anëtare e NATO-s dhe BE-së), ndonëse jo edhe të miratohet, synimi i Serbisë për të aktruar liderin e Ballkanit, është falsitet. Deklarimet e disa diplomatëve për pozitën qendrore të Serbisë në Ballkan dhe rrjedhimisht koncesionet që i bëhen janë të shpifura. Ato bëhen për të „zbutur“ përkohësisht Beogradin dhe për të shmangur një konflikt tjetër në Ballkan, deri në mbyllje të luftës në Ukrainë.
Pa dalje në det, e rreshtuar pas Rusisë dhe e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, Serbia është shumë larg të qenurit faktor dhe qendër e Ballkanit.
Vështruar nga këndi i gjeopolitikës, pozicionin qendror në Ballkan e disponojnë Shqipëria dhe Kosova, sepse bashkërisht kontrollojnë hapësirën që shtrihet nga Otranto deri te Maja e Pançiqit. Këtu qëndron dhembja dhe frika e Athinës dhe Beogradit.
Synimi i Serbisë për të aneksuar Veriun e Kosovës nuk ka objektiv vetëm pasuritë minerare, por edhe Majen e Pançiqit, prej nga kontrrollohet i gjithë Ballkani.
A do të dinë shqiptarët të kapitalizojnë këto favore gjeopolitike?
Fillimisht do të duhej të ruanin dhe thellonin aleancën me garantin e sigurisë dhe demokracisë në Ballkan dhe Evropë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hapi tjetër është flakja e përçarjes në raportet Tiranë – Prishtinë, që po e kultivojnë Athina dhe Beogradi.
Është koha e fundit që Shqipëria dhe Kosova të hartojnë piketa të përbashkëta në politikën e jashtme dhe kjo nuk duhet të frikësojë askë, sepse ne jemi nën ombrellën e sigurisë evroatlantike (Shqipëria – anëtare e NATO-s, Kosova – zgjatim i NATO-s).
Për fillim do të mjaftonte që Tirana zyrtare të rikonfirmojë se në asnjë rrethanë nuk ka kthim te “Ballkani i Hapur”, ndërsa Prishtina të lë pas hatërmbetjet e viteve të fundit.
Unikë dhe të bashkuar kemi ne pozicionin qendror në Ballkan dhe jo Greqia dhe aq më pak Serbia.
*Shkrimi është marrë nga profili i autorit në Facebook