E shtunë, 25 Janar, 2025

OKSIMORON I ZAKONSHËM

Është kjo periudha kur gjithçka dhe asgjë nuk ka sens logjik. Kur të gjithë janë dhe askush nuk është prezent. Kur të gjithë shihemi e me asnjërin nuk arrijmë të takohemi. Është periudha kur rrugës mezi gjen një shteg mes turmës që sorrollatet kot për të arritur në destinacionin e paracaktuar. E rrugës të zë frymën era e parfumit Armani falco, në konkurrencë nga ai Boss origjinal, e pak më poshtë duke u përzier me parfumin e haxhillëkut. Dominancën sigurisht që e mbajnë era e kallirit në hell dhe e djersës së daullexhinjve që presin “qejfliun” e radhës.

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Kjo periudhë e vitit gjithmonë më ka mahnitur për hallakamën dhe mishmashin e gjithanshëm që sjell me vete. Thuajse në çdo qytet, qoftë bregdetar i vërshuar nga turistët apo mërgimtarësh i vërshuar nga kthimi në vendlindje i kurbetçarëve, përjeton një transformim fantastik që vjen  thuajse si një uragan brenda natës, dhe thuajse poashtu edhe ik, brenda ditës. Afaristët kësaj i referohen si “sezoni”, disa si “koha e shacive”, të tjerët si koha e turistëve e disa thjeshtë si makthi i një mbingarkese përtej kapaciteteve reale që qytetet tona bregdetare apo të mërgimtarëve realisht ofrojnë për nga shërbimi, infrastruktura apo edhe vetë mikpritja.

Është kjo periudha kur gjithçka dhe asgjë nuk ka sens logjik. Kur të gjithë janë dhe askush nuk është prezent. Kur të gjithë shihemi e me asnjërin nuk arrijmë të takohemi. Është periudha kur rrugës mezi gjen një shteg mes turmës që sorrollatet kot për të arritur në destinacionin të paracaktuar. E rrugës të zë frymën era e parfumit Armani falco, në konkurrencë nga ai Boss origjinal, e pak më poshtë duke u përzier me parfumin e haxhillëkut. Dominancën sigurisht që e mbajnë era e kallirit në hell dhe e djersës së daullexhinjve që presin “qejfliun” e radhës.

Në këtë periudhë të vitit të gjithë vlejnë, madje edhe ato që s’kanë asnjë vlerë. Shitet roku, rapi, tallavaja, elektronika, çiftelia madje edhe opera në paket bashkë me folkun. Shiten edhe dimi, tesha me kat, rroba plazhi, të brendshme ekzotike e të brendshme për pajë të nusërisë. Shiten libra filozofik, libra fetarë, libra me magarë. Rrugëve shfaqen Ferari të ndjekur nga Jugo, Lamburxhini nga Pezho të prodhuara në shekullin e kaluar. Tymi që ato lëshojnë se bashku nuk ka se si të kombinohet më mirë me tymin e shishave që thithen me aq lezet nga djem e vajza të reja, të shtrira në karriget moderne të haremeve të rinkarnuara.

Kjo periudhë vjen me ditë shumë të nxehta, prej atyre që e ndjen se si te përvilet shpinës deri poshtë belit çdo pikë e djersës. Vjen me ditë që toka e qielli bëhen bashkë, me breshër e bubullima që duken si të dala nga tregimet e apokalipsit. Kjo periudhe vjen edhe me shumë viruse, disa të përcjella nga njeriu në njeri, e disa të shkaktuara nga helmimi prej ushqimit. Ndodhin shumë lidhje e martesa të çuditshme, ashtu si edhe ndarjet që nuk priten. Tani kriset për gëzime e për hidhërime, tash hidhërohen e pajtohen oksimoronet.

Kjo periudhë e vitit është gjithçka dhe asgjë, është realiteti ynë me i kthjellët e iluzioni ynë më i thellë.

Kjo ishte gjithçka që më shkoi në mëndje kur një gazetar më kërkoi të komentoj zhvillimet e fundit në skenën politike.

Të fundit