Edhe pas 23 vitesh dhe paraqitjes së sistemit pluralist në kuptimin politik të fjalës, Maqedonia e Veriut nuk ka arritur të deetnizohet. Këtë mënyrë të funksionimit e hasim edhe te mediat, vlerëson profesori universitar, Sefer Tahiri në intervistë për “10 Minuta” në TV21.
Këtë vlerësim Seferi e shfaqi teksa u pyet se pse ngjarja e dënimit me burg të përjetshëm të njërit nga të dhunuarit të Marigonës nga Kosova, mori vëmendje aq të madhe në mediat maqedonase.
“Ne kemi sistem politik i cili është i ndarë në vija etnike dhe fatkeqësisht ndikimi i këtij sistemi politik i etnizuar apo etnocentrik, ndikon shumë edhe ndaj sistemit mediatik. Së këndejmi, në mediat në gjuhën shqipe dhe maqedonase hasim narrativë dhe diskurs i cili është kryekëput etnik apo thënë etnocentrik dhe kjo për faktin se gazetarët tek ne para profesionit e vënë përkatësinë apo identitetin e tyre kolektiv, në rastin konkret, identitetin etnik. Të qënurit gazetar është një profesion dhe mision në funksion të zhvillimit të një shoqërie kohezive, të një shoqërie interkulturore, të një shoqërie e cila do t’u mundojë qytetarëve të informohen në mënyrë të drejtë dhe të qënurit gazetarë duhet në një farë mënyrë të vendos në plan të dytë përkatësitë apo identitetet të cilat i kemi, sepse identiteti, në këtë rast kryesor, themelore, profesional është ai i gazetarit, që nënkupton respektimin e standardeve themelore dhe profesionale dhe normave etike që kanë të bëjnë me me trajtimin e çështjeve etnike dhe joetnike”, vlerëson Tahiri.