E premte, 21 Mars, 2025

KOSOVA DHE MAQEDONIA E VERIUT NUK I KANË PËRMBUSHUR ZOTIMET PËR RRUGËN PRIZREN-TETOVË

Ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë nuk pritet të fillojë para një viti. Kjo meqë dy qeveritë, e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë finalizuar ende marrëveshjen financiare për rrugën Prizren-Tetovë. Por nga të dyja palët kanë thënë se janë afër finalizimit dhe pas kësaj pritet hartimi i projektit.

As pas dy vjetësh Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë arritur që të finalizojnë marrëveshjen financiare për rrugën Prizren-Tetovë. Marrëveshja mes dy qeverive për këtë rrugë ishte nënshkruar në shtator të 2021-tës, por që, përveç një studimi fizibiliteti, nuk është hartuar ende projekti, e aq më pak fillimi i punimeve në të. Çështja e rrugës u riaktualizua pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Tetovë, e realizuar të premten.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se janë afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, tashmë është zgjedhur varianti me tunelin 6.4 kilometra.

“Aktualisht jemi në finalizim të marrëveshjes financiare dhe përgatitjes së termave të referencës për hartimin e projektit kryesor. Gjatë javës kam pasur një takim me zëvendësministrin e Transportit atje, Bekim Rexhepi. Ne jemi dakorduar për parimet themelore të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor të tunelit në rrugën Prizren-Tetovë”, ka thënë Durmishi.

Punimet në këtë rrugë nuk pritet të fillojnë para vitit të ardhshëm. Kështu të paktën ka deklaruar për mediat maqedonase zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

“Projekti në fjalë ishte propozim yni dhe iu prezantua Qeverisë së Kosovës, me ç’rast u pranua nga ata dhe u firmos marrëveshja. Komisionet e kanë përcaktuar gjurmën e rrugës dhe janë dakorduar mbi tunelin ndërlidhës. Tash jemi në fazën e shpalljes për projektim, fazë që zgjat mbi një vjet”, ka thënë ai.

E kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Tetovë, pa treguar se kush është shkaktar i vonesave në realizimin e kësaj rruge, ka thënë se ato janë të paarsyeshme.

“Nuk është kosto e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm. Andaj vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme e unë po kërkoj ndihmën e të gjithë juve dhe secilit prej ju që jeni këtu e që po na ndjekin, tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që të mos humbet asnjë ditë pa punuar për këtë aks rrugor që lidh Prizrenin dhe Tetovën”, ka theksuar Kurti. Kjo, sipas të dyja palëve, do të shërbejë për turizmin malor mes dy vendeve.

Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta.

Në buxhetin për 2023 nga të dyja shtetet janë ndarë nga 2 milionë euro. Realizimi i tërësishëm i tij parashihet të kushtojë mbi 150 milionë euro. E në Kosovë ky projekt kishte nxitur reagime në publik, duke u parë si konkurrent i rrugës Prishtinë-Pejë.

Por, ministri Liburn Aliu kishte thënë se rruga për Pejë nuk ndalet.

“Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh. Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori”, pati thënë në atë kohë Aliu.

Sipas Qeverisë, kjo rrugë përveçqë lidh Prizrenin dhe Tetovën, do të lidhë edhe Shkupin e Durrësin përmes Librazhdit dhe Rrugës së Kombit nga Prishtina në Tiranë.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore të Maqedonisë, Ejup Rrustemi, kohë më parë pati thënë se janë në fazën e zgjedhjes së projektuesit për ndërtimin e tunelit 6.4 kilometra. Ai ka thënë se në momentin që do të nënshkruhet marrëveshja, do të fillojnë edhe procedurat për zgjedhjen e projektuesit të rrugës Tetovë-Prizren.

Në mars të këtij viti, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka deklaruar se rruga Tetovë-Prizren nuk ka mundësi të realizohet shpejt, gjegjësisht në tre vjetët e ardhshëm.

Deklarata e Grubit e hedh poshtë premtimin e kryeministrit Kurti, i cili bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka (i cili nuk i fitoi zgjedhjet) më 13 nëntor të vitit 2021 gjatë fushatës parazgjedhore e publikuan një video në të cilën e kanë prezantuar projektin për rrugën Prizren – Tetovë, ndërkaq kanë premtuar që brenda 2-3 vjetësh do të mbarojë tërësisht.

Grubi, në lidhje me projektuesin, ka thënë se Maqedonia e Veriut e ka marrë përsipër ta bëjë projektimin dhe është çështje javësh se kur do të shpallet tenderi për zgjedhjen e projektuesit, ndërkaq më pas duhet të gjenden mjete për realizimin e saj.

Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët, të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometrash. /Koha.net

Të fundit