E premte, 21 Mars, 2025

LAKORJA E JETËS

Pse, pas moshës së mesme, njerëzit bëhen më të lumtur ndërsa po plaken. “Të jesh një shërbëtore e vjetër”, thotë një nga personazhet në një tregim të Edna Ferber, një romanciere (e pamartuar) amerikane, ishte “si vdekja nga përmbytja në ujë – një ndjesi vërtet e këndshme kur pushoni së luftuari”. Ndoshta pranimi i vetë plakjes është një burim lehtësimi. Uilliam Xhejms, një filozof amerikan observoi: “Sa e këndshme është dita, kur heqim dorë nga përpjekjet për të qenë të rinj ose atraktiv.”

Pyetni njerëzit se si ndihen kur bëhen më të moshuar, dhe ata me gjasë do të përgjigjen në të njëjtën mënyrë si Maurice Chevalier: “Mosha e vjetër nuk është aq e keqe kur e ke parasysh alternativën.” Ngurtësimi i kyçeve, dobësimi i muskujve, shikimi i zbehur dhe mjegullimi i kujtesës, së bashku me përbuzjen e pakujdesshme të botës moderne për të vjetrën, duken një perspektivë e frikshme – ndoshta më mirë se vdekja, por jo aq shumë. Megjithatë, njerëzimi bën gabim që ka frikë nga plakja. Jeta nuk është një rënie e gjatë e ngadaltë nga malet e ndriçuara nga dielli drejt luginës së vdekjes. Përkundrazi është një “Lakore” (U- Bend).

Kur njerëzit fillojnë jetën e të rriturve, ata janë mesatarisht mjaft të gëzuar. Gjërat shkojnë tatëpjetë nga mosha e re në moshën e mesme derisa arrijnë një nadir të njohur zakonisht si kriza e moshës së mesme. Deri më këtu, gjithçka është e njohur. Pjesa befasuese ndodh pas kësaj. Përderisa njerëzit shkojnë drejt pleqërisë, ata humbasin gjërat që i çmojnë – vitalitetin, mprehtësinë mendore dhe pamjen – ata gjithashtu fitojnë atë që njerëzit kalojnë jetën duke ndjekur: lumturinë.

Ky zbulim kurioz ka dalë nga një degë e re e ekonomisë që kërkon një masë më të kënaqshme sesa paratë e mirëqenies njerëzore. Ekonomia konvencionale përdor paratë si një përafrim për dobinë – mënyra e zymtë në të cilën disiplina flet për lumturinë. Por disa ekonomistë, të pakënaqur se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis parasë dhe mirëqenies, kanë vendosur të shkojnë në thelb të çështjes dhe të masin vetë-lumturinë.

Këto ide kanë depërtuar në arenën e politikave, duke filluar në Butan, ku koncepti i Lumturisë Kombëtare Bruto formëson procesin e planifikimit. Të gjitha politikat e reja duhet të kenë një vlerësim të GNH, ngjashëm me vlerësimin e ndikimit mjedisor të zakonshëm në vendet e tjera. Në vitin 2008, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, u kërkoi dy ekonomistëve fitues të çmimit Nobel, Amartya Sen dhe Joseph Stiglitz, të krijonin një masë më të gjerë të kënaqësisë kombëtare sesa GDP-ja. Më pas muajin e kaluar, në një gjest prekës, jo tipik për Britaninë, David Cameron njoftoi se qeveria britanike do të fillonte të mblidhte shifra mbi mirëqenien.

Tashmë ka shumë të dhëna mbi këtë temë të mbledhura nga Anketa e Përgjithshme Sociale e Amerikës, Eurobarometri dhe Gallup. Sondazhet bëjnë dy lloje kryesore pyetjesh. Njëra ka të bëjë me vlerësimin e njerëzve për jetën e tyre dhe tjetra se si ndihen ata në një moment të caktuar. Pyetja e parë tingëllon kështu: duke menduar për jetën tuaj në tërësi, si ndiheni? Ndërsa pyetja e dytë diçka si: dje, u ndjetë i lumtur/i kënaqur/i zemëruar/apo i shqetësuar? Lloji i parë i pyetjes thuhet se mat mirëqenien globale, dhe e dyta mirëqenien hedoniste ose emocionale. Ata nuk nxisin gjithmonë të njëjtën përgjigje: të pasurit fëmijë, për shembull, priret t’i bëjë njerëzit të ndihen më mirë për jetën e tyre në tërësi, por gjithashtu rrit mundësinë që ata të ndihen të zemëruar ose të shqetësuar ditën e djeshme.

Statisticienët përshkojnë sasitë e mëdha të të dhënave që këto sondazhe prodhojnë më tepër si minatorët që kërkojnë ar. Ata po përpiqen të gjejnë përgjigjen e pyetjes shumëvjeçare: çfarë i bën njerëzit të lumtur?

Siç shihet përgjigjja  bazohet në katër faktorë kryesorë: gjinia, personaliteti, rrethanat e jashtme dhe mosha. Gratë, në përgjithësi, janë pak më të lumtura se burrat. Por ato janë gjithashtu më të prekshme ndaj depresionit: një e pesta deri në një të katërtën e grave përjetojnë depresionin në një moment të jetës së tyre, krahasuar me rreth një të dhjetën tek burrat. Kjo sugjeron se gratë kanë më shumë gjasa të përjetojnë emocione më ekstreme, ose se një numër i grave janë më të palumtura se burrat, ndërsa shumica janë më të gëzuara.

Dy tipare të personalitetit shkëlqejnë përmes kompleksitetit të analizave të regresionit të ekonomistëve: neurotizmi dhe ekstroversioni. Njerëzit neurotikë – ata që janë të prirur ndaj fajit, zemërimit dhe ankthit – priren të jenë të pakënaqur. Ky është më shumë se një vëzhgim tautologjik për gjendjen shpirtërore të njerëzve kur pyeten për ndjenjat e tyre nga anketuesit ose ekonomistët. Studimet që ndjekin njerëz gjatë shumë viteve kanë treguar se neurotizmi është një tipar i qëndrueshëm i personalitetit dhe një parashikues i mirë i nivelit të lumturisë. Njerëzit neurotikë nuk janë vetëm të prirur ndaj ndjenjave negative: ata gjithashtu priren të kenë inteligjencë të ulët emocionale, gjë që i bën ata të dobët në formimin ose menaxhimin e marrëdhënieve, dhe kjo nga ana tjetër i bën ata të pakënaqur.

Ndërsa neurotizmi tenton të krijojë lloje të zymta, ekstroversioni bën të kundërtën. Ata që pëlqejnë të punojnë në ekip dhe që u pëlqejnë festat priren të jenë më të lumtur se ata që mbyllin dyert e zyrës së tyre gjatë ditës dhe shkojnë në shtëpi në mbrëmje. Kjo veçori e personalitetit mund të ndihmojë në shpjegimin e disa dallimeve ndërkulturore: një studim që krahasoi grupe të ngjashme të britanikëve, kinezëve dhe japonezëve zbuloi se britanikët ishin mesatarisht më ekstrovertë dhe poashtu edhe më të lumtur se kinezët dhe japonezët.

Pastaj vjen roli i rrethanës. Të gjitha llojet e gjërave në jetën e njerëzve, të tilla si marrëdhëniet, arsimi, të ardhurat dhe shëndeti, formojnë mënyrën se si ata ndihen. Të qenit i martuar u jep njerëzve një ngritje të konsiderueshme, por jo aq të madhe sa mërzia që buron nga të qenit i papunë. Më parë, në Amerikë, të qenit me ngjyrë lidhej me nivele më të ulëta lumturie – megjithëse shifrat më të fundit sugjerojnë se të qenit me ngjyrë ose hispanik në ditët e sotme asociohet me lumturi më të madhe. Njerëzit me fëmijë në shtëpi janë më pak të lumtur se ata që nuk kanë. Njerëzit më të arsimuar janë më të lumtur, por ky efekt zhduket sapo të ardhurat të kontrollohen. Edukimi, me fjalë të tjera, duket se i bën njerëzit të lumtur sepse i bën ata më të pasur. Dhe njerëzit më të pasur janë më të lumtur se të varfërit.

Pamja nga dimri

Së fundi, ekziston edhe mosha. Pyetni një grup 30 vjeçarësh dhe një grup tjetër 70 vjeçarësh (siç bëri Peter Ubel, i Shkollës së Politikave Publike Sanford në Universitetin Duke, me dy kolegë, Heather Lacey dhe Dylan Smith, në 2006) se cili grup ata mendojnë se ka të ngjarë të jetë më i lumtur, dhe të dyja grupe drejtojnë gishtin tek 30-vjeçarët. Ndërsa kërkojuni atyre të vlerësojnë mirëqenien e tyre, dhe 70-vjeçarët janë grupi më i lumtur. Akademikët cituan tekstet e shkruara nga Pete Townshend i The Who kur ishte 20 vjeç: “Gjërat që ata bëjnë duken tmerrësisht të ftohta / Shpresoj të vdes para se të plakem”. Ata theksuan se zoti Townshend, pasi kishte mbushur 60-vjetorin e lindjes, po shkruante një blog që shkëlqente me humor të mirë.

Z. Townshend mund ta ketë menduar veten si një radikal rinor, por kjo pikëpamje është e lashtë dhe konvencionale. “Shtatë epokat e njeriut” – imazhi dominues i rrjedhës së jetës në shekujt e 16-të dhe 17-të – u konceptua pothuajse pa ndryshim si një rritje në shtat dhe kënaqësi në moshën e mesme, e ndjekur nga një rënie e mprehtë drejt varrit. Përmbysja e rritjes dhe rënies është një ide e kohëve të fundit. Andrew Oswald, profesor  i ekonomisë në Warick Business Shcool thotë se: “Disa prej nesh vunë re “U-Bendin” në vitet 90-ta. Ne organizuam një konferencë për këtë, por askush nuk erdhi.”

Që atëherë, interesi për “lakoren”  (U-bendin) ka qenë në rritje. Efekti i saj në lumturi është i rëndësishëm— më shumë se gjysma, nga kulmi i moshës së mesme deri te kulmi i të moshuarve, sa ai i papunësisë që shfaqet në të gjithë botën. David Blanchflower, profesor i ekonomisë në Kolegjin Dartmouth, dhe z. Oswald shikuan shifrat në 72 vende. Nadiri ndryshon midis vendeve – ukrainasit, në krye të diapazonit, janë në gjendjen e tyre më të mjerueshme në moshën 62 vjeçare , ndërsa zviceranët, në fund, në moshën 35 vjeçare – por në shumicën dërrmuese të vendeve njerëzit janë më të pakënaqur në të 40-tat dhe në të 50-tat e hershme. Mesatarja globale është 46.

“U-Bendi” shfaqet në studime dhe jo vetëm në ato të mirëqenies globale, por edhe të mirëqenies hedonike ose emocionale. Një punim, i botuar këtë vit nga Arthur Stone, Joseph Schwartz dhe Joan Broderick nga Universiteti Stony Brook së bashku me Angus Deaton nga Princeton, e zbërthen mirëqenien në ndjenja pozitive dhe negative dhe shikon se si përvoja e këtyre emocioneve ndryshon gjatë jetës. Kënaqësia dhe lumturia bien në moshën e mesme, mëpas rriten; stresi rritet gjatë fillimit të 20-tave, pastaj bie ndjeshëm; shqetësimi arrin kulmin në moshën e mesme dhe më pas bie ndjeshëm; zemërimi bie përgjatë gjithë jetës; ndërsa trishtimi rritet pak në moshën e mesme dhe më pas bie.

Kthejeni pyetjen nga ana e kundërt dhe modeli ende shfaqet. Kur Anketa Britanike e Forcave të Punës i pyet njerëzit nëse janë në depresion, “lakorja” bëhet një hark, duke arritur kulmin në moshën 46 vjeçare.

Vdekja e ambicies, lindja e pranimit

Ka shpjegime të tjera të mundshme. Ndoshta pamja e bashkëkohësve që përmbysen i ngjall të mbijetuarit me një vendosmëri për të shfrytëzuar sa më shumë vitet e tyre të mbetura. Ndoshta njerëzit pranojnë pikat e tyre të forta dhe të dobëta, heqin dorë nga shpresa për t’u bërë shef ekzekutiv dhe mësojnë të jenë të kënaqur si ndihmës menaxherë të degës, me bojëra uji të ekspozuar në festën e kishës. “Të jesh një shërbëtore e vjetër”, thotë një nga personazhet në një tregim të Edna Ferber, një romanciere (e pamartuar) amerikane, ishte “si vdekja nga përmbytja në ujë – një ndjesi vërtet e këndshme kur pushoni së luftuari”. Ndoshta pranimi i vetë plakjes është një burim lehtësimi. Uilliam Xhejms, një filozof amerikan observoi: “Sa e këndshme është dita, kur heqim dorë nga përpjekjet për të qenë të rinj ose atraktiv.”

Cilat do qofshin shkaqet e” lakores”, ajo ka pasoja përtej emocioneve. Lumturia nuk i bën njerëzit vetëm të lumtur, por gjithashtu i bën ata më të shëndetshëm. John Weinman, profesor i psikiatrisë në King’s College në Londër, monitoroi nivelet e stresit të një grupi vullnetarësh dhe më pas u shkaktoi atyre plagë të vogla. Plagët e atyre që ishin më pak të stresuar u shëruan dy herë më shpejt se ato të atyre që ishin më të stresuar. Në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh, Sheldon Cohen infektoi njerëzit me viruse të ftohjes dhe gripit. Ai zbuloi se tipat më të lumtur kishin më pak gjasa të kapnin virusin dhe shfaqnin më pak simptoma të sëmundjes kur kishin virusin. Pra, megjithëse të moshuarit priren të jenë më pak të shëndetshëm se të rinjtë, gëzimi i tyre mund të ndihmojë në kundërshtimin e thyeshmërisë së tyre.

Njerëzit më të lumtur janë gjithashtu edhe më produktivë. Z. Oswald dhe dy kolegët, Eugenio Proto dhe Daniel Sgroi, i disponuan pozitivisht një grup vullnetarësh duke u treguar atyre një film qesharak, më pas u bënë teste mendore dhe krahasuan performancën e tyre me grupet që kishin parë një film neutral, ose nuk kishin parë fare film. Ata që e kishin parë filmin qesharak performonin 12% më mirë. Kjo çon në dy përfundime. Së pari, nëse do të dilni vullnetar për ndonjë studim, zgjidhni eksperimentin e ekonomistëve dhe jo atë të psikologëve apo psikiatërve. Së dyti, lumturia e të moshuarve duhet të ndihmojë në kundërshtimin e humbjes së produktivitetit të tyre nëpërmjet rënies së aftësive njohëse – një pikëzim që ia vlen të mbahet mend përderisa bota po punon rreth asaj se si të sillen me një fuqi punëtore të plakur.

Plakja e botës së pasur normalisht shihet si një barrë për ekonominë dhe një problem që duhet zgjidhur. “Lakorja” argumenton për një pamje më pozitive të çështjes. Sa më e thinjur të bëhet bota, aq më e ndritshme bëhet – një perspektivë që duhet të jetë veçanërisht inkurajuese për lexuesit e “The Economist” (mosha mesatare 47 vjeç).

Marrë nga “The Economist”

Përktheu: Orges Zaimi

Të fundit