E hënë, 20 Janar, 2025

SI QYTETET E VOGLA MUND TË BËHEN LIDERË MË TË MËDHENJ NË LUFTËN RRETH NDRYSHIMEVE TË KLIMËS

Qeveritë lokale – qarqet, qytetet dhe qytezat – janë laboratorët idealë për zgjidhje novatore klimatike. Ato mund të veprojnë më shpejt dhe më shkathët se qeveritë ose agjencitë e mëdha kombëtare. Ata mund të angazhojnë mbështetjen e qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Dhe përpjekjet e tyre mund të jenë më kuptimplote për ata që janë të frustruar nga ngadalësia e veprimeve në shkallë globale ose veprimeve tona personale të pakta, sado të rëndësishme të jenë ato. 

Nga Svante Myrick

Kjo mund të jetë vera më e ftohtë ndonjëherë në jetët tona. Kështu thonë studiuesit anembanë botës, edhe pse po përjetojmë një sezon shumë të nxehtë dhe po vendosim rekorde të reja të nxehtësisë pothuajse çdo ditë.

Përreth globit, qershori i këtij viti ishte më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. 3 korriku ishte dita më e nxehtë e regjistruar në mbarë botën, në histori. Në Arizona, trotuaret janë aq të nxehta, saqë nëse rrëzoheni në to, mund të pësoni djegie të rënda. Korriku në Phoenix ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë për çdo qytet të SHBA-së, me një mesatare prej pothuajse 39,5 gradë.

Situata do të përkeqësohet nëse nuk fillojmë të kërkojmë zgjidhje. Provat janë aq dërrmuese saqë edhe disa mohues të ndryshimit të klimës po ndryshojnë qëndrimet e tyre – deri diku, sepse ata ende po vazhdojnë të përhapin propagandë të rrezikshme.

Për shembull, ish-guvernatori i Arkansas, Mike Huckabee , sapo nxori një botim absurd të quajtur “Udhëzues për fëmijët rreth të vërtetës për ndryshimet klimatike”, i cili pranon se bota po ngrohet, por ka të bëjë me minimizimin e rolit njerëzor.

Si prind, mërzitem kur njerëz si Huckabee përpiqen të mashtrojnë fëmijët, pasi fëmijët tanë do të vuajnë më shumë nëse lejojmë që toka të vazhdojë të ngrohet.

Pra, ky është lajmi i keq. Por lajmi i mirë është se ne kemi mjetet për të luftuar atë. Dhe ndërsa ne priremi t’iu drejtohemi qeverive të vendeve kryesore të botës ose gjurmëve tona të karbonit për zgjidhje, ka opsione reale në mes – në nivelin e qeverisjes lokale.

Një sondazh i ri zbulon se shumë pak amerikanë thonë se kanë njohuri për Aktin e Reduktimit të Inflacionit. Por ata duhet të kenë më shumë njohuri, sepse Akti i Reduktimit të Inflacionit akordon rreth 369 miliardë dollarë në fonde të lidhura me klimën. Dhe shumë prej tyre mund të aksesohen edhe nga qeveritë dhe autoritetet vendore për projekte të gjelbërta, si për ndërtimin e fushave diellore, instalimin e ngrohjes gjeotermale ose konvertimi i flotës së automjeteve në energji elektrike.

Kjo çështje është shumë e përzemërt për mua. Kur isha kryebashkiak i Itakës, New York, ne krijuam një plan ambicioz që të bëhemi qyteti i parë tërësisht elektrik i vendit, pa karbon. Hapi ynë i parë ishte angazhimi për dekarbonizimin e 6000 ndërtesave në Itaka. Ishte një propozim i shtrenjtë, që do të kërkonte një investim të madh, më të madh se paratë që kishim në dorë. Kështu që Itaka krijoi një partneritet publik-privat që tashmë ka mbledhur 100 milionë dollarë dhe ka përfshirë shërbimet e një kompanie që e përshkruan fokusin e saj si “transformimi i ndërtesave urbane të vjetra në ndërtesa jo të dëmshme për mjedisin” – pikërisht ajo që i nevojitet Itakës.

Sot, qyteti po bën përparim të dukshëm drejt arritjes së qëllimit.

Ka edhe shembuj të tjerë, si për shembull, Yellow Springs, Ohio, që përdor 80 përqind energji gjeotermale. Ose Menlo Park, Kaliforni, që është në garë me Itakën për t’u bërë qyteti i parë i vendit pa karbon. Kushdo që të fitojë, do të jetë fantastike.

Qëllimi është se qeveritë lokale – qarqet, qytetet dhe qytezat – janë laboratorët idealë për zgjidhje novatore klimatike si kjo. Ato mund të veprojnë më shpejt dhe më shkathët se qeveritë ose agjencitë e mëdha kombëtare. Ata mund të angazhojnë mbështetjen e qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Dhe përpjekjet e tyre mund të ndihen më kuptimplote për ata që janë të frustruar nga ngadalësia e veprimeve në shkallë globale ose veprimeve tona personale të pakta, sado të rëndësishme të jenë ato. Kjo është arsyeja pse Akti i Reduktimit të Inflacionit të Presidentit Biden, i cili lehtëson këto zgjidhje, është kaq kritik.

Dhe kudo që jetojmë, të gjithë ne jemi përbërës të një ose më shumë autoriteteve lokale. Mund të shkojmë në mbledhjet e këshillit bashkiak dhe të flasim. Mund të kontaktojmë distriktin shkollor lokal. Ne mund të zgjedhim zyrtarë lokalë që do t’i bëjnë projektet e gjelbërta një prioritet dhe mund t’i inkurajojmë ata të përdorin resurset e qeverisë federale. Kjo është më e lehtë dhe më e arritshme sesa përpjekja për të pasur ndikim në Kongres (edhe pse ne duhet ta bëjmë edhe këtë).

Kanë mbetur edhe disa javë verë. Temperatura më të larta dhe stuhi më ekstreme po vijnë. Dhe kur gjithë kjo të mbarojë, ka një shans real që viti 2023 të bëhet viti më i nxehtë ndonjëherë.
Tani është koha për të vepruar dhe për të nxitur qeveritë lokale të udhëheqin.

Marrë nga “The Hill”

Përktheu: Orges Zaimi

Të fundit