E hënë, 20 Janar, 2025

VUÇIQI E DODIKU FALSIFIKOJNË HISTORINË: VIKTIMAT BOSHNJAKE I PARAQESIN SI SERBE!

Të shtunën, më pesë gusht, në Prijedor të Bosnjë e Hercegovinës, serbët nga Republika Serpska dhe Serbia,  kanë shënuar përvjetorin e përndjekjes së serbëve nga Kroacia si rezultat i ofensivës kroate të koduar me emrin “Stuhia”. Në manisfestim ka marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe  liderët e entitetit të Republika Serpskës, në ballë me Milorad Dodikun të cilët së fundmi janë gjetur në “listën e zezë amerikane” për shkak të kërcënimit të qëndrueshmërisë së BeH-së. Sikurse njofton kdp.mk, në tubim, fotografia e një boshnjakeje-myslimaneje me fëmijë, është paraqitur si provë e “vuajtjeve të popullit serb”. Reagimet për këtë i sjell e përditshmja e pavarur serbe “Danas”.

Lidhur me fotografinë e publikuar gjatë përkujtimit të aksionit ushtarako-policor kroat “Stuhia” në Prijedor, ku shihet një grua boshnjake nga Zhepa, e cila është paraqitur si serbe e viktimizuar në operacionin “Stuhia”, bashkëbiseduesit e të përditshmes së pavarur serbe “Danas” thonë se kjo është mosrespektim i viktimave dhe shfrytëzimi i tyre bëhet vetëm për qëllime marketingu.

Ndërsa në Prijedor flisninj presidenti i entitetit të Republika Serpskës”(RS) dhe presidenti i Serbisë, Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq, prapa tyre u shfaq fotografia e një nëne me fëmijën në krahë.

Kjo foto e shkrepur në korrik të vitit 1995 afër Kladnjës, pas rënies së Zhepës, në gusht të vitit 2023, në Prijedor, u prezantua si dëshmi e vuajtjeve të popullit serb gjatë aksionit ushtarako-policor “Stuhia”.

“Atyre nuk u interesojnë fatet njerëzore”

Aida Qoroviq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, thotë për “Danas” se kjo situatë është dëshmi e arrogancës së pushtetit të Serbisë dhe RS-së dhe se për ta është krejt njësoj se kush janë viktimat.

“Atyre kjo nuk ju intereson. Ata shfrytëzojnë gjithçka për të rritur edhe më tensionin dhe për të nxitur urrejtje”, – mendon Qoroviq.

Ajo pyetet, nëse udhëheqjes së Serbisë dhe RS-së i ka mbetur të kujdeset për viktimat e “Stuhisë”, “a nuk do të duhej që atyre njerëve sot t’ju ishte zgjidhur çështja e banimit”?

“Ka shumë njerëz që, gati pas 30 vitesh nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, shumë prej tyre jetojnë nëpër qendra kolektive”, – vë në duklje Qoroviq duke shtuar se megjithjatë me paraqitjen djallëzore të kësaj fotoje, “u bë pak drejtësi, që me pakujdesin e tyre  të tregohet se çfarë ka ndodhur në vitet 90 dhe çfarë është në të vërtetë RS-ja”.

“Fotografitë e tilla fshehën nga opinioni publik në entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë”, – thekson Qoroviq.

“Hallakamë e plotë me viktimat e “Stuhisë””

Kolumnisti nga Bosnja dhe Hercegovina, Dragan Bursaq, është më i ashpër në fjalët e tij, ndaj pohon se ky është një “mashtrim i turpshëm i organizatorëve të tubimit , i qeverive dhe udhëheqjeve të RS-së dhe Serbisë”.

Siç thotë ai, kjo është një “hallakamë” me boshnjakët e vrarë në Prijedor, viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe “një hallakamë e plotë me viktimat e “Stuhisë””.

“Të angazhosh një agjenci që nuk e ka idenë se çfarë po bën, në fakt tregon se sa shumë kujdeset udhëheqja serbe për viktimat. Këto janë numra, jo njerëz. Ato përdoren ekskluzivisht për qëllime PR dhe kjo për të përhapur urrejtjen fetare dhe kombëtare ndaj boshnjakëve”,- përfundon bashkëbiseduesi i “Danasit”.

“Shënimi i “Stuhisë” në Prijedor është provokacion”

Murat Tahiroviq, kryetar i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, thotë se agjencia u ka kërkuar falje të thellë të gjitha viktimave, veçanërisht atyre të cilëve u përkasin fotografitë, dhe se gabimet ndodhin.

“Politika që qëndroi pas kësaj dhe që shënoi përndjekjen e popullatës serbe gjatë kohës së “Stuhisë” në Prijedor, qytet ku pësuan boshnjakët dhe kroatët, këtë para së gjithash e konsideroj një provokacion me qëllim të provokimit të viktimave në Prijedor. Këtë nuk duhej ta bënin”,  – thotë Tahiroviq.

Ai shton se nëse flasim për qëndrimin ndaj viktimave në tërësi, gjithçka që lidhet me të bëhet sipërfaqësisht, dhe se nuk ka vëmendje të mjaftueshme kur bëhet fjalë për viktimat.

„Atëherë vijmë në pozitë që të bëhen gabime të tilla. Ky është fakt, nuk ka zgjidhje sistemore për viktimat. Viktimat janë ende dikush që shikohet me dyshim”, – thotë ai, duke shtuar se, nga ana tjetër, kemi kriminelë të dënuar të luftës të cilët  në hapësirat  tona vazhdojnë të jenë heronj .

Të fundit