Për kryeredaktorin e AlbanianPost dhe komentuesin e proceseve politike në Kosovë, Lirim Mehmetaj, vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtiti, në Tetovë dhe Shkup bëhet për hesape personale dhe mund të prodhojë efekte negative. Duke folur për portalin KDP.MK, Mehmetaj shprehet se vizita “jo zyrtare” e Kurtit në Maqedoninë e Veriut në parim është e duhur dhe e domosdoshme, por nënvizon se “për takime të tilla duhet të zgjedhen momente adekuate pasi tash kjo vizitë mund të interpretohen si ndërhyrje në politika të brendshme dhe pozicionim ndaj një kampi të caktuar politik.
Shkruan: Enis Shaqiri
“Në këtë vizatë jo zyrtare, unë pash se Kurti nuk do të takohet me liderin kryesor politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që është Ali Ahmeti dhe mendoj se kjo është gabim. Në anën tjetër takimi me Izet Mexhitin e Visar Ganiun që janë ndarë nga BDI ngjan si pozicionim i qartë i Kurtit dhe qëndrim i tij në raport me atë se çfarë ka ndodhur në BDI. Fatkeqësisht, Kurti është politikan i tillë që për hesape të vetat nuk e ka problem efektin që e shkakton, madje vetë efekti nganjëherë është qëllimi i tij”, thotë Mehmetaj për KDP.
Kryeministri Kurti të premten do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut, ku do ta takojë kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, të dy përfaqësues të partive opozitare shqiptare. Kurti po vjen për një vizitë joformale në Shkup dhe Tetovë, ndërsa takimet me partitë në pushtet nuk janë në rend dite.
Por Mehmetaj vlerëson se kryeministri Kurti po përfshihet në politikat e brendshme të vendeve fqinje deri në atë pikë sa ai dhe partia e tij formuan parti politike edhe në Shqipëri, ku garuan kundër kryeministrit shqiptar atje duke marrë pjesë edhe në zgjedhje më vonë.
“Asnjëherë tjetër s’ka ndodhur kjo dhe vështirë se do të ndodhë nga dikush tjetër. Kurti jo vetëm që përzihet në politika të brendshme të shteteve fqinj, por përzihet aq shumë, saqë ai dhe partia e tij shënojnë rastin e parë të dëgjuar ndonjëherë kur si kryeministër i Kosovës formon parti në Shqipëri, garon kundër kryeministrit shqiptar atje dhe shkon e bën fushatë në Shqipëri duke marrë pjesë edhe në zgjedhje më vonë”, thotë Mehmetaj.
Siç edhe mësohet, gjatë vizitës joformale në vend, në fillim kryeministri Kurti është paraparë të qëndrojë në Çair, ku do të bëhet inaugurimi i rrugës “Adem Demaçi”, më pas do të niset për në Tetovë ku do të ketë takim me kryetarin e kësaj komune, për të promovuar idenë e lidhjes rrugore mes Prizrenit dhe Tetovës.
Lidhur me këtë, gazetari dhe analisti, Lirim Mehmetaj, thotë se takimet e tij me kreun e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjithmonë i ka parë si të paqarta dhe të çuditshme. Ai shton se dëshira e Kurtit për influencë jashtë shtetit e bën të ndërmarrë veprime të tilla, si ky udhëtim drejt Maqedonisë së Veriut
“Edhe koketimin e tij me Lëvizjen BESA gjithmonë e kam parë me shumë dyshim. Njëfarë bashkëpunimi i paqartë dhe i çuditshëm, por i tillë është Kurti, atij i rri e vogël Kosova dhe dëshira për influencë edhe jashtë shtetit që mezi po e udhëheqë e bën të ndërmarrë veprime të tilla si ky udhëtim drejt Maqedonisë së Veriut që pa më të voglin dyshim është mesazh i hapur kur shihet përzgjedhja e takimeve. Qeveria e Kosovës mund t’i arsyetojë me ftesa formale këto takime të Kurtit atje, por meqë po thotë vetë se është një vizitë jo formale, atëherë çka e ndalon Kurtin të takohet me Ahmetin apo dikë nga udhëheqësit e BDI-së”, thekson Mehmetaj.
Ndryshe, vizita e pazakontë e Kurtit në Maqedoninë e Veriut ka ngjallë reagime të shumta. Në opinion po përflitet edhe për një tjetër rivalitet mes Ramës dhe Kurtit, e kësaj radhe në bllokun politik shqiptar të Maqedonisë së Veriut.
Mehmetaj për këtë është i mendimit se rivaliteti mes Ramës dhe Kurtit ka kohë që është krijuar, dhe se siç thotë ai, të dy kryeministrat shqiptar duan influencën e tyre përtej shteteve që udhëheqin, veçanërisht tek shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.
“E keqja dhe e dhembshmja këtu është se këtë influencë e duan vetëm si interes personal dhe fuqizimi i pozicionit të tyre dhe jo si interes i shqiptarëve, në këtë rast, në Maqedoninë e Veriut dhe si fuqizim i pozicionit të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Kurti jo se jo, por as Ramën nuk e kam parë të hartojë politika konkrete që ndihmojnë shqiptarët jashtë Shqipërisë. Kurti madje çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët janë grupi më i diskriminuar në Evropë, nuk e ka ngritur si çështje as në dialogun e Brukselit me Serbinë. Këtë e ka dëshmuar edhe vetë Miroslav Lajçak kur është pyetur. Ai ka deklaruar se pala kosovare asnjëherë s’e ka ofruar si çështje në tavolinë çështjen e shqiptarëve në Luginë”, thotë Mehmetaj, duke shtuar:“Kurti gjithmonë shqiptarët jashtë Kosovës e Shqipërisë i përdor si leva në interes të ndonjë lëvizje të caktuar të tij, por kaq. Ai vendosi njëherë edhe Kushtin e Reciprocitet në Bruksel (çka u ofrohet serbëve në Kosovë t’u ofrohet edhe shqiptarëve në Luginë) por hoqi dorë shpejt nga ky kusht, në momentin që s’i konvenojë më si lëvizje politike.”
Mehmetaj shpreson se “politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të kenë nuhatjen e duhur dhe të mos afektohen nga influenca të caktuara të cilat s’janë zgjidhje për ta, por politika për Kurtin, apo edhe për Ramën”.