Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë më në dhomën e pritjes së Bashkimit Evropian (BE), por duhet guxim dhe vendosmëri që vendi të ecë përpara. Këtë e deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimeve në Athinë dhe pjesëmarrjes në darkën joformale kushtuar 20 vjetorit të Deklaratës së Selanikut, ku u takua edhe me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, përcjell KDP.
Kovaçevski thotë se në këtë takim të dy u shprehën të kënaqur që procesi i amendamenteve kushtetuese ka filluar me sukses në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar se deputetët do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Së bashku me Kroacinë, ne filluam anëtarësimin në BE në vitin 2006. Sot Kroacia është anëtare e BE-së, anëtare e Shengenit dhe ka euron si valutë. Kemi ende politikanë që thonë se duhet të presim. 20 vjet më parë përfaqësues të Maqedonisë këtu ishin Branko Cërvenkovski dhe tani e ndjera Ilinka Mitreva, dhe ky është vendi më i mirë nga ku mund të dërgohet mesazhi se mosmarrja e vendimit, mospasja e guximit dhe vendosmëria për të mos e lëvizur vendin as edhe një milimetër nuk shpie askund”, tha Kovaçevski.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në profilin e saj në Twitter, ka shprehur sot shpresën se të gjitha partitë do të mbështesin ndryshimet kushtetuese.
Good exchange with PM @DKovachevski.
I welcomed his government’s tabling of the Constitutional amendments in Parliament. I hope all parties will support it, to move forward on North Macedonia’s European path.
North Macedonia belongs in the EU. pic.twitter.com/pH2LMcjZCO
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) August 21, 2023
“Shkëmbim i mirë i mendimeve me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. E përshëndeta paraqitjen e amendamenteve kushtetuese nga qeveria e tij në parlament. Shpresoj se të gjitha palët do t’i mbështesin, për të avancuar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut i përket BE-së”, shkroi Von der Leyen në Twitter.
Megjithatë, VMRO-DPMNE-ja mbetet e qëndrimit se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese siç thonë me diktimin bullgar. Sipas partisë më të madhe opozitare, kryeministri Kovaçevski e solli Maqedoninë në një qorrsokak duke pranuar gjëra që nuk mund t’i përmbushë. Sipas tyre, zgjidhja e vetme e arsyeshme, thonë ata, janë zgjedhjet e shpejta dhe kanë përsëritur vërejtjet e tyre për kryeparlamentarin Xhaferi.
“Xhaferi nuk ka mundur ta ndërpresë seancën dhe është dashur të votojë për amendamentet kushtetuese. Talat Xhaferi ka shkelur rregulloren”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së
Ndryshe, në takimet joformale në Athinë është miratuar një Deklaratë e përbashkët, në të cilën thuhet se vizioni i Bashkimit Evropian duhet pasuruar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë. Dokumenti nënvizon nevojën për një proces zgjerimi të ripërtërirë dhe të ripërqëndruar, i cili është i prekshëm dhe i besueshëm, pa mos hequr kushtet e vendosura.