E hënë, 20 Janar, 2025

LAJÇAK PËRSHËNDET VENDIMIN E KOSOVËS PËR TËRHEQJEN E 25% TË POLICISË NË VERI

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka përshëndetur sot vendimin për reduktimin me 25 për qind të numrit të Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, e cila është miratuar në takimin e përfaqësuesve të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

“E mirëpres marrëveshjen e parë të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të tensionit në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në llogarinë e tij në rrjetin X, më parë i njohur si Twitter.

Policia e Kosovës më herët ka njoftuar se në takim është vlerësuar se gjendja e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore është e mirë.

“Në lidhje me këtë konkluzion të përbashkët, nga nesër do të fillojë zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind brenda dhe rreth objekteve komunale në veri”, thuhet në njoftim.

Të fundit