“Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës në maqedonisht, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë ndonjë garanci nga partnerët bullgarë se nuk do të kishte më pengesa të reja për integrimet evropiane të Maqedonisë pas ndryshimeve kushtetuese, përcjell KDP.
Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një debat të Kongresit për rajonin muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me qeverinë e re bullgare për të siguruar që të mos ketë kërkesa të reja pasi vendi të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjeve ekzistuese.
“SHBA-ja mbështet fuqishëm integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Një Bashkimi Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme dhe për të mbështetur anëtarësimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.
Më 18 gusht është caktuar seanca për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, pra për votimin e nevojës për ndryshime në Kushtetutë.
“Për të vazhduar aspiratat e saj për BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është zotuar të miratojë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Ne e mbështesim fuqimisht këtë hap të vështirë, por të domosdoshëm”, i tha Escobar Kongresit së fundmi.
Për momentin, nuk ka konsensus mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet që do t’i lejojnë bullgarët të hyjnë në Kushtetutë, kusht për hapjen e kapitujve të negociatave.
Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase në maj, tha se duke mbështetur ndryshimet kushtetuese, opozita mbështet rrugën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut, jo kryeministrin.
“Nuk po i kërkojmë opozitës të mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Ajo është e arsyeshme, mendoj tani për tani, dhe ne duhet të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj që të gjitha palët e spektrit politik të mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të mund të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut”.
Presidenti bullgar Rumen Radev, nga ana tjetër, tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm “kusht paraprak për fillimin e negociatave për anëtarësim” dhe se nuk shter kushtet që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut.