E shtunë, 25 Janar, 2025

NEZIRI: VIZITA E KURTIT – ATIPIKE DHE PARTIAKE

Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në vendin tonë ku pritet të takohet me bartësit e pushtetit komunal të Tetovës dhe Çairit, ka shkaktuar debat në opinion dhe mes politikave vendorë, raporton TVM2, programi në gjuhën shqipe, përcjell KDP .

Për analistin politik Xhelal Neziri, arrdhja e Kurtit në Maqedoninë e Veriut shpërfaq elementin e qasjes selektive. Duke qenë se kryeministri Kurti vjen nga niveli i përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, sipas Nezirit, takimet e tij duhej të përfshinin edhe përfaqësues të partive tjera politike që janë pjesë e pushtetit.

“Mendoj se është një vizitë atipike për një kryeminstër të shtetit të huaj. E them atipike për shkak se nuk bëhet fjalë për një agjendë që nënkupton takime me homologun e tij Dimitar Kovaçevski, as takime me përfaqësues të tjerë shtetërorë, siç zakonisht duken agjendat e kryeministrave të huaj, por takime me kryetarë komunash dhe liderë të partive opozitare. Pra, është një mospërputhje në atë që quhet nivel politik të kësaj vizite. Kurti vjen në Maqedoninë e Veriut me një agjendë thuaja selektive, pra, ku do të takohet me partitë politike që janë në opozitë. Do të ishte e udhës që të kishte takuar edhe partitë politike ose liderët e atyre që janë pjesë e qeverisë.”, tha analisti politik Xhelal Neziri.

Më 11 gusht kryeministri Kurti do të mirëpritet nga përfaqësues të komunës së Çairit, ku do të merr pjesë në inaugurimin e një rruge me emrin e veprimtarit politk, Adem Demaçi, për të vazhduar më pas në Tetovë për takim me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Bashkë me të, në fshatin Vicë do të lansojnë idenë e kyçjes së të gjithë fshatrave të malësisë në rrugën Tetovë-Prizren.

Analisti Neziri shton se ky bashkëpunim duhej të bëhej por me përfaqësuesit lokal nga Prizreni dhe Tetova. Është shumë normale që këto komunikime të jenë mes dy vendeve në nivel të komunave, mirëpo do të ishte shumë e arsyeshme që për rrugën Tetovë -Prizren ta zëmë, të takoheshin dhe ta promovonin këtë ide të vjetër do të thoja, dy kryetarët e komunave, pra ai i Prizrenit dhe kryetari i komunës së Tetovës.”, tha Neziri.

Vizitat e kryeministrit Kurti do të përmbyllen në Tetovë me një koncert kushtuar ardhjes së tij dhe njëherit, së bashku me nikoqirin e tij Kasami, për pjesëmarrësit e eventit në fillim të programit do të paraqiten me fjalimet e tyre.

Të fundit