E martë, 29 Prill, 2025

RRUGA E VËSHTIRË E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE, PËRPLASJE TË FORTA POLITIKE

Hapja e debatit për ndryshimet kushtetuese e bën edhe më të nxehtë këtë fund verë. Përfshirja e bullgareve në kushtetutë mbetet një ndër kushtet kryesore për vazhdimin e negociatave me BE-në. Partitë politike po shfaqen me retorikat e tyre për të sulmuar dhe mbrojtur pozicionet ndaj këtyre ndryshimeve kushtetuese që i hapin perspektivën evropiane Maqedonisë së Veriut. Lideri opozitar, Hristijan Mickovski ka theksuar se Evropa, bota po bën një strategji se si të thyhet VMRO-DPMNE dhe ata 44 të votojnë amendamentet e pabesa kushtetuese në parlament të përshtatura sipas diktatit bullgar. LSDM-ja i ka quajtur këto prononcime paranojë të Mickovskit, i cili dëshiron të grindet me gjithë botën

KDP

Ndryshimet kushtetuese mbeten një nga sfidat kryesore në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Vazhdimi i negociatave varet nga këto ndryshime. Por, duket se ky proces do të jetë i rëndë dhe me shumë përplasje politike. Partitë politike të bllokut politik maqedonas kanë akuzuar njëra-tjetrën për pozicionimet rreth kësaj çështjeje.

LSDM-ja ka theksuar se Mickoski dëshiron të grindet me gjithë botën dhe Evropën. “Paranoja e treguar nga Hristian Mickoski në lidhje me disa lloj komplotesh botërore tregon qartë se ai është një politikan anti-evropian. Mickoski është i njëjtë me mentorin dhe paraardhësin e tij, Nikolla Gruevski dhe është plotësisht i vetëdijshëm se retorika që ka shprehur ditët e fundit, retorika kundër BE-së dhe kundër NATO-s, do ta lërë Maqedoninë të izoluar edhe për të paktën 11 vite të tjera, thuhet në kumtesën e sotme të LSDM-së.

Paranojaku Mickoski, theksojnë nga LSDM, dëshiron të grindet me ne, me gjithë botën dhe me gjithë Evropën. Fillimisht ai foli për një lloj bullgarizimi dhe asimilimi, pastaj kur kjo doli të ishte e pavërtetë filloi të fliste për diktim bullgar.

“Pasi u bë e qartë se nuk ka diktat bullgar, Mickoski tani ndryshon retorikën e tij dhe flet për një lloj presioni dhe komplote botërore kundër tij dhe partisë së tij. Ai thjesht ka aftësinë të krijojë vetëm armiq, ndaj mendon se të gjithë mendojnë kështu”, kanë theksuar nga LSDM.

Në prag të vazhdimit të seancës parlamentare, në të cilën deputetë do të duhet të deklarohen për ndryshimet kushtetuese, si kusht për përparim drejt BE-së, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka theksuar se bota po bën plane dhe strategji për ta thyer VMRO-DPMNE-në. Ai ka theksuar se po bëjnë një luftë të fortë, por se do të durojnë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar.

“Sot, teksa flas, ne jemi përballë një sfide historike epokale. Sot Evropa, bota po bën një strategji se si të thyhet VMRO-DPMNE dhe ata 44 të votojnë amendamentet e pabesa kushtetuese në parlament të përshtatura sipas diktatit bullgar. Bota dhe Evropa po e mendojnë sot dhe po bëjnë një plan për të na thyer. Mos mendoni se ata janë Dimitar Kovaçevski, Ali Ahmeti apo Bujar Osmani. Dhe mos mendoni se është e lehtë, nuk është. Po bëhet një luftë e fortë për të mbrojtur nderin e popullit maqedonas”, ka theksuar Mickoski.

Ai po ashtu ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht nëse do të jenë të parakohshme apo të rregullta, pasi që muaj janë në pyetje, VMRO-DPMNE do të arrijë rezultat historik.

Deputetët në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, pesë ditë pas përfundimit të debatit në Kuvend.

Debati për ndryshimet kushtetuese – përkatësisht të përfshirjes në preambulë të pakicës bullgare si popull shtetformues – më 18 gusht përfundoi pa votim, pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se është e drejtë e tij që të vendosë se kur do të caktojë vazhdimin e seancës për aktin e votimit.

Ky debat ishte paraparë të zgjaste dhjetë ditë, por përfundoi pas tre orësh, meqë opozita nuk mori pjesë në të. Për rendin e ditës votuan 70 deputetë, që sipas partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE ishte “dëshmi se partitë në pushtet nuk kanë 80 votat, apo dy të tretat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve” kushtetuese.

Pas përfundimit të debatit të premten, kryeparlamentari Xhaferi ndërpreu seancë, pa hedhur në votim çështjen e ndryshimeve kushtetuese.

Sipas dispozitave ligjore, në rast se ndryshimet kushtetuese hidhen në votim, por dështojnë të miratohen, atëherë kjo çështje nuk mund të hidhet në votim për një periudhë nëntëmujore.

Ndryshimi i preambulës së Kushtetutës maqedonase parashihet në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe çështjet historike

Të fundit