Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj në Kosovë, për vrasjen brutale të një vajze të ndodhur dy vite më parë, u përcoll me shtrembërime dhe me pasaktësi në disa media në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.
Këto media dezinformuan se vrasja ka ndodhur në Serbi, apo në jug të Serbisë, duke implikuar se Ferizaji është qytet në në Serbi, edhe pse Maqedonia e Veriut ndër të parat e pranoi Kosovën si shtet të pavarur.
Poashtu, në raportimet e tyre u tha se vrasësit janë shtetas të Shqipërisë, edhe pse autori i krimit është i Kosovës. Për të ndërtuar rrëfimin u tha se vajza e vrarë është serbe, edhe pse ajo është shqiptare nga Kosova. Rrëfimi i paraqitur në disa media në gjuhën maqedonase është se “dy shqiptarë të Shqipërisë përdhunuan dhe vranë një serbe nga një qytet në jug të Serbisë”.
Tragjedia ka ndodhur në vitin 2021, kur autori vrau dhe përdhunoi të renë 18-vjeçare nga Ferizaji. Vajza ishte në lidhje jashtëmartesore me një nga vrasësit, përndryshe autor edhe i krimeve të tjera, e në vrasjen e ka ndihmuar shoku i tij. Gjykata e dënoi vrasësin me burgim të përjetshëm, ndërsa ndihmësin e tij me 15 vite burg.
Drejtori i Institutit për Media dhe Analitikë (IMA), Petrit Saraçini, shkruan se mediat në gjuhën maqedonase nuk raportuan faktet dhe me profesionalizëm, por me paragjykime dhe me gjuhë të urrejtjes.
“Fatkeqësisht, shumë media maqedonase nuk e bënë këtë, por publikuan tituj që përhapin dezinformata, shkelin Kodin e Gazetarëve duke bërë një sensacion nga një ngjarje tragjike e dy viteve më parë, e bile edhe duke manipuluar dhe nxitur mllef dhe jotolerancë ndëretnike. Tekste të mediave maqedonase me dezinformata për aktgjykimin e Gjykatës në Ferizaj të Kosovës Bile edhe ata që korrigjuan tekstet nuk e bënë ashtu siç e kërkon standardi profesional, me një KORRIGJIM dhe një KËRKIM FALJEJE nga lexuesit, por fshehtazi, duke korrigjuar dhe përmirësuar vetëm titujt në ueb-faqe dhe disa rreshta të botimeve, pa e informuar për gabimet publikun që tashmë kishte lexuar informata të pasakta”, shkruan Saraçini në reagimin e tij në Facebook.
Shkrimtari Kim Mehmeti shprehet i indinjuar nga ky joprofesionalizëm.
“Ja deri ku shkon dezinformimi dhe pafytyrësia e mediave maqedonase – nuk informojnë për atë që në të vërtet ka ndodhur por për atë që do donin të ndodhte. Është tepër e rëndë me të tillë të ndërtosh shtet të përbashkët?! Dhe të vetëgënjehesh se ata ta duan të mirën! Siç është tepër e lehtë të paramendosh se ç’mendim kanë ata për ne shqiptarët! Thjesht ata që i përbëjnë elitat maqedonase vuajnë nga një sëmundje për të cilën nuk ka ilaç – nga mendësia serbe dhe urrejtja ndaj shqiptarëve!”, shkruan Kim Mehmeti në faqen e tij në Facebook.
Gazetarja Diana Tahiri nga ekipi CIVIL Media reagon në një postim në Facebook për lajmin e publikuar nga Makfaxt lidhur me dhunën monstruoze që ka ndodhur në Kosovë. Lajmin e kësaj medie më vonë e ripublikuan shumë media tjera.
“Pra, kur publikohen lajme të tilla, duhet të merren parasysh të gjitha faktet, të kërkohen mediat e Kosovës dhe sigurisht që ka përkthyes që do t’i ndihmojnë mediat e tilla për të përcjellë lajmin. Dhe për të goditur territorin ku ka ndodhur një ngjarje e tillë”, shkruan Tahiri.