Partitë politike pritet të nënshkruajnë një Manifest për integrim në BE ku do të rikonfirmojnë përkushtimet e tyre për plotësimin e kritereve, midis tjerash, edhe të ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga Propozimi Francez, përcjell KDP.
“Përtej këtyre detyrimeve, çështjet dypalëshe që lidhen me marrëveshjet e ndërsjella për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që nuk lidhen drejtpërdrejt me legjislacionin e BE-së dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, nuk do të pranohen si dispozita, nga të cilat do të varet hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe klastereve gjatë negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare.”, thuhet në Manifest.
KDP më poshtë ju sjell tekstin integral:
MANIFEST I PARTIVE POLITIKE TË PËRFAQËSUARA NË KUVEND LIDHUR ME NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM TË PLOTË TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT NË BASHKIMIN EVROPIAN
Të prirë nga përcaktimi i shprehur qartë i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësie etnike, dhe nga konsensusi i shprehur qartë i të gjitha subjekteve politike për anëtarësim me të drejta të plota të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian,
Duke theksuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian paraqet synim strategjik me rëndësi jetike për mbarë shoqërinë,
Duke u nisur nga vlerat e përbashkëta të pranuara evropiane dhe të vetëdijshëm për nevojën për përmbushje efikase të standardeve dhe kritereve për anëtarësim, që burojnë nga Kriteret e Kopenhagës dhe Procesit të Stabilizim-Asociimit, përmbushja e të cilave çon drejtë institucioneve të qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut, respektim dhe mbrojtje të së drejtave të komuniteteve, ekonomi tregu funksional, të aftë për t’u përballuar me konkurrencën dhe fuqitë e tregut të BE-së, dhe aftësi për të pranuar dhe zbatuar në mënyrë efikase detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë edhe respektimin e objektivave të unionit politik, ekonomik dhe monetar, si dhe bashkëpunimit produktiv rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,
Duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është vend kandidat që nga viti 2005 dhe partner i ngushtë i Bashkimit Evropian, si pjesë e Procesit të Stabilizim -Asociimit, që është në fuqi që nga viti 2004, duke u bërë vendi i parë në rajon që firmosi Marrëveshjen për këtë, si bazë për bashkëpunim të gjerë në një numër të madh fushash, me çka Maqedonia e Veriut vazhdon t’i zbatojë tërësisht detyrimet e saja të përcaktuara,
Duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars 2020, të cilat u miratuan njëzëri nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, dhe me të cilat mirëpritet vendosmëria e demonstruar e Maqedonisë së Veriut për të avancuar agjendën e reformave në lidhje me procesin aderues, si dhe të arriturat dhe rezultatet konkrete dhe të qëndrueshme, me të cilat u plotësuan kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim dhe vendimin unanim për hapjen e negociatave për anëtarësim,
Duke marrë parasysh konkluzionet e Kuvendit lidhur me Informacionin për Përmbajtjen e Propozim-Kornizës Negociatore për Negociatat për Anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të propozuar nga presidenca e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian më 30 qershor 2022, miratuar më 16 korrik 2022,
Duke marrë parasysh Konferencën e parë Ndërqeveritare për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian të mbajtur më 19 korrik 2022 në Bruksel,
Duke konfirmuar vendosmërinë për udhëheqje efikase dhe cilësore të negociatave për anëtarësim në BE, që do të jetë një hap kyç në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian drejt realizimit të qëllimit strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian,
Duke konfirmuar rolin dhe kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore,
Ne, liderët e partive politike të përfaqësuar në Kuvend:
Të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë historike për zhvillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, që paraqet synim të përbashkët strategjik të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve të tij,
Çmojmë se interes thelbësor shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut është përfundimi sa më cilësor i mundshëm i procesit negociator dhe rrjedhimisht anëtarësimi i plotë sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.
Duke u nisur nga synimi i shprehur që Maqedonia e Veriut ta arrijë gatishmërinë për anëtarësim të plotë në vitin 2030,
Ne, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, me veprimet tona do të zotohemi që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë në kushte sa më të favorshme të mundshme dhe Brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm kohor, plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE.
Qëllimi politik i Maqedonisë së Veriut është të ruajë pandashmërinë, integritetin dhe tërësinë e territorit shtetëror, si shtet anëtar në BE, si dhe vazhdimësinë, mbrojtjen e identitetit, traditës, gjuhës dhe vlerave shoqërore të qytetarëve të saj, duke forcuar kështu kontributin e Maqedonisë së Veriut në vlerat e përbashkëta evropiane, si dhe në proceset shoqërore dhe kulturore evropiane, duke pasuruar dhe duke kontribuar kështu për mirëkuptim më të mirë ndërmjet shteteve, popujve dhe qytetarëve,
Njëherësh, jemi të vendosur për realizimin dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga kriteret politike për anëtarësim në BE, veçanërisht në drejtim të avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe forcimit dhe promovimit të mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut si dhe të drejtave të bashkësive.
Konfirmojmë rëndësinë e zhvillimit të dialogut të vazhdueshëm dhe veprimit të harmonizuar në procesin negociator për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, veçanërisht në pjesën e harmonizimit të legjislacionit nacional me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe zbatimit të tij, me fokus – luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës.
Duke qenë se negociatat e anëtarësimit me BE-në do të zhvillohen në përbërje të ndryshme parlamentare dhe qeveritare, konfirmojmë nevojën e vendosjes së bashkëpunimit të përforcuar ndërmjet të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, proces i cili do të realizohet në vijimësi, pavarësisht nga përbërja e shumicës qeverisëse.
Negociatat me Bashkimin Evropian do të udhëhiqen nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Njëherësh, duke pasur parasysh se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është shprehje e vullnetit të shumicës dërmuese të qytetarëve të vendit, konfirmojmë se në Kuvend do të bashkëpunojmë për përmbushjen e këtij objektivi duke ndarë bashkërisht përgjegjësinë dhe meritat, gjatë gjithë procesit negociator.
Negociatat do të zhvillohen në bazë të informacioneve të plota dhe publike dhe përfshirjes së plotë, si dhe menaxhimit të hapur dhe transparent të procesit, për kohëzgjatjen e të cilit të gjitha palëve të interesuara do t’u garantohet e drejta për qasje në informacione dhe dialog, përmes mekanizmave tani më të krijuara, siç është Këshilli Nacional për Euro-integrime, por edhe të tjerë, në mënyrë që opinioni më i gjerë të ketë mundësi të shprehë mendimin e tij lidhur me kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pajtohemi të bashkëpunojmë brenda trupave punuese të Kuvendit me qëllim të përforcimit të përgjegjësisë së përbashkët, sigurimit të interesit të gjerë publik dhe përforcimit të pajtueshmërisë së përgjithshme shoqërore, si dhe sigurimit të kushteve pozitive politike parlamentare për zhvillimin e negociatave për anëtarësim.
Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend do të kenë mundësi të shprehen dhe të japin rekomandime për çdo çështje lidhur me qëndrimet negociatore për kapitujt e veçantë në dialog të ndërsjellë me Qeverinë në kuadër të Kuvendit,
Theksojmë nevojën për aktivitete të shtuara të përbashkëta për informimin cilësor dhe në kohë për të gjitha aspektet që lidhen me Bashkimin Evropian, procesin e negociatave, si dhe për përfitimet e anëtarësimit të plotë në një dialog të hapur me të gjitha subjektet shoqërore.
Theksojmë edhe rëndësinë e rolit aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të vendosin për anëtarësimin në BE përmes referendumit që do të mbahet para nënshkrimit të Marrëveshjes për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e obligon Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që përmes delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, Sekretariatit për Çështje Evropiane, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekipit negociator të ekspertëve t’i përmbahet në vazhdimësi përcaktimit për respektim të pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente që nuk negociohen me Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, Kuvendi e obligon Qeverinë që negociatat t’i zhvillojë në baza të barabarta dhe parimore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare, me respekt të pa rezervë për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas, si dhe në pajtim të plotë me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 29 korrik 2021.
Gjatë negociatave për anëtarësim deri në përfundimin e tyre me nënshkrimin e Marrëveshjes për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe pas pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare e plotëfuqishme në BE, Qeveria nuk do të pajtohet të bisedojë për një zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase nga ajo që theksohet në kornizën negociatore.
Me pranimin si anëtare me të drejta të plota në BE të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuha maqedonase do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa asnjë shpjegim, shtesë apo fusnotë.
Korniza negociatore obligon përgatitjen e tre udhërrëfyesve, dy prej të cilëve do të jenë dispozita hapëse për Klasterin Themele, gjegjësisht udhërrëfyes të veçantë kushtuar Sundimit të Ligjit dhe Reformës së Administratës publike dhe një që nuk është dispozitë hapëse dedikuar Funksionimit të institucioneve demokratike.
Në kuadër të udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, ekziston obligim për përgatitjen e një Plani të Veprimit për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave dhe bashkësive, duke përfshirë jodiskriminimin, luftën kundër gjuhës së urrejtjes, arsimimin, vendosjen e masave efektive, mekanizmat e raportimit dhe identifikimin e institucioneve kompetente.
Përtej këtyre detyrimeve, çështjet dypalëshe që lidhen me marrëveshjet e ndërsjella për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që nuk lidhen drejtpërdrejt me legjislacionin e BE-së dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, nuk do të pranohen si dispozita, nga të cilat do të varet hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe klastereve gjatë negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare.
Kuvendi e obligon dhe e udhëzon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjitha organet kompetente të ngarkuara me politikën e jashtme dhe negociatat për anëtarësim në BE, të veprojnë në kuadër të pozitave të përcaktuara me këtë Deklaratë.