E mërkurë, 19 Mars, 2025

VËRSHIMET NË SLLOVENI, MAQEDONIA E VERIUT DËRGON 100 PJESËTARË TË ARMATËS

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e 177-të, ka marrë vendim për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në një operacion humanitar në Republikën e Sllovenisë.

Në përputhje me vendimin e marrë, po organizohet dërgimi i një grupi prej 100 anëtarësh të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët do të ndihmojnë në sanimin e pasojave të përmbytjeve që goditën Republikën e Sllovenisë. Kërkesa për ndihmë erdhi nga Qendra Euro-Atlantike e NATO-s për Koordinim në Raste Fatkeqësish dhe Menaxhim Krizash (NATO EADRCC), e cila u paraqit nga Republika e Sllovenisë.

Ju 100 pjesëtarët e armatës, jeni gjysma e asaj që ka kërkuar Sllovenia për personal nga Aleanca e NATO-s dhe më vjen mirë që sapo na erdhi mbrëmë kërkesa u përgjigjëm pozitivisht. Jepni gjithçka nga vetja, ashtu sikurse miqtë tanë slloven na ndihmuan në kohën e zjarreve disa vite më parë”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, Ministre e Mbrojtjes.

Pjesëtarët e Armatës do të dërgohen për një periudhë prej 30 ditësh për të marrë pjesë në ofrimin e ndihmës për Republikën e Sllovenisë.

Pas përmbytjeve, të cilat u morën jetën të paktën gjashtë vetëve, anëtarja e Bashkimit Evropian Sllovenia aktivizoi Mekanizmin e Reagimit ndaj Fatkeqësive të Bashkimit Evropian, sipas të cilit ekipet ndërkombëtare mbërrijnë në vend për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe rikuperimit.

Kryeministri slloven, Robert Golob, i cili e quajti katastrofën fatkeqësinë më të keqe natyrore të vendit në pothuajse 30 vjet, e vlerësoi dëmin total në më shumë se 500 milionë euro (548.3 milionë dollarë).

Në këto kohë të vështira, Sllovenia nuk është vetëm,” shkroi zyra e Golobit të hënën. “Ne kemi shumë miq dhe mbështetje ndërkombëtare, përfshirë nga BE, NATO dhe SHBA“.

Përmbytjet që filluan të premten shkaktuan rrëshqitje dheu, detyruan evakuimin e fshatrave dhe pëmbytën rrugët dhe hekurudhat.

Në gjashtë personat që vdiqën, dy janë holandezë të cilët u goditën nga rrufeja gjatë ecjes. Një burrë që po merrte pjesë në operacionet e pastrimit pranë kryeqytetit, Ljubljanë, u vra gjithashtu, tha policia.

Kroacia dhe Austria gjithashtu përjetuan kushte ekstreme të motit gjatë së njëjtës periudhë.

 

 

Të fundit