E hënë, 20 Janar, 2025

MANIFESTI PËR BE – A PO HIDHEN THEMELET E REPUBLIKËS SË PESTË – EVROPIANE?

Shkruan: Enis Shaqiri

Partitë me orientim pro-evropian kanë pranuar të nënshkruajnë një dokument të përbashkët, të quajtur “Manifest për mbështetjen e procesit të negociatave për integrimin e RMV-së në BE”, me qëllim që të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për këtë proces.

Nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 vendi ka për orientim strategjik integrimin në BE, njëjtë si atë në NATO, i përmbushur në vitin 2020 pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë me të cilën u mbyll problem i dypalësh për emrin. Tani, për të mbyllur problemi me Bullgarinë, që prek historinë e maqedonasve etnik, nevojiten ndryshime kushtetuese me qëllim edhe bullgarët etnik të përfshihen në Kushtetutë, në përputhje me Propozimin Francez të vitit të kaluar i cili buron nga Traktati i Miqësisë së Mirë, i nënshkruar nga kryeministrat e të dyja vendeve në vitin 2017.

Partitë nga kualicioni qeverisës në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se do ta nënshkruajnë Manifestin, ndërkohë që opozitarja VMRO-DPMNE ka njoftuar se nuk e pranon këtë dokument.

Manifesti i Krushevës në vitin 1903 vlerësohet si themel i Republikës së Parë, ASNOM-i në 1944 si i Republikës së Dytë, pavarësia e 1991 si Republika e Tretë, Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001 si bazë e Republikës së Katërt, ndërkohë Manifesti për Evropë nga analistët vlerësohet si nisje e formësimit të Republikës së Pestë, të Maqedonisë së Veriut si shtet modern dhe anëtar fuqiplotë i strukturave euroatlantike.

ÇKA THOTË MANIFESTI?

Manifesti është iniciativë e Bashkimit Demokratik për Integrim, Lidhja Social demokrate e Maqedonisë, Aleanca për Shqiptarët, Partia e re social-demokrate, Partia Liberale Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Partia Lëvizja e Turqve, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë, OBRM-Partia Popullore, Partia e Pensionistëve dhe Partia e Serbeve, dhe mbetet e hapur për mbështetje të gjerë shoqërore.

Në manifest thuhet se partitë politike në Kuvend, pavarësisht nga përbërja e shumicës qeverisëse, angazhohen të bashkëpunojnë por edhe ta zhvillojnë procesin e negociatave në mënyrë krejtësisht të hapur dhe transparente me qëllim që publiku më i gjerë të ketë mundësi ta shpreh mendimin e tij lidhur me kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Theksojmë edhe rëndësinë e një roli aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të vendosin për anëtarësim në BE përmes një referendumi që do të mbahet para nënshkrimit të Marrëveshjes për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave”, thuhet në Manifest.

Manifesti gjithashtu e obligon Qeverinë që në mënyrë konzistente t’i përmbahet përcaktimit për respektimin e pakushtëzuar të veçorive të gjuhës, identiteteve, historike dhe kulturore të komuniteteve, si elemente të panegociueshme me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Qeveria nuk do të pranojë të diskutojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase përveç asaj që është përcaktuar në Kornizën negociuese.

PARTITË NË PUSHTET “PRO”, VMRO-DPMNE “SKEPTIKE”

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një njoftimi kanë deklaruar se mbështesin fuqishëm Manifestin e liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend që ka të bëjë me zhvillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Nga BDI thonë se mbështetja e vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila për 20 vite mban barrën e integrimeve, dhe vlerësojnë se tani është koha që të bashkohen të gjithë liderët politikë që përmes këtij hapi të obligohen për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE.

“Duke potencuar se integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian paraqet qëllim strategjik për vendin, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbështet fuqishëm Manifestin e liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend që ka të bëjë me zhvillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE.Mbështetja e BDI-së vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila për 20 vite mban barrën e integrimeve. Ndaj, BDI-ja beson se është koha që të bashkohen të gjithë liderët politikë përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE”.

Njëjtë edhe Aleanca për Shqiptarët e mbështet fuqishëm Manifestin e përbashkët për zhvillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Nga kjo parti thonë se edhe si opozitë dikur, kanë mbështetur të gjitha vendimet “pro” procesit për anëtarësim në BE, dhe vlerësojnë se tani është momenti që të gjithë të bashkohen për zhvillim efikas të bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE.

“Aleanca për Shqiptarët (ASh) mbështet fuqishëm Manifestin për zhvillim e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Mbështetja e ASh-së vjen si rezultat i promovimit të fuqishëm të integrimeve në BE, si parti e cila në shumë momente të rëndësishme, duke qenë edhe në opozitë ka mbështetur të gjitha vendimet dhe proceset që lidhen me integrimin e vendit në BE. Ndaj, ASh beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet apolitike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE”.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) poashtu jep përkrahje për Manifestin. Nga PDSH thonë se ”duke u nisur nga përcaktimi programor i PDSH-së dhe interesit strategjik të vendit, Ne si Parti Demokratike Shqiptare gjithmonë mbetemi të përkushtuar në përfundimin e procesit integrues”.

Partitë me këtë manifest apelojnë që Kuvendi të miratojë amendamentet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare, ndërsa Qeveria dhe të gjitha autoritetet kompetente për politikë të jashtme të veprojnë në kuadër të qëndrimeve të përcaktuara në Manifest.

Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE është shprehur skeptike ndaj Manifestit. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoilkovski thotë se “me këtë hap pushteti edhe një herë lëshoi mundësinë për konsensus”.

“Janë ulur Bujar Osmani, Artan Grubi ndoshta edhe Bojan Mariçiqi kanë shkruar një dokument që e kanë titulluar manifest dhe pasi vet e kanë definuar e kanë lëshuar në formë të komunikatës përmes shërbimit të LSDM-së me thirrje VMRO-DPMNE-së që të pranojë një dokument të shkruar. Përveç se me këtë hap ata pranojnë se nuk kanë lëvizur asnjë milimetër në drejtim të realizimit të interesave strategjike të vendit, ata tregojnë dhe mungesë të kapacitetit të plotë për të ndërtuar konsensusin. VMRO-DPMNE-ja, pasi zyrtarisht ta marrë këtë dokument, nëse ka bazë për ta shqyrtuar, do ta analizojë dhe do të del me qëndrimin”, thotë Stoilkovski.

ANALISTËT: MANIFESTI – PARADHOMË E “FRONTIT EVROPIAN”

Qenan Aliu

Analisti politik, Qenan Aliu, është i mendimit se Manifesti, në sensin kuptimor, është deklaratë me shkrim që në vete ngërthen postulate programore për një çështje të rëndësishme, si në rastin konkret politikë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa si dokument shpërfaqet si produkt i idesë, për formimin e të ashtuquajturit “Front Evropian”. Ai në një prononcim për KDP.MK, thotë se më shumë rëndësi ka numri i duhur i deputetëve për të votuar amandamentet kushtetutese, se sa firmosja e këtij Manifesti.

Manifest në sensin kuptimor është deklaratë me shkrim që në vehte ngërthen postulate programore për një çështje të rëndësishme në rastin konkret politik. Si e tillë do të ishte shumë më e udhës kjo të firmosej nga subjektet politike pra të gjindej kompromisi qysh në fillimin e procesit dhe për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Kjo që po bëhet tani, Manifesti si dokument shpërfaqet si produkt i idesë, për formimin e të ashtuquajtirut  Fronti për Evropë”, thotë Aliu.

Sipas tij, “me këtë stil të të bërit politi, me Fronte, edhe më shumë vijmë tek polarizimi i shoqërisë duke stigmatizuar pjesën tjetër sikur ata nuk janë për në Evropë”.

“Fundja me rëndësi është se a do ta votojnë numri i duhur i deputetëve ndryshimin e Kushtetutës e jo se cilët do ta firmosën këtë Manifest. Fundja edhe Manifesti është në kuadër të propagandës politike e shumë pak në kuadrin e vullnetit të pastër të integrimit të vendit”, thekson Aliu, duke shtuar se “integrimi i vendit varet nga rreformat dhe standartet në zbatimin praktik në shtet ,e jo nga përmbajtja e një manifesti politik.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit