Të enjten policia në Mal të Zi ka gjetur dhe konfiskuar një revole dhe municion nga një person i cili të mërkurën përmes rrjeteve sociale kishte kërcënuar me vdekje redaksinë e radios dhe të portalit Antena M, por siç thuhet në njoftimin e policisë, “në pjesën e kërcënimeve, prokurori i shtetit ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale për të cilën ndërmerret ndjekja sipas detyrës zyrtare”, – përcjell kdp.mk njoftimin e seksionit serb të Zërit të Amerikës.
Kryeredaktori përgjegjës i Antena M, Darko Shukoviq, ka deklaruar se “është i shokuar nga vendimi i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Nikshiq se në kërcënimin për likuidim nuk ka vepër penale”.
“Kjo lloj sjelljeje e Prokurorisë Themelore të Shtetit vetëm mund të inkurajojë njerëzit e dhunshëm dhe t’ua bëjë më të lehtë kalimin nga kërcënimet në veprime konkrete,” – tha Shukoviq për Zërin e Amerikës.
Kërcënimet ndaj “Antena M” janë dërguar në një koment në faqen e kësaj medie në Facebook, ku një nga komentuesit me emrin Gjorgjije Tadiq ka bërë thirrje për likuidimin e redaktorit dhe zëvendësit të Antena M.
“Portali Antena M është çerdhja më e madhe e ustashëve në Ballkan. Urgjentisht duhet likuiduar redaktorin dhe zëvendësin, ndërsa pjesa tjetër të mbyllet”- ka shkruar komentuesi në Facebook.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së prokurores supreme të shtetit, Tatjana Begoviq, ka “urdhëruar prokurorin kujdestar në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Nikshiq që nëpunësve të policisë t’ua japë udhëzimin për të bërë kallëzim penal kundër Gj.T për dy vepra penale – rrezikim të sigurisë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse”.
Kryeredaktori përgjegjës i “Antena M”, Darko Shukoviq, thotë se “trimëron fakti që policia e gjeti personin që kërcënoi me likuidim drejtuesit e Antena M”, por se, siç shprehet ai, “është e habitshme që në xhirim shohim një gamë të gjerë municionesh ilegale, kurse është gjetur vetëm një pistoletë”.
“Jemi të shokuar nga vendimi i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Nikshiq se në kërcënimin me likuidim nuk ka elemente të veprës penale. Nuk kam ndërmend t’ia mësoj ligjin prokurorit, por as të shtirem nuk e di për nenin 24, paragrafin 2 të Kodit Penal të Malit të Zi, i cili inkriminon plotësisht pa mëdyshje veprën e Tadiqit. Përfundimisht, edhe ne kemi juristë kulminant të gatshëm të na e interpretojnë ligjin dhe këtë nuk po e them përmendësh”, – thotë Shukoviq për Zërin e Amerikës duke nënvizuar: “E dhëna se personi që kërcënoi se do të likuidojë redaktorin dhe zëvendësredaktoren e Antena M është i armatosur, se në banesë mban në mënyrë të paligjshme shumë municion, bëri që kërcënimin e tij ta marrim seriozisht dhe ai na shkaktoi trazira të thella në redaksi dhe familjet tona”.
Ndaj kërcënimeve përmes rrjeteve ka reaguar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë duke bërë thirrje që autoritetet të hetojnë të gjitha format e frikësimit apo dhunës kundër medias
“Liria e medias nënkupton se gazetarët patjetër që duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të sigurt. Jemi të shqetësuar për shkak të kërcënimeve të raportuara kundër redaktorëve të Radios Antena M përmes rrjeteve sociale dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të hetojnë plotësisht të gjitha format e frikësimit apo dhunës ndaj mediave dhe stafit”, – thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA në rrjetin social Ex, Twitter-in e dikurshëm. /VOA/