Shkruan: Gentuar Ismaili
Në valën e zhvillimeve rreth çështjeve politike në vend, e gjithë vëmendja mediatike këtë të premte u përqëndrua në Çair. Kjo përshkak se Çairi u vizitua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti këtu erdhi për ta përuruar një rrugë me emrin e mentorit të tij politik Adem Demaçi.
Kurti në Shkup u prit nga i ashtuquajturi fronti opozitar, kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës thotë se para se t’i emërtojmë hapësirat publike me emrat e patriotëve tanë do të duhej ta pyesim veten se çfarë do mendonin ata për këto veprime po të ishin gjallë.
“Saherë që një rrugë, një shesh a një shkollë emërtohet me emrin e një personi që ka ndërruar jetë, natyrshëm të vjen të pyesësh se çfarë do të mendonte për këtë ai person po të ishte gjallë. Kjo është gati e pamundur ta dish, por ajo çfarë mund të thuhet me bindje është se duke emërtuar këtë rrugë, këtu në Çair, në Shkup, me emrin Adem Demaçi po shenjohet me kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore”, tha Kurti.
Ndërkaq, në këtë ngjarje mori pjesë edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, e cila tregoi se ajo është rritur duke e parë dajën e saj duke u dergjur burgjeve.
“Që nga mosha 5 vjeçare mbaj mend vetëm burgje. Burgu i dytë i dajës tim ka qenë kur isha unë vetëm 5 vjeçare, tërë kohën kam jetuar duke menduar kohën se kur daja im do të lërohet nga burgu, kujt do të kem kujt ti them dajë”, tha Shahini.
Kurse , nikoqiri i kësaj ngarje dhe kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, tha se arsyeja se pse këtë rrugë po e emërtojnë me emrin e Adem Demaçit është se pikërisht këtu ai ka banuar para 30 viteve.
“Këtu prapa meje, në këtë ndërtesë Adem Demaçi, 30 vite më parë qëndroi tek familja Toska, menjëherë pas mbajtjes së grevës së urisë, së bashku me një grup gazetarësh dhe intelektualësh të Kosovës e kishin mbajtur për të mbrojtur fjalën e lirë, pas veprimeve që ndërmerrte politika e Millosheviqit, për të heshtur lirinë e fjalës në Kosovë, duke i mbyllur të gjitha mediat në gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, kjo ishte rruga e rij e preferuar, në të cilën shetiste”, tha Ganiu.
Përndryshe, ai përveç se në Çair Kurti qëndroi edhe në Tetovë ku së bashku me Kasamin promovoi projektin e rrugës Tetovë-Prizren.
Paralajmërimi se Kurti do i vizitoj të dy komunat me shumicë shqiptare solli një mal me reagimesh.
Ndërkohë, Adem Demaçi ishte veprimtar dhe ish i burgosur politik, ai në burgjet famkeqe të armikut vuajti 29 vite përshkak se ai e promovonte me ngulm kombin shqiptarë.
Ai pas daljes nga burgu gjatë luftës në Kosovë ka udhëhequr me zyrën e drejtorisë politike të UÇK-së në Prishtinë.