E premte, 21 Mars, 2025

NË EVROPËN VERIORE PO SHFAQET NJË KUNDËRVËNIE NDAJ ANGLISHTES

Danimarka, Holanda dhe Norvegjia shpresojnë të rivendosin përparësinë e gjuhëve të tyre në universitete. Disa qytetarë të Holandës dhe vendeve nordike pyesin veten se çfarë hapësire do t’iu lihet gjuhëve të tyre kombëtare nëse universitetet e tyre më prestigjioze gjithnjë e më shumë nuk i përdorin ato. Gjuhëtarët e quajnë “humbje domeni”. Gjuha nuk shuhet, pasi brezat e rinj të fëmijëve vazhdojnë të rriten me të, por folësit e përdorin atë në më pak kontekste akademike.

Marrë nga “The Economist”

Përktheu: Orges Zaimi

Quajeni, siç e quajnë danezët, një “luksusproblem”, apo ndryshe një problem luksi. Shumë qytetarë të Danimarkës, Finlandës, Holandës, Norvegjisë dhe Suedisë flasin rrjedhshëm gjuhën angleze dhe shpesh u bëjnë përshtypje turistëve me zotërimin e gjuhës. Kjo aftësi ka nxitur gjithashtu polemika, pasi që universitetet janë bërë institucione ndërkombëtare ekselente që ofrojnë kurse  mësimi kryesisht – ose tërësisht – në anglisht.

Disa qytetarë të Holandës dhe vendeve nordike pyesin veten se çfarë hapësire do t’i lihet gjuhëve të tyre kombëtare nëse universitetet e tyre më prestigjioze gjithnjë e më shumë nuk i përdorin ato. Gjuhëtarët e quajnë atë “humbje domeni”. Gjuha nuk shuhet, pasi brezat e rinj të fëmijëve vazhdojnë të rriten me të, por folësit e përdorin atë në më pak kontekste akademike.

Në qershor,  ministër i arsimit i Holandës, Robbert Dijkgraaf, njoftoi se të paktën dy të tretat e mësimdhënies në programet universitare do të duhej të ishin në holandisht. Drejtuesit e universitetit e morën për të keq. Kreu i Universitetit të Teknologjisë në Eindhoven ka thënë se “për një numër kursesh nuk mund të gjejmë as profesorë që mund të flasin holandisht”, duke përmendur si shembull inteligjencën artificiale. (Qeveria holandeze ra më pas, duke e lënë politikën në harresë.)

Shqetësimi është se një gjuhë si holandishtja, nëse neglizhohet në kontekste akademike,  do t’i mungojë përfundimisht fjalori i nevojshëm për temat më të fundit. Njerëzit që diskutojnë tema të tilla do të duhet t’i përshkruajnë fjalët e tyre holandishte me fjalë angleze – derisa, domethënë, të folurit në këtë mënyrë të bëhet aq rëndë sa të kalojnë tërësisht në anglisht. Kjo rrezikon të lërë përshtypjen se holandishtja është disi e pavlerë, duke ushqyer një rreth vicioz.

Shqetësimet rreth gjuhës janë përforcuar nga problemet ekonomike. Universitetet evropiane financohen kryesisht ose tërësisht nga shteti. Në disa vende, studentët e huaj ushtrojnë presion mbi burimet e pakta si strehimi. (Rreth 120,000 jetojnë në Holandë, një nga vendet me popullsi më të dendur në Evropë.) Në vende të tjera, si Danimarka, atyre mund t’u jepet edhe grante në para për shpenzimet e jetesës. Nëse studentët i përfundojnë programet e tyre pa mësuar ndonjëherë gjuhën vendase, ata mund të largohen nga vendi në vend që të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në ekonomi. Pse duhet që vendet të subvencionojnë diploma të tilla?

Përgjigja qëndron pjesërisht në përpjekjen e nevojshme për të tërhequr mësues dhe studentë të mëdhenj – dhe mund të jetë një pasojë e paqëllimshme e kësaj përpjekjeje. Michele Gazzola nga Universiteti Ulster në Belfast vëren se renditjet globale të universiteteve, si ajo e kryer nga Times Higher Education, shikojnë numrin e studentëve dhe mësuesve ndërkombëtarë si pjesë e vlerësimit të tyre. Kjo i shtyn universitetet të përpiqen t’i joshin ata në mënyrë që të ngrihen në renditje dhe, për rrjedhojë, të ofrojnë gjithnjë e më shumë kurse në anglisht.

Ashtu si në Holandë, edhe në Danimarkë pati polemika. Në vitin 2021, në një përpjekje për të rritur gjuhën daneze në universitet, qeveria kufizoi numrin e kurseve që mësohet vetëm në anglisht. Këtë vit, duket se ka ndryshuar përsëri stil, duke zgjeruar numrin e vendeve në programet e masterit në gjuhën angleze. Janus Mortensen nga Universiteti i Kopenhagës thotë se politika e fundit gjuhësore e atij institucioni që u aplikua në fakultetin e mësimdhënies do të “pritet” të “kontribuojë” në mësimdhënien në gjuhën daneze brenda gjashtë viteve. Universiteti duhet t’i vërë në dispozicion kohën dhe orët mësimore— trupi pedagogjik nuk pritet të mësojë gjuhën në kohën e tyre të lirë—por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me ata që nuk arrijnë të përmbushin afatin.

Universiteti i Oslos përshkruan në mënyrë të ngjashme “gjuhësinë paralele”. Gjuha norvegjeze do të jetë gjuha kryesore e mësimit, dhe anglishte do të përdoret “kur është e përshtatshme ose e nevojshme”; të gjithë studentëve dhe fakultetit duhet t’u ofrohen klasa për të mësuar norvegjisht; botimet duhet të kenë abstrakte në të dyja gjuhët; universiteti duhet t’i japë përparësi zhvillimit të terminologjisë teknike në gjuhën norvegjeze, e kështu me radhë. Është lloji i politikës që mund të prisni nga skandinavët e pasur dhe të ndjeshëm. Kjo është gjithashtu potencialisht dyfishuese, e shtrenjtë dhe e paqartë. Kush, për shembull, do të vendosë se kur anglishtja është “e përshtatshme”?

Në të kaluarën, kundërvajtjet kundër anglishtes ndodhnin kryesisht në Francë, gjë që e kundërshtoi epërsinë anglofone (dhe dominimin e zbehur të francezëve). Ishte një çështje e drejtpërdrejtë e gjuhëve në konkurrencë. Tani disa nga vendet më liberale dhe poliglote në botë kanë filluar të shqetësohen për dominimin e anglishtes. Kjo është pasojë e suksesit të tyre. Nëse të gjithë banorët mund të kalojnë midis gjuhëve të ndryshme, natyra gjithçka-ose-asgjë e konkurrencës zvogëlohet, por nuk eliminohet. Evropianët veriorë po mësojnë se edhe gjuhët e tyre kanë nevojë për mirëmbajtje.

Të fundit