E hënë, 20 Janar, 2025

SHBA: EDHE 200 MILIONË DOLLARË PËR UKRAINËN

Uashingtoni siguron edhe 200 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën në një paketë që pritet të përfshijë më shumë raketa të tipit HIMARS dhe më tepër municione për sistemet mbrojtëse Patriot, – përcjell kdp.mk njoftimin e  Zërit të Amerikës.

Dy zyrtarë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë përpara publikimit të paketës së re të ndihmës këtë javë, se do të dërgoheshin gjithashtu pajisje për pastrimin e minave dhe armë antitank.

Do të jetë hera e 44-të që Presidenti i Shteteve të Bashkuara miraton një ndihmë për Ukrainën e siguruar nga inventari i Sekretarit të Mbrojtjes.

Ndërkaq, të enjten autoritetet ruse thanë se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan dy dronë ukrainas që kishin si objektiv Moskën, – përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergie Sobyanin tha se një nga dronët u rrëzua në rajonin Domodedovo në jug të kryeqytetit, ku ndodhet një prej aeroporteve ndërkombëtare të Moskës, ndërsa tjetri pranë autostradës së Minskut në perëndim të qytetit. Sobyanin tha se nga incidenti nuk pati të lënduar dhe dëme.

Sulmet e dyshuara të së mërkurës vijnë dy ditë pasi të paktën nëntë persona u vranë në dy sulme të njëpashnjëshme në qytetin Pokrovsk në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se nga sulmet mbetën të plagosur 82 persona, përfshirë dy fëmijë.

Ministria ruse e Mbrojtjes e cilësoi rastin si një tentativë për “sulm terrorist”.

Moska ka qenë shënjestër e sulmeve me dronë, që dyshoihet se kryhen nga Ukriana që nga maji, kur një dron u shkatërrua mbi Kremlin. Moska ka fajësuar gjithashtu Kievin për një seri sulmesh me dronë ndaj objektivave ruse.

Ukraina zakonisht as konfirmon dhe as mohon sulmet e tilla.

New York Times pati njoftuar në muajin maj se agjencitë informative të SHBA besojnë se spiunë ose shërbimi informativ ukrainas qëndrojnë pas sulmeve me dron kundër Kremlinit,- transmeton kdp.mk njoftimin e Zërit të Amerikës.

Të fundit