E diel, 23 Mars, 2025

VDEKJA E RAPORTUAR E YEVGENY PRIGOZHIN MUND TË KONSOLIDOJË PUSHTETIN E PUTINIT

Bill Burns, drejtori i CIA-s, kohët e fundit mendoi se çfarë fati mund të priste Yevgeny Prigozhin-in, liderin mercenar që filloi një kryengritje jetëshkurtër në Rusi në qershor. Bill Burns tha se, Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, “është përgjithësisht dikush që mendon se hakmarrja është një pjatë që shërbehet më së miri e ftohtë. Në përvojën time Putini është apostulli i fundit i shpagimit, kështu që do të habitesha nëse Prigozhin do t’i shpëtonte ndëshkimit të mëtejshëm.” Më 23 gusht, pikërisht dy muaj pas atij rebelimi, avioni i zotit Prigozhin ra në tokë.

Marrë nga “The Economist”

Përktheu: Orges Zaimi

Sipas të dhënave të kërkimit publik,  avioni i biznesit Embraer i Prigozhin u ngjit në afro 9 kilometra lartësi përpara se të binte papritur në rajonin Tver afër Moskës pas më pak se 30 minutash fluturim. Sipas agjencisë ruse të aviacionit dhe medias shtetërore, të dhjetë personat në bord u vranë dhe Prigozhin ishte në listën e pasagjerëve. Dmitry Utkin, një figurë e lartë në Grupin Wagner të Prigozhin, dhe komandanti i kolonës që marshoi në Moskë në qershor, ishte gjithashtu në listën e pasagjerëve.

Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit. Dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar shpërthime përpara incidentit, duke shkaktuar spekulime se ai mund të ishte qëlluar nga mbrojtja ajrore. Një mundësi, megjithëse pak komentues në internet duket ta besojnë, është se ishte një aksident. Ukraina ka kryer 15 sulme me dronë kundër Moskës dhe zonës përreth që nga 3 maji, duke përfshirë sulme në shtatë netë të njëpasnjëshme deri më 23 gusht. Prandaj, mbrojtjet ajrore lokale mund të kenë qenë jostabile; në vitin 2020 Irani rrëzoi një aeroplan ukrainas në Teheran gjatë një periudhe gatishmërie të lartë. Megjithatë, nuk ka gjasa që operatorët rusë të radarëve të ngatërrojnë një avion me një dron: dronët janë më të ngadaltë, më të vegjël dhe më të ulët.

Një burim i lartë në inteligjencën ukrainase tha se disa figura në Rusi, duke përfshirë Sergei Shoigu, ministrin e mbrojtjes të Rusisë, target i shpeshtë i video-mesazheve kërcënuese të Prigozhin, ishin tërbuar aq shumë sa që dëshironin vdekjen e zotit Prigozhin. Megjithatë, një operacion i tillë nuk mund të ishte kryer pa autorizimin e vetë Vladimir Putin. Presidenti i Amerikës, Joe Biden deklaroi: “Nuk e di se çfarë ndodhi në të vërtetë, por nuk jam i befasuar. Nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi pa miratimin e Putinit.” Z. Burns nuk ishte i vetmi që kishte parë vështirësi në rrugën e zotit Prigozhin. Në një intervistë në qershor, Kyrylo Budanov, shefi i HUR (agjencia ushtarake e spiunazhit të Ukrainës), pretendoi se FSB, shërbimi i sigurisë ruse, ishte planifikonte të vriste kryengritësin.

Veçanërisht, përplasja erdhi në një ditë ndëshkimi më të gjerë. Më herët, më 23 gusht, gjenerali Sergei Surovikin, i cili kishte shërbyer si komandant i forcave ruse në Ukrainë deri në janar, u lirua nga pozita si komandant i forcave ajrore dhe hapësinore të Rusisë. Gjenerali Surovikin ishte i lidhur ngushtë me z. Prigozhin dhe ishte vënë nën dyshimin se kishte ndihmuar kryengritjen ose kishte njohuri paraprake për të. Gjenerali raportohet se ka qenë në arrest shtëpiak.

John Foreman, atasheu i mbrojtjes i Britanisë në Moskë deri vitin e kaluar thotë se vdekja e Prigozhin ka të ngjarë të ketë një efekt të papërfillshëm në vijat e frontit në Ukrainë. Gjenerali Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë, të cilin Prigozhin e sulmoi në mënyrë rutinore, “ka sjellë njëfarë rregulli në kaosin ushtarak të vitit të kaluar. Forcat e Wagnerit ishin shtyrë mënjanë pasi ata udhëhoqën pushtimin e Bakhmutit në maj. Zoti Foreman shton se trupat e saj shokuese nuk ishin aq të rëndësishme pasi Ukraina shkoi në ofensivë, dhe ushtarët e dyshuar politikisht ishin më pak të mirëpritur.

Ndikimi në vendet afrikane, ku Wagner ishte dhe mbeti aktiv, është më i pasigurt. Prigozhin thuhet se kishte qenë në Afrikë, duke u përpjekur të parandalonte GRU-në, agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, që të shtynte forcat e tij jashtë kontinentit. Wagner nuk është e vetmja organizatë mercenare në kontinent dhe udhëheqësit afrikanë që kanë nevojë për muskuj nuk do t’i interesojnë shumë nëse trupat ruse do t’i përgjigjen zotit Prigozhin ose një funksionari tjetër të Kremlinit.

Grumbullimet më të mëdha do të jenë ato brenda Rusisë. Nëse Prigozhin do të vritej me urdhër të Putinit, kjo do të përforconte imazhin e presidentit si një njeri i fortë hakmarrës, i gatshëm për të hequr dorë nga procedura dhe ligji. Ai së pari tërhoqi imagjinatën e publikut rus si president i Rusisë me një premtim të paharrueshëm për të “kapur [rebelët çeçenë] në tualet” dhe “ti ekzektuojë ata në shtëpi”. Gjatë viteve në vijim, armiqtë e tij vuajtën një sërë metodash gjithnjë e më ekzotike të sulmit dhe vrasjes – nga një izotop radioaktiv i futur në çaj deri te agjenti i cili lyen dorezat e dyerve dhe mbathjet me helm – dizajnuar për të trishtuar kundërshtarët e mundshëm.

Megjithatë, këto metoda kanë minuar gjithashtu nocionin se Rusia është një shtet i rregullt, duke ekspozuar regjimin e zotit Putin si një ndërmarrje mafioze e drejtuar nga teket personale dhe gjakmarrja. Vetë ekzistenca e Wagner-it – një ushtri private që është zyrtarisht e ndaluar nga kodi penal rus – ishte një shenjë e mosbesimit të Putinit në institucionet e rregullta të shtetit dhe mbështetjes së tij në lidhjet joformale.

Vdekja e Prigozhin mund të ndihmojë në konsolidimin e pushtetit të Putinit. Por gjithashtu mund të përforcojë mitin e liderit Wagner si një patriot që thotë të vërtetën dhe të destabilizojë elektoratin pro luftës duke tjetërsuar pasuesit dhe ndjekësit e tij. Gray Zone, një grup i  Wagner në Telegram, një faqe e mediave sociale, paralajmëron: “Vrasja…do të ketë pasoja katastrofike, njerëzit që dhanë urdhrin nuk e kuptojnë aspak disponimin dhe moralin brenda ushtrisë”.

Përderisa drama po shpalosej, Putin po i drejtohej një tubimi në Kursk, duke përshëndetur fitoren e trupave sovjetike mbi pushtuesit gjermanë 80 vjet më parë. Prokurorët rusë, të cilët mbyllën menjëherë një hetim për kryengritjen e Prigozhin pasi ai pranoi një marrëveshje për të shkuar në mërgim në Bjellorusi, nxituan të hapin një hetim për shkeljen e “rregullave të trafikut ajror dhe sigurisë”. Publiku rus mund të mësojë se ishte gabimi i një piloti ose problem me aeroplanin që e solli vdekjen e Prigozhin. Në Rusi, askush nuk pret që t’i thuhet e vërteta.

Të fundit