E shtunë, 15 Mars, 2025

HIPOKRIZIA E ATHINËS NË “DEKLARATËN E SELANIKUT”!

Takimi jozyrtar i disa prej liderëve të Ballkanit Perëndimor me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, i cili po mbahet në Athinë me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, ka një dimension rajonal dhe i shërben Greqisë për t’i kujtuar Bashkimit Evropian rolin e saj në nxitjen e zgjerimit me “Deklaratën e Selanikut”, shkruan REL në analizën e saj, përcjell KDP.

Është një dokument që doli në vitin 2003, i cili përvijonte linjat e reja në zgjerimin e BE dhe instrumentet e aksesit që shërbyen për të përshpejtuar rrugën e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.

Të pranishëm në darkën joformale ishin kryeministri maqedonas Dimitar Kovacevski, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri bullgar Nikolai Denkov, kroati Andrej Plenkoviç dhe rumuni Ion-Marcel Ciolaku.

Në takim nuk kishte përfaqësues të Shqipërisë, në kushtet kur marrëdhëniet fqinjësore me Greqinë janë përkeqësuar pasi autoritetet shqiptare ndaluan kryebashkiakun e sapozgjedhur të Himarës, Fredi Belleri, me origjinë etnike greke.

Policia shqiptare e ndaloi atë me dyshimin për korruptim të votuesve. Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, tha në një intervistë për ERT1 më 8 gusht se ai personalisht i tha Komisionerit të Zgjerimit të BE-së, Oliver Varheli, me atë që ai thotë se ishte me një ton të rreptë, se nuk kishte mundësi që Shqipëria të vazhdonte procesin e anëtarësimit në BE me një mungesë të tillë respekti të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike.

“Priten dokumente dhe vlerësime të rëndësishme në lidhje me Shqipërinë dhe në tetor do të ketë një raport për ecurinë e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të hapen kapitujt e anëtarësimit. Në këto rrethana, të gjithë e kuptojmë se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e mbushur me gjemba”, tha Gerapetritis më 8 gusht.

Gjithashtu, në prag të takimit, partia opozitare greke Syriza akuzon qeverinë greke për mburrje hipokrite për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor kur kjo u mundësua nga “Marrëveshja e Prespës”, e cila zgjidhi mosmarrëveshjen dhjetëvjeçare për riemërtimin e “Maqedonisë” në Maqedoni e Veriut.

“Ju kujtojmë se zoti Mitsotakis është i vetmi kryeministër evropian që nga njëra anë i bën thirrje BE-së të vazhdojë integrimin e Maqedonisë së Veriut (dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor) në më pak se dhjetë vjet, ndërkohë që nga ana tjetër ai refuzon të ratifikojë tre marrëveshjet teknike me shtetin fqinj. Ai është kryeministri që nga njëra anë nuk e ftoi kryeministrin e Shqipërisë për çështjen Belleri, por nga ana tjetër, disa muaj më parë, me të zhvilloi festa në fshatrat minoritare në Shqipëri, duke shkëmbyer komplimente parazgjedhore”, tha Syriza.

A i përmbushi qëllimet “Deklarata e Selanikut”?

Rasti i takimit të sotëm është përkujtimi i 20-vjetorit të “Deklaratës në Selanik” të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili në thelb synonte të hapte rrugën për integrimin e shumë vendeve të zonës në BE.

Simonida Katsarska nga Instituti për Politikë Evropiane beson se një nga sukseset më të mëdha të kësaj Deklarate është anëtarësimi i Kroacisë në BE dhe vënia e Ballkanit Perëndimor në një rrugë të caktuar.

“Sigurisht, në vitin 2003, në atë BE dhe atë eurooptimizëm, pritshmëritë ishin të ndryshme, se rajoni do të ecë më shpejt. Kontribuoi në integrimin ekonomik të rajonit dhe në procesin e liberalizimit të vizave, por nuk siguroi themelet e procesit të zgjerimit drejt rajonit, i cili është ende objekt debati se në çfarë forme do të zhvillohet”, thotë ajo.

Por edhe pas dy dekadash më vonë, nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kroacia u bë anëtare e Unionit. Serbia dhe Mali i Zi janë ende duke zhvilluar negociata, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin një Konferencë të dytë Ndërqeveritare për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit falë kritereve të ulura për Ukrainën, ndërsa Kosova paraqiti një aplikim, i cili është në hijen e krizës në veri të Kosovës.

Sipas Dimitar Nikolovskit nga organizata think-tank “Eurothink”, qëllimi i “Deklaratës së Selanikut” për integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është përmbushur, andaj mund të thuhet se solli përparim të kufizuar.

Departamenti i Shtetit inkurajon Shkupin dhe Sofjen që të vazhdojnë dialogun
Pjesë e postulateve të Deklaratës ishte përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe krijimi i instrumenteve si CARSD dhe IPA që shërbejnë për mbështetjen financiare të vendeve për zbatimin e reformave themelore.

“Asnjë nga shtetet nuk arriti të përdorë maksimumin. Mund të shohim se Mali i Zi po përparon mjaft mirë dhe Serbia, e cila ishte në krye, është e ngecur, duke qenë se ka një qeverisje autoritare, ne ende po përballemi me probleme që prekin shtetësinë themelore të vendit, me rrezikun e të qenit të vendosur në grupin e vendeve më problematike si BeH dhe KosovË. Liberalizimi i vizave nuk është përfitimi i vetëm, por është përfitimi i vetëm i drejtpërdrejtë dhe më i prekshëm”, thotë Nikollovski.

Deklarata parashikonte se procesi i stabilizim-asociimit do të ishte e vetmja rrugë drejt anëtarësimit, por në dy dekadat e fundit kjo ka ndryshuar edhe me metodologjinë e re, e cila parashikonte edhe negociata të ndryshme aksesi për vendet kandidate për anëtarësim. Pas zgjerimit të fundit, BE kaloi shumë ndryshime dhe kriza, nga kriza e refugjatëve në krizën ekonomike, kriza e Covid-it dhe konflikti në Ukrainë.

“Deklarata e Selanikut”, e cila u miratua 20 vjet më parë, duhej të ishte motivuar nga një agjendë më thelbësore e BE-së për reformat në vendet e rajonit, gjë që – sipas ekspertëve – nuk ndodhi. Por, shtojnë ato, nuk mund ta zvogëlojmë rëndësinë e saj pasi “Deklarata” shënoi hapjen e perspektivës së anëtarësimit.

Që nga viti 2003, pas miratimit të kësaj Deklarate, BE-ja ka zgjeruar familjen e saj me Qipron, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maltën, Poloninë, Sllovakinë, Slloveninë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë.

Të fundit