Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka kritikuar Perëndimin për shkak se po hesht për atë që ai e ka quajtur “Shqipëri e Madhe”. Sikurse transmeton kdp.mk, ai në një intervistë për Servisin Publik të Serbisë (RTS), ka kritikuar vizitën e funddjavës së kaluar të kryeministrit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, por edhe figurën e Adem Demaçit, me emrin e të cilit është pagëzuar një rrugë në komunën e Çairit.
“Kjo politikë e krijimit të Shqipërisë së Madhe është një proces që ka për të vazhduar. Dhe, Albin Kurti nuk do të ndalet këtu. Pra, kushdo që mendon se ka mënyrë për të ndalur z. Kurti – nuk ekziston për këtë çështje. Ekziston që ai të mos ia dalë që ta realizojë këtë, për shkak se do t’i kundërveheni në një moment, përmes argumentimit politik, seriozitetit, ama edhe me qëndrimin tuaj të prerë. Përndryshe ai nuk do të ndalet. Ai që mendon se do ta bind Albin Kurtin, dikush në Bruksel, që të mos jetë ithtar i Enver Hoxhës dhe Adem Demaçit. Ai njeri para tri ditësh tha ”sa herë që nuk dini ç’të bëni, mendoni se çfarë do të bënte Adem Demaçi dhe atëherë bënie”. A thua njerëzit në Serbi që nuk e dinë Adem Demaçin i cili 28 vjet kaloi në burg, në një sistem relativisht liberal, se kur shkoni për dy vjet gjithmonë kërkonin mënyrë që t’ju lirojnë si të burgosur politik, këtë nuk mundën ta lirojnë për shkak se ishte aq ekstrem, se fjala është për një serbo-urrejtës të atillë dhe një nacionalist të tillë shqiptar, sa që ishte e pamundur të bëhet kjo. Pra, ai do të vazhdojë një politikë të këtillë. Nuk është fjala për një flamur të “Shqipërisë së Madhe”. Më lejoni, fjala është për atë për çka foli Albin Kurti. Fjala është për atë se si ai u paralajmërua. Ata thonë, disa nga ata që e mbrojnë në Beograd, sidomos, – po ti Vuçiq ishe në Prijedor. Po, por u paralajmërova si president i Serbisë, e jo si president i të gjithë serbëve, ose jo si kryeministër i të gjithë shqiptarëve, sikurse (u paralajmërua në Tetovë) Albin Kurti. Dhe unë atje, para se të shkoja, marr dhe e thërras Komshiqin me telefon, e paralajmërohem, them se do të vij, pastaj informoj ambasadën e Serbisë në BeH, ambvasada e Serbisë në BeH të gjitha organeve të BeH u dërgon (njoftim), Republika Serpskës, e të gjithë të tjerëve. Gjithçka sipas procedurës. Gjithçka sipas asaj që do respektuar. Pse Perëndimi po hesht? Arrijmë këtu në çështjen kyçe dhe përse këtu do të na shkaktojnë probleme shtesë dhe përse i pres, për shkak se ajo struktura jonë e problemit me të cilin përballemi është shumë e ndërlikuar. Heshtin, atyre nuk ju intereson rrëfimi për Shqipërinë e Madhe. Kjo për ta është OK, është e keqe, por ata djemtë e këqij janë djemtë tanë! Mirëpo ne duhet të provojmë t’i shkelim këta të tjerët derisa nuk pranojnë atë për çka jemi pajtuar ne – e kjo është Kosova e pavarur dhe duhet të bëjmë fushatë kundër Serbisë,”- ka deklaruar presidenti Vuçiq për Servisin Publik të Serbisë(RTS).
Duke komentuar zhvillimet në Malin e Zi, për çka ka akuza se janë nën ndikimin e Beogradit, ai edhe kësaj radhe ka përmendur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut:
“Ne vazhdimisht na zënë diçka për të madhe edhe për çështjen e Malit të Zi. Në Mal të Zi jetojnë gati 30 për qind serbë, ndoshta edhe më shumë. Ata na kërkojnë të heshtim, por prandaj janë të gatshëm që shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me 24 për qind t’u japin çfarë të duan. Ndërsa serbët në Mal të Zi me 30 për qind nuk mund të marrin asgjë. Dhe ju e shikoni gjithë këtë, qeshni se sa e padrejtë është, por forca nuk i lutet Perëndisë. Ama që t’na e mbyllin gojën, kjo nuk është reale”- citon kdp.mk Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai, ka lënë të kuptohet se Serbia do të përballet me probleme të shumta për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi ky vend filloi një luftë në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.
“Situata në Ukrainë është e atillë saqë është e qartë se në mejdanin e luftës Rusinë nuk mund ta mposhtin lehtë, prandaj presionet mbi Serbinë do të jetë edhe më të forta,”- ka thënë Vuçiq.