E shtunë, 12 Tetor, 2024

FLAMURI I “SHQIPËRISË SË MADHE” SI GOGOL MEDIATIK

Shumë media, duke dashur të minimizojnë dhe “dënojnë” vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shkup dhe Tetovë gjetën pretekst përdorimin e flamurit të “Shqipërisë së madhe”. Kërkojnë përgjegjësi, alarmojnë se shqiptarët nuk kanë hequr dorë nga strategjia e bashkimit kombëtar dhe tentojnë të nxisin frikë tek popullata maqedonase nga ky “projekt”. Këto narrative nxisin stereotipat etnikë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, krejtësisht në kundërshtim me misionin e medias

Shkruan: ARTA TAHIRI

Në tubime politike dhe jopolitike, por që janë me karakter më të gjerë, në Ballkan valojnë flamuj që promovojnë ide të mëdha, bashkime kombëtare, Botë serbe, shqiptare ose ndonjë botë tjetër, që kufijtë e saj i shtrin vetëm në gjeografinë etnike, që ballkanasit e quajnë kombëtare/nacionale.

Kjo ndodh edhe në stadiume, në të cilat në vend që të ballafaqohen aftësitë dhe shkathtësitë sportive, shpesh ballafaqohen “muskujt” etnikë, ndërsa nuk janë të rralla rastet kur shndërrohen në arena në të cilat bëhen thirrje raciste ose etnocentrike.

Flamuri që u valua të premten, më 11 gusht, gjatë vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Tetovë, e që njihet me emrin “Autochthonous”, në media u tha se është i “Shqipërisë së madhe”. Po ky flamur më 14 tetor të vitit 2014 në Beograd ishte shkas i ndërprerjes së ndeshjes së futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë. Në fushë, në momentin kur u shfaq flamuri, lojtarët harruan futbollin dhe filluan të “luftojnë” për të.

Shfaqja e flamurit me porosi të njëjtë nga një person i pranishëm në publikun e tubimit gjatë vizitës së Kurtit në Tetovë, i cili në hartë përfshin territore të Maqedonisë së Veriut, Luginën e Preshevës, Malit të Zi, Greqisë, pra territoret ballkanike të banuara me shqiptarë, ka rinxitur etnonacionalizmin. Si futbollistët, që përnjëherë ishin më shumë shqiptarë apo serbë se sa sportistë, edhe gazetarët e disa mediave, u bënë më shumë maqedonas ose shqiptarë.

Kjo në Ballkan nuk është gjë e re, nuk është se nuk ndodh, por në vitin 2023 rishfaqja në ekrane (televizive dhe celulare) e fobisë nga një flamur, qoftë ai edhe etnokolosal, na i kujton vitet 90-ta, kur njerëzit dënoheshin vetëm pse përmendnin “Kosova Republikë” dhe kur flitej shumë në libra shkollorë dhe universitarë dhe sidomos në media për nacionalizmin, separatizmin ose irredentizmin shqiptar, vetëm pse artikuloheshin kërkesa për më shumë të drejta kolektive.

Mediat e viteve 90-ta shpesh kanë shërbyer për nxitjen e etnonacionalizmit te të gjithë popujt në ish – Jugosllavi. Madje, ndoshta si metaforë, por që i përshtatet shumë realitetit objektiv, thuhet se luftërat në ish – Jugosllavi nuk filluan në beteja dhe mes ushtarëve, por në orën 19.30, që ka qenë koha standarde e transmetimit të lajmeve në të gjitha televizionet e tetë qendrave kryesore televizive në shtetin e mëparshëm jugosllav.

Për ne që i kemi jetuar këto kohëra turbulente dhe konfliktuoze, na duket trishtuese rishfaqja e diskursit dhe imazheve mediatike, të cilat shpien drejt përforcimit të etnocentrizmit dhe stereotipave etnikë, pasi ato i rithellojnë  ndarjet e vjetra dhe e bëjnë edhe më të madh hendekun mes popujve.

Titujt e shumtë gazetaresk, së bashku me deklaratat e shumta partiake, një konsensus i gjerë mediatiko – etnik i manifestuar në rrjetet sociale kundër përdorimit të flamurit “shqiptaromadh”, kanë qëllime politike, më saktësisht janë pjesë e agjendave partiake.

Mbështetësit mediatik të LSDM-së dhe pushtetit, përmes alarmimit të këtij gjesti, dëshirojnë të tregojnë se organizatorët kanë synime etnomegalomane, dhe se, në fakt, partitë Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit dhe BESA e Bilall Kasamit, që drejtojnë Çairin përkatësisht Tetovën, potencialisht janë partnerë koalicioni me VMRO – DPMNE-në pas zgjedhjeve parlamentare. Mediat pro pushtetit si në kor pyesin: Pse kosovarizohet opozita shqiptare apo pse opozita shqiptare dëshiron ta kosovarizojë Maqedoninë e Veriut?

Ndërsa mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, me propagandën e tyre dëshirojnë ta bindin publikun maqedonas, se pushteti dhe Ministria e Brendshme nuk kanë fuqi për të ndërmarrë hapa kundër përdoruesve të flamurit dhe ndaj organizatorëve, siç është vepruar në ndonjë rast tjetër, kur është përdorur flamuri i vjetër i diellit të Verginës apo Kutleshit.

Duket paradoksale, që tri dekada pas fillimit të pluralizmit, mediat ndërtojnë narrative mbi “Shqipërinë e madhe” bazuar tek valëvitja e një flamuri nga një person i pranishëm në publikun e një tubimi. Qëllimi i një pjese të madhe të mediave është paksa absurd, por edhe destruktiv: nxitja e frikës imagjinare tek maqedonasit nga shqiptarët. Kjo më shumë u ngjan përrallave për fëmijë, që nxisin frikë nga gogoli – “Shqipëria e madhe”, që për fat të keq shpesh rishfaqet në media!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit