E mërkurë, 19 Mars, 2025

IDEOLOGJIA REVIZIONISTE E BEOGRADIT: “TË MIRËT, ÇETNIKË ANTIFASHISTË”!

Pse një narrativë e revizioniste është kaq e rëndësishme për autoritetet serbe? Jo për shkak të çetnikëve dhe jo për shkak të luftës së viteve 1941-1945, por për shkak të rishikimit të së vërtetës për arsyet, natyrën dhe përgjegjësinë për luftërat që zhvilloi Beogradi në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX.

Shkruan: Andrej Nikolaidis*

Mali i Zi i Ri, i vendosur pas kundërrevolucionit klerikal, sërish është i përulur dhe inferior para Serbisë, e cila në Malin e Zi të nënshtruar po e eksporton me të madhe narrativën e saj revizioniste për “të mirët, çetnikë antifashistë”. Për këtë po punojnë mediat, si dhe kompanitë e kontrolluara nga Aleksandar Vuçiq. Ama   importues i autorizuar është Kisha Ortodokse Serbe (SPC), e cila e shpërndan produktin në të gjitha objektet e saj të shitjes – disa prej të cilave janë sakrale, disa afariste, disa mediatike, ndërsa disa kancelari të të trija degëve të pushtetit.

Pse një narrativë e revizioniste është kaq e rëndësishme për autoritetet serbe? Jo për shkak të çetnikëve dhe jo për shkak të luftës së viteve 1941-1945, por për shkak të rishikimit të së vërtetës për arsyet, natyrën dhe përgjegjësinë për luftërat që zhvilloi Beogradi në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX.

Ato luftëra kishin të njëjtin qëllim – krijimin e Serbisë të Madhe Homogjene – si dhe të njëjtat metoda, të cilat nënkuptonin edhe krimet sistematike të luftës dhe gjenocidin në Bosnjën Lindore. Duke rehabilituar atë përpjekje (1941-1945) për të krijuar Serbinë e Madhe, sigurohet pafajësia edhe për këtë (1991-1999), pa ia futur gishtin në sy të ashtuquajturës bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk ndikon drejtpërdrejt në vendimet e gjykatës së Hagës.

Është e njohur se në luftërat e viteve nëntëdhjetë, Beogradi u përpoq të krijonte Serbinë e Madhe. Ky projekt, në një dokument të shkruar në Nikshiq, më 1941,  të publikuar me emrin “Serbia homogjene”, u konceptua nga ideologu i lëvizjes çetnike, Stevan Moljeviq. Realizimi i këtij projekti, si në vitin 1941 ashtu edhe në vitin 1992, nënkuptonte edhe shfarosjen e myslimanëve në Bosnjën Lindore, veçanërisht përgjatë lumit Drina. Ratko Mladiqi në Srebrenicë dhe Podrinje u përpoq të përfundonte atë që nuk e bëri komandanti çetnik Pavle Gjurishiq, i cili më 13 shkurt 1943 i dërgoi raportin Drazha Mihailoviqit për “aksionin kundër myslimanëve” në “Qarkun e Plevles, Çajniçes dhe Foçës” ku, e zeza mbi të bardhë, shkruan: “Gjatë operacioneve u bë shfarosja e plotë e popullsisë myslimane, pa dallim gjinie dhe moshe. Viktimat. Viktimat tona ishin gjithsej 22 të vdekur, dy prej tyre aksidentalisht dhe 32 të plagosur. Midis myslimanëve, rreth 1.200 luftëtarë dhe deri në 8.000 viktima të tjera: gra, pleq dhe fëmijë”.

Çfarë kalorësi. Çfarë nderi ushtarak. Nga struktura e viktimave – 1.200 ushtarë, 8.000 gra, pleq dhe fëmijë – lexohet se çetnikët në konflikt me maternitetin dhe azilin e pleqëve realizuan një dominim të padyshimtë. Problemi do të lindte kur të hasnin burra të armatosur. Në Neretvë, fjala vjen. Ose në Kërnovë, të cilës ia mësyu tani Metodi, ku, siç publikoi në rrjetet sociale historiania e artit Tatjana Koprivica, humbën jetën 350 çetnikë, rreth 350 u plagosën, 180 u kapën dhe 130 iu bashkuan partizanëve të cilët humbën një luftëtar. Gjashtë prej tyre u plagosën.

Meqë, siç dihet, për marshet kasaphanë të Ratko Mladiqit dhe Drazha Mihailoviqit, fajtor është Tito, komandanti çetnik u rehabilitua në Serbi e bashkë me të edhe ideologjia në emër të së cilës mbillnin vdekje ai dhe Mladiqi.

Çfarë ndjesie sarkazme ka historia… Ushtria e lavdishme e Titos përfundoi duke luftuar për qëllimin çetnik. Ushtria që sulmoi Slloveninë dhe më pas bombardoi Vukovarin dhe Dubrovnikun ishte fashiste. Ushtria që armatosi çetnikët që mbanin të rrethuar Sarajevën ishte fashiste.

Një ushtri e tillë nuk fitoi askund. Në tetë vjet, ajo u mund në katër luftëra – që me siguri është një rekord botëror. Për ndonjë arsye, ai rekord nuk kremtohet.

Mbetet revizionimi. Si i i ndodhive ushtarake ashtu edhe i vektorëve politikë që menaxhuan ato ngjarje. Si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta revizioniste, me përrallën e vet për Momir Bulatoviqin, u veçua edhe presidenti Milatoviq nga i cili në të ardhmen, në këtë kuptim, duhet të presim edhe ndërhyrje më serioze.

Çfarë të bësh… Më shumë futbollistë jugosllavë kanë humbur jetën në ndeshjet kundër Gjermanisë sesa çetnikë në luftimet kundër nazistëve.

Prandaj janë të kota të gjitha thirrjet për pajtim,të kota janë lotët për përçarjet tona… Për historinë se si çetnikët ishin luftëtarë kundër nazizmit, as ti dhe as unë nuk mund të jemi partner i revizionistëve – në çdo rast, jo unë. Sepse nuk kam aq  imagjinatë.

Shikoni… kur isha i vogël, ëndërroja se si me një anije kozmike shkoja në një Vrimë të Zezë; vizatova strip të frymëzuar nga seriali Star Wars; ëndërroja se isha Silver Flyer dhe se po shpëtoja galaksitë e largëta. Por asnjëherë nuk kam arritur të imagjinoj se çetnikët janë antifashistë. Pasi në Romani gjysmën e familjes së gjyshes ma vranë ata, kurse gjysmën ustashët, ishte zahmet të ëndërroje diçka të tillë.

Atëherë, kush mund të jetë partner i revizionistëve për përrallën e tyre për çetnikët që ishin guerrilë antihitleriane?

E po, Marveli, vëllezër dhe motra. Marveli. Në filmat e tyre, në fakt, njerëzit fluturojnë, kalërojnë në gjithësi mbi dërrasat e sërfit, me çekiçë të plotëfuqishëm  shkaktojnë tërmete dhe tornado, sundojnë qytetërimet nën det dhe, si merimanga kapen për rrokaqiejt e Nju-Jorkut. Për shkak se filmat e tyre nuk mbështeten as në histori e as në fizikë; për shkak se në ato filma ndodh ajo që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë – Marveli, them unë, padyshim do të dinte të bënte edhe një film për fëmijë në të cilin çetnikët janë heronj.

Argumentet revizioniste, natyrisht, janë të fuqishme dhe të qëndrueshme. Si një prezervativ i përdorur. Le të themi ky, kuazi-ligjori: Drazha nuk është kriminel lufte sepse e ka rehabilituar gjykata në Beograd. Bravo! Gjithashtu, as Hitleri nuk është kriminel lufte, pasi nuk ka aktgjykim të formës së prerë me të cilin ai është dënuar për krime lufte.

Ose kjo: amerikanët i kanë përkrahur çetnikët, që do të thotë se çetnikët janë djem të mirë.

Ah, çfarë t’ju them… Amerika, le të themi, e mbështeti Pinoçetin. E mbështetën kur kreu puçin ushtarak kundër majtistit Allende. Ata e mbështetën atë kur përdorte terrorin për të konsoliduar pushtetin. E mbështetën kur ushtroi terror  për të konsoliduar pushtetin. E mbështetën kur me çfarëdo lloje krimesh – që përfshinin edhe ekzekutime masive të qytetarëve kilianë – e mbajti atë pushtet. E mbështetën kur, sipas CBS News-it amerikan, vrau të paktën 3.095 njerëz. E mbështetën edhe kur, sipas Amnesty International dhe Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ​​250.000 qytetarë të Kilit i futi në burg si të burgosur politikë.

Lista e diktatorëve në Amerikën e Jugut që Amerika ka mbështetur është e gjatë. Ashtu siç mbështetën edhe Frankon në Spanjë. Në fillim, pasivisht, ashtu që gjatë Luftës Civile Spanjolle, Kongresi Amerikan refuzoi t’i ofrojë ndihmë Republikës dhe në vend të kësaj miratoi një sërë Aktesh mbi Neutralitetin, të cilat i mundësuan Hitlerit dhe Musolinit të siguronin me armë epërsinë ushtarake dhe fitoren e Frankos. Më pas, siç shkruan gazeta amerikane Los Angeles Times, SHBA-ja, gjatë vitit të parë të pushtetit të administratës së Ajzenauerit nënshkroi paktin. “Në këmbim të bazave ushtarake, Franko mori asistencë ushtarake, ndihmë ekonomike dhe, më e rëndësishmja, mbështetje implicite morale të SHBA-së”.

Ok. Mendoj se u kuptuam.

*Autori është shkrimtar dhe publicist nga Ulqini. Shkrimi është marrë nga portali: Aktuelno.me. Përktheu: kdp.mk

Të fundit