Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, kanë qenë cak i reagimeve pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë dhe Shkup. Shkak është bërë anashkalimi i institucioneve përkatëse, ndryshimi i emrit të rrugës nga “Brigada e Dytë Maqedonase” në “Adem Demaçi”, mënyra e organizimit të pritjes nga komunat përkatëse dhe ikonografia që shënoi këtë vizitë, përcjell KDP.MK
Lidhur me këto shkaqe, krerët e dy komunave, thonë se gjithçka rreth organizimit ka qenë ligjore.
Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se reagimi i presidentit Stevo Pendarovski ka qenë i shpejtuar dhe si presidenti nuk ka qenë i informuar drejt nga këshilltarët e tij. Pendarovski dy ditë më parë kërkoi që organet të shikojnë ligjshmërinë e procedurave për riemërimin e rrugës me emrin “Adem Demaçi”.
“Ajo procedurë ka kaluar edhe në këshill komunal tek ne, te Komuna e Çairit, gjithashtu edhe te këshilli i Qytetit të Shkupit në kohën e z. Petre Shilegov dhe këtë ne e kemi promovuar disa herë me vite. A e kane votuar këshilltarët e LSDM-së? E kanë votuar të gjithë, e kanë votuar dhe këtë ua them me plot përgjegjësi. Por më duket se kabinetit qeveritar nuk i ka pëlqyer që z. Kurti nuk i ka takuar të tjerët. Unë nuk përzihem në agjendën e Kurtit. Ne kemi bërë ftesë direkte, siç ja kemi bërë Vjosa Osmanit, ja kemi bërë edhe z.Kurtit”, deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Presidenti, kabineti i kryeministrit Kovaçevski, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE, si dhe aktorë të tjerë reaguan për ikonografinë e përdorur, intonimin e himnit shqiptar dhe simboleve të tjera edhe gjatë vizitës së Kurtit dhe koncertit në Tetovë, duke thënë se ka pasur nxitje të jotolerancës etnike.
“E kuptojmë qeverinë por edhe presidentin por edhe gjithë ata të cilët reaguan edhe në Maqedoni por edhe ata nga Beogradi për shqetësimin që e kanë se pse për herë të parë në sheshin e Tetovës pas një kohe të gjatë tubohet një masë e madhe e njerëzve dhe ata njerëz aty ishin edhe për të pritur kryeministrin e një vendi mik për Maqedoninë e Veriut, një vendi të dytë me shumicë shqiptare. Më shumë të shqetësuar ishin edhe për atë se në shesh ishin edhe liderët e opozitës së bashkuar shqiptare e cila tani më po konsolidohet dhe po i numëron ditët e fundit të kësaj qeverie”, është shprehur Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Ganiu dhe Kasami thonë se nuk ndjejnë përgjegjësi për nxitje dhe janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi në rast se vërtetohen shkelje eventuale.
“Le të tregojnë se ku ka nxitje armiqësore në Çair nga ne që jemi organizator. Ju e dini, ekrani led, e dini dhe bina si ka qenë e rregulluar, e dini fjalimet që janë mbajtur, ka qenë e hapur për të gjithë banorët dhe nuk ka pasur ndonjë moment që mund të themi se ka pasur nxitje”, u shpreh Visar Ganiu, kryetar I Komunës së Çairit.
“I kanë institucionet e sigurisë në kontroll, kanë policinë, kanë hetuesinë, të gjitha nga sot le të nisin procedurat e hetimit për atë që e ka përgjegjësi Komuna e Tetovës për organizimin në fjalë dhe ne jemi këtu që të japim llogari. Ne vlerësojmë se i gjithë organizimi ka qenë në kuadër të ligjit por ajo që ka qenë jashtë parashikimeve të tyre ka qenë masa e madhe e njerëzve që dolën në shesh”, ka thënë Kasami
Reagime të ashpra ka pasur edhe nga gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë maqedonas, të cilët akuzohen se kanë lejuar Kurtin të shëtitet si “Napoleon Bonaparta gjatë pushtimit të Evropës”.