E hënë, 20 Janar, 2025

ISH-KREU I OFAC: SANKSIONET DO TË ISHIN MË EFEKTIVE NËSE BE-JA DO T’IU BASHKOHEJ

Sanksionet janë të fuqishme kur Shtetet e Bashkuara i vendosin vetë, por ato bëhen edhe më të fuqishme kur iu bashkohen të tjerët, sikurse Bashkimi Evropian apo Mbretëria e Bashkuar.

Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, John Smith, ish-drejtor i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, kur komentoi sanksionet e fundit të vendosura nga ky institucion ndaj zyrtarëve në entitetin e Republikës Sërpska.

Smith ka punuar në OFAC për më shumë se 11 vjet dhe nga shkurti i viti 2015 deri në prill të vitit 2018 ka mbajtur postin e drejtorit.

Ai aktualisht gjendet në Uashington dhe është një nga avokatët kryesorë për çështjet e sigurisë në firmën ligjore “Morrison & Foerster”.

REL bisedoi me Smith pasi OFAC njoftoi për sanksionimin e katër zyrtarëve të lartë të Republikës Sërpska, përfshirë edhe të anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq.

Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë sanksionet ndaj aktorëve kryesorë në udhëheqjen e Republikës Sërpska dhe presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik – që veçse është nën sanksione të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) – izolim të mëtejmë të këtij entiteti dhe a e përjashtojnë atë plotësisht marrë parasysh se kryeministri, presidenti dhe kryetari i Asamblesë së Republikës Sërpska tani janë nën sanksione?

John Smith, ish-drejtor i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja.
John Smith, ish-drejtor i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja.

John Smith: E saktë. Mendoj se Qeveria amerikane po tenton të japë një mesazh të qartë se është e shqetësuar lidhur me lëvizjen e udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe po tenton që të shfaqë shqetësimet e saj.

Për të qenë të qartë, megjithatë kjo nuk nënkupton se vetë juridiksioni është i shkëputur nga SHBA-ja, por do të thotë se udhëheqësit janë sanksionuar dhe SHBA-ja nuk do të lejojë më asnjë bashkëveprim midis këtyre individëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nënkupton kjo për Bosnje e Hercegovinën, pasi veçse një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të nivelit të lartë të shtetit janë sanksionuar? Këto sanksione a shënjestrojnë vetëm individët dhe jo institucionet në çfarëdo forme?

John Smith: Disi janë të dyja. Ligjërisht, është kjo e fundit. Ligjërisht nëse sanksionet janë ndaj një individi, ato mund të prekin vetëm atë individë dhe gjithçka që ata kanë në pronësi, mbi 50 për qind e më shumë. Jo institucionet që mund të shihen se janë nën kontrollin e ligjit amerikan. Sanksionet prekin vetëm gjërat që të sanksionuarit kanë në pronësi.

Kjo është përgjigja në aspektin ligjor. Por, përgjigja praktike është se këto sanksione sigurisht që kanë ndikim më të gjerë se vetëm ndaj individëve të sanksionuar.

Kjo do të thotë se çdo kompani amerikane, çdo bankë amerikane, dhe realisht çdo kompani e sofistikuar botërore, bankë dhe entitet do të mendohet dy herë para se të punojë me këta individë të lartë që shihen nga SHBA-ja si persona që kanë dalë nga shinat dhe që janë sanksionuar.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni që në rastin e Bosnjës, këto sanksione ndaj politikanëve të caktuar do të ishin më efektive nëse, për shembull, Bashkimi Evropian do t’iu bashkohej sanksioneve, veçanërisht sa i përket Millorad Dodikut, i cili është kritikuar nga anëtarët e Parlamentit Evropian dhe ekspertë nga rajoni?

John Smith: Sanksionet gjithmonë kanë më shumë ndikim kur më shumë juridiksione i vendosin ato.

Pra, kur SHBA-ja e vetme vendos sanksione, ato janë të fuqishme sepse ekonomia e SHBA-së dhe Qeveria amerikane shihen si të fuqishme në mbarë botën. Por, sanksionet kanë më shumë ndikim dhe janë më efektive kur më shumë juridiksione u bashkohen atyre.

Prandaj, përgjigja sigurisht është se nëse BE-ja, Mbretëria e Bashkuar apo të tjerët do t’iu bashkoheshin gamës së plotë të sanksioneve, ato do të kishin më shumë ndikim, veçanërisht nga BE-ja, marrë parasysh lidhjen e ngushtë gjeografike midis BE-së dhe Bosnje e Hercegovinës.

Radio Evropa e Lirë: Ekziston përshtypja se shumë individë apo organizata nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e sanksioneve, dhe nëse flasim për numra, si mund të krahasohet Ballkani me pjesë të tjera të botës? Ku qëndron Bosnja në atë listë? Sigurisht, kanë kaluar disa vite që ju keni punuar drejtpërdrejt me OFAC-un, por si radhitet rajoni i Ballkanit në këto lista sanksionesh?

John Smith: Ka dy mënyra se si do t’i përgjigjem kësaj. Njëra mënyrë është se Ballkani është një juridiksion dhe rajon relativisht i vogël, në aspektin e numrave. Nuk ka numër të lartë në krahasim me juridiksionet e tjera.

Thënë këtë, nëse shikoni tërësinë, fakti është se mund të ketë mijëra entitete që janë sanksionuar gjatë viteve në programin e Rusisë apo për shumë e shumë vite në programin e Iranit. Kjo mori kohë, por këto juridiksione duhet theksuar se janë jashtëzakonisht më të mëdha.

Prandaj, shqetësimet e SHBA-së janë serioze sepse bazuar në madhësinë e rajonit, ky është numër i madh i veprimeve gjatë viteve të fundit.

LEXOJE TE PLOTE NE REL

Të fundit