Zgjedhja e Kryetarit të Partisë Demokratike (PD) ishte domosdoshmëri dhe emergjencë. Një formacion politik nuk mund të funksionojë pa lider, partia ishte një vit në mungesë të kryetarit të saj, thekson Mirela Çërraga Karabina, zëdhënëse e Partisë Demokratike.
Karabina, në një intervistë ekskluzive për KDP.MK, thotë se prej dy vitesh Partia Demokratike ka qenë në mungesë të një aksioni politik për shkak të agresionit të brendshëm të saj nga Lëvizja Foltore dhe agresionit të jashtëm nga maxhoranca në pushtet, dhe kjo sipas saj, i ka kushtuar shumë elektoratit opozitar dhe shoqërisë shqiptare.
E pyetur se çfarë do të thotë për PD-në fakti që ish kryetari, Sali Berisha, është shpallur non grata nga SHBA-të, dhe nga Mbretëria e Bashkuar, për korrupsion dhe cënim të demokracisë, dhe përsëri ka mbështetje në familjen e demokratëve, ajo thotë se, Partia Demokratike është ndarë nga e shkuara, dhe për këtë, siç thotë ajo, janë demokratët ata që duhet të zgjedhin. “Do të shkojnë tek një grupim që i përket së shkuarës dhe që është i refuzuar dhe i izoluar nga ndërkombëtarët apo do të zgjedhin t’i bashkohen perespektivës, Partisë Demokratike të së ardhmes të kryesuar nga Lulzim Basha”.
Intervistoi: Enis Shaqiri
KDP: Lulzim Basha është shpallur fitues në zgjedhjet për kryetar të PD-së, zgjedhje këto të cilat siç thuhet, janë mbajtura në një klimë paqartësish dhe përçarjesh brenda partisë. Cili është komenti juaj lidhur me këto tensione dhe përçarje?
Mirela Çërraga Karabina: Zgjedhja e Kryetarit të Partisë Demokratike ishte domosdoshmëri dhe emergjencë. Një formacion politik nuk mund të funksionojë pa lider, partia ishte një vit në mungesë të kryetarit të saj dhe me drejtues të komanduar, z. Enkelejd Alibeaj. Gjithashtu, prej dy vitesh Partia Demokratike ka qenë në mungesë të një aksioni politik për shkak të agresionit të brendshëm të saj nga lëvizja Foltore dhe agresionit të jashtëm nga maxhoranca në pushtet. Dhe kjo i ka kushtuar shumë elektoratit opozitar dhe shoqërisë shqiptare, mungesa e një opozite alternative nga njëra anë dhe keq-qeverisja që rëndon mbi jetën e tyre.
Kështu që, Kryesia e Partisë vendosi të nisë procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe data e zgjedhjes u vendos më 29 korrik. Dhe më pas do të fillonte rioragnizmi dhe riformatimi i Partisë përmes zgjedhjeve të të gjithë organizmave të saj, gjë që ishte artikular qartë përgjatë fushatës zgjedhore vendore të 14 Majit ku Z. Alibeaj, asokohe kryetar në detyrë, pati artikular qartë që menjëherë pas zgjedhejeve vendore do të fillonte procesi i rëndësishëm i riorganizmit të partisë për ta kthyer atë në alternativë qeverisëse.
Në lidhje me procesin e organizimit pati dy qëndrime, Kolegji i Kryetarëve propozoi që procesi të niste nga lart- poshtë, pra të zgjidhej kryetari dhe më pas riorganizimi i të gjithë organizmave të brendshme të saj, dhe Grupi i Deputetëve që kërkonte të kundërtën, një proces nga poshtë-lartë dhe kryetari të zgjidhej pas disa muajsh.
Por, Partia Demokratike nuk kishte më kohë për të humbur. Ajo duhet të kthehet sa më shpejt në alternativë pasi gjendja në të cilën ndodhet vendi me një qeverisje të përfshirë në skandale të njëpasnjëshme korruptive dhe lidhje në afera përmes krimit janë kosto e lartë për jetën e qytetarëve.Edhe nëse i referohemi filozofive apo shkencave politike dhe eksperiencave botërore dëshmojnë që zgjedhja e kryetarit nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh nga poshtë-lartë.
Ndaj me shumicë votash u vendos nga Kryesia e Partisë të mbahej ky proces, bazuar në Kushtetutën e partisë, Statutit të saj.
KDP: Kritikët thonë se zgjedhjet e 29 korrikut brenda PD-së nuk është se kanë ofruar një alternativë të qartë politike dhe programore. Lidhur me këtë, çfarë synime dhe plane ka partia për të zhvilluar platformën brenda partiake, dhe për të prezantuar një vizion të qartë për Shqipërinë?
Mirela Çërraga Karabina: Zgjedhjet u karakterizuan nga një proces i rregullt dhe shkuan shumë mirë, madje ka qenë një ditë shumë e bukur për demokratët që vinin pas dy vitesh me struktura pasive dhe në paqartësi e sulme mbi statute e kryetarë. Dy kandidatët në garë ishin dinjitozë, z. Lulzim Basha dhe z. Gjegj Hani, të cilët përgjatë fushatës shpalosën platformat e tyre. Rikonfirmimi i Z. Basha në krye të PD-së pritej, pasi ai gëzon mbështetje tek demokratët të cilët kanë besuar dhe besojnë tek misioni i tij politik. Kështu, platforma “Zgjedhim të Ardhmen” e shpalosur nga Kryetari Basha që në Kuvendin e 18 Dhjetorit të 2021-it, për një PD të shkëputur nga e shkuara dhe hijet e errëta të saj, në papajtueshmëri me korrupsionin dhe krah partenerëve dhe aleatëve është mbështetur nga demokratët, të cilët duan ta përfundojnë këtë mision.
Përgjatë fushatës zgjedhore Kryetari Basha shpalosi të njëjtën platformë dhe hodhi disa teza të rëndësishme të cilat nën qeverisjen e Partisë Demokratike do ta çojnë vendin drejt zhvillimit normal dhe drejt vlerave më të mira euro-atlantike.
Në mbledhjen e parë të Kryesisë së datës 30 Korrik në drejtimim e Kryetarit Basha u vendos që Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 02 Shtator 2023 dhe do të ketë një agjendë të qartë: ndryshimet statutore, vendime organizative në përputhje me vendimet statutore dhe miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
Përgjatë muajit shtator do të vazhdohet me rizgjedhjen e strukturave të reja dhe përfundimin e tyre dhe kthimin e PD në një formacion politik alternative në shërbim të qytetarëve.
KDP: Si do ta vendosni unitetin dhe stabilitetin brenda partiak për të përballuar sfidat politike dhe të përfaqësojë një front të fortë për zgjedhjet e ardhshme?
Mirela Çërraga Karabina: Misioni që Partia Demokratike dhe Kryetari i saj Z. Basha ka, është i vështirë por jo i pamundur. I vështirë pasi jemi copëzuar nga sulmi i brendshëm dhe kemi përballë një oligarki agresive politike, ekonomike e mediatike, pra një situatë politike më të vështirë së në zgjedhjet e 25 Prillit të 2021-it. Por nga ana tjetër, mundësitë për ta kthyer Partinë Demokratike në një alternativë qeverisëse si një parti e djathtë, si një parti e vlerave më të mira euro-atlantike janë më të mëdha. Kemi shansin historik që atë që PD-ja e 1990 nuk e bëri dot, ndërtimin e demokracisë drejt zhvillimin europian të vendit, ta bëjmë ne sot.
Dera e Partise Demokratike do të jetë e hapur për të gjithë ata që i bashkohen filozofisë së djathtë të saj, si një parti e vlerave më të mira euro-atlantike dhe në papajtueshmëri me korrupsionin. Do të doja të reflektonin të gjithë demokratët me të cilët na bashkoi pikërisht platforma e Kuvendit të 18 dhjetorit 2021, ku ishim të gjithë bashkë, ne që zgjodhëm të Ardhmen.
KDP: Cilat janë prioritetet e zotit Basha për këtë mandat të ri si kryetar i PD-së?
Mirela Çërraga Karabina: Përgjatë fushatës për zgjedhje si kryetar por dhe tani si Kryetar i Partisë Demokratike, Z.Basha në takimet me struktuarat në rrethe në kuadrin e riorganizmit të partisë, është shprehur se do ta kthejë PD-në në zërin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin dhe një alternativë më të mirë që të sfidojë qeverinë e korruptuar të Edi Ramës.
Dhe propozimet e tij janë: Listat e hapura; Vetting-u në politikë; Kufizimi i mandateve; Vota e diasporës; Zgjedhja e Presidentit nga populli.
Dhe, sipas asaj që Z. Basha ka deklaruar, ”përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, mund të ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjeshtë rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë”.
“Aleanca qytetare për demokraci” është nisma që PD dhe Kryetari i saj do t’i ofrohet qytetarëve. Pasi Partia Demokratike e sheh forcën dhe suksesin e saj në aleancë me qytetarët. Shifrat në rritje të elektoratit opozitar që refuzojnë klasën politike 33 vjeçare ku rreth 70% e tyre nuk votojnë, janë këmbanë alarmi. Ndaj Partia Demokratike do t’i drejtohet këtij grupi veçanërisht, por dhe të gjithë qytetarëve, të majtë e të djathtë, përmes një agjende të qartë politike që do të dalë nga Kuventi i 2 Shtatorit 2023, me një ekip të ri që frymëzon me ide, me njerëz me integritet, profesionistë të fushës dhe të papërfolur për korrupsion.
Vendosmërinë e Tij në përballje dhe papajtueshmëri me korrupsionin Z. Basha dhe Partia Demokratike do ta materializojnë që me fillimet e sesionit të ri parlametar ku do të kërkojnë: hetim parlamentar mbi fondet e IPARD që përdoren për qeveritarë të korruptuar dhe jo për fermerët, gjithashtu dhe hetim paralamentar të të gjithë atyre që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik për të parë se çfarë përfitimesh strategjike kanë sjellë për zhvillimin e vendit.
Partia Demokratike dhe Z. Basha mbështesin pa asnjë hezitim Strukturën e Posaçme Antikorrupsion në vendosjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve apo zyrtarëve të lartë që kanë shpërdoruar detyrën përmes korrupsionit.
Iniciativat e Partisë Demokratike:“Ndiq paranë dhe lidhjet me krimin”, është thelbi i Vettingut të politikanëve që do të pastrojë politikën nga të korruptuarit për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit në mënyrë që politikanët mos jenë më në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminalë të tyre por në shërbim të interesit publik.
Gjithashtu, një tjetër iniciativë do të jetë miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta në dënimin dhe sekuestrimin e pasurive që vijnë nga afera dhe që fshihen pas oligarkëve.
KDP: Çfarë do të thotë për PD-në fakti që Sali Berisha, ndonëse është shpallur non grata nga SHBA-të, dhe nga Mbretëria e Bashkuar, për korrupsion dhe cënim të demokracisë, prapëseprapë ka mbështetje në familjen e demokratëve?
Mirela Çërraga Karabina: Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë politik. Ajo është ndarë nga e shkuara. Në rrugëtimin e saj do të ecë gjithnjë krah vlerave më të mira euroatlantike, partnerit të saj strategjik dhe jetik SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian.
Për këtë nuk ka asnjë diskutim dhe kthim pas.
Zoti Berisha është i refuzuar nga partnerët tanë. Partia Demokratike dhe Shqipëria qëndrojnë mbi interesat personalë të kujtdo.
KDP: Si do ta trajtojë PD këtë çështje në të ardhmen?
Mirela Çërraga Karabina: Janë demokratët ata që duhet të zgjedhin: do të shkojnë tek një grupim që i përket së shkuarës dhe që është i refuzuar dhe i izoluar nga ndërkombëtarët apo do të zgjedhin t’i bashkohen perespektivës, Partisë Demokratike të së ardhmes të kryesuar nga Lulzim Basha.
KDP: Krejtësisht në fund, çfarë bashkëpunimi keni me partitë politike shqiptare, jashtë vendit?
Mirela Çërraga Karabina: Bashkëpunimi me partitë shqiptare jashtë vendit është shumë i mirë, është në funksion të interesit kombëtar. Z. Basha ka një përvojë të gjatë dhe kontributi i tij vlerësohet nga partitë shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës.
Partia Demokratike do të rikthejë në qendër të vëmendjes çështjet e prehta në dobi të shqiptarëve kudo ku janë, në bashkëpunim të ngushtë e të pandarë me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në.