E hënë, 20 Janar, 2025

GABIMI I BULLGARISË DHE STRATEGJIA E SERBISË NDAJ RMV-së

Duke e pritur si më mirë Pendarovskin, Vuçiq përforcoi perceptimin e shumicës së maqedonasve etnik se “Serbia është miku më i madh, kurse Bullgaria kërcënimi më i madh” për to.    

Shkruan: Xhelal Neziri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e priti si më mirë dje homologun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski. Të dy u takuan në manastirin Prohor Pçinjski, aty ku u hodhën themelet e shtetit të Maqedonisë së Veriut më 2 gusht të vitit 1944 dhe u kodifikua gjuha maqedonase. Pasi e shoqëroi aty, Vuçiq bashkë me Pedarovskin udhëtuan në Vranjë në një drekë të përbashkët. Për të treguar afërsi dhe vëllezëri, Vuçiq madje postoi një foto në profilin e tij në Instagram ku shkroi:“Me Stevo Pendarovskin rrugës për në Vranjë, ku do ta presim siç i ka hije – specialitete serbe dhe verërat tona më të mira të shteteve dhe popujve tanë simotra. Rroftë miqësia e Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”..

Me ravijëzimin e kufijve të republikave jugosllave manastiri Prohor Pçinjski i takoi Serbisë, edhe pse ndodhet shumë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2004 Kisha Ortodokse Serbe (KOS) i ndaloi Shkupit të organizojë shënimin e shtetësisë në këtë vend, duke pamundësuar delegacionet politiko-kishtare maqedonase të vizitojnë vendin nga ku lindi Republika. Ky vendim i KOS-it ka pasur edhe mbështetjen e politikës në Beograd, të cilët kërkonin që të ruajnë ndikimin e tyre në RMV nëpërmjet mospranimit të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe formimin e një institucioni të ri kishtar, paralel me KOM-in. Kontesti kishtar Shkup-Beograd kishte luhatur shumë marrëdhëniet ndërmjet popujve, pasi mospranimi i KOM-it implikonte mospranimin e identitetit etnik maqedonas. Ndryshe nga identiteti i shqiptarëve, ai i popujve të religjionit ortodoks ka si shtyllë identitare edhe kishën autoqefale. Pra kisha, gjuha, historia, mitet, traditat dhe veçoritë tjera janë përbërësit e identitetit etnik maqedonas.

Kthesa e madhe ndodhi në vitin 2020, kur Bullgaria vendosi veto ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Kjo veto, që mori mbështetjen e të gjitha forcave politike bullgare, u shoqërua me ashpërsim të toneve në drejtim të mohimit të gjuhës dhe historisë së maqedonasve, duke pretenduar se para vitit 1945 nuk kanë ekzistuar si të tilla. Ky duket se ishte një moment i pritur gjatë kohë nga Beogradi. Ndikimi dhe kontrolli mbi Maqedoninë ka qenë burim rivaliteti midis Bullgarisë dhe Serbisë që nga Traktati i Shën Stefanit i vitit 1878, kur të dyja vendet fituan autonomi nga Perandoria Osmane. Ashpërsimi i qasjes së Bullgarisë nxiti zbutjen strategjike të Serbisë. Vitin e kaluar KOS pranoi autoqefalinë e KOM-it, duke e zgjidhur kështu një problem shumëdekadësh. Me këtë i vu pikë periudhës së kontestimit të identitetit etnik maqedonas, por njëkohësisht shënoi fillimin e “vëllazërisë serbo-maqedonase”. Ky rrëfim përshkoi edhe shoqërimin e djeshëm midis Vuçiqit dhe Pendarovskit. Në një moment kur Bullgaria paraqitet në media si gjithnjë e më armiqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, populli serb ofrohet si vëlla që “i merr në mbrojtje maqedonasit e rrezikuar”.

Kjo qasje strategjike e Beogradit duket se i jep rezultatet e pritura. Këtë e tregojnë gati të gjitha matjet e besueshme të opinionit publik. Në një anketë të realizuar nga think-tank-u “Eurothink” me qendër në Shkup shihet se 70.7% e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së opozitare e Hristijan Mickovskit mendojnë se Bullgaria është kërcënimi më i madh për Maqedoninë e Veriut. Te LSDM-ja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski kjo përqindje është edhe më e lartë, pra 80.9%, edhe pse kjo parti është promotorë e ndryshimeve kushtetuese me qëllim të përfshirjes së bullgarëve etnikë në Kushtetutë. Si kërcënim Bullgarinë e shohin edhe votuesit e BDI-së së Ali Ahmetit (58.7%), të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit (68.2%), të BESA-s së Bilall Kasamit (61.4%), kurse në përqindje më të vogël shfaqen mbështetësit e PDSH-së së Menduh Thaçit (24%). Në përgjithësi, Bullgarinë si kërcënim e shohin 71.5 për qind të maqedonasve dhe 55.6 për qind të shqiptarëve etnik.

Se kush është vendi më mik i Maqedonisë së Veriut në vend të parë, siç mund edhe të pritet, në anketat e fundit rezulton Serbia.  Këtë mendim e kanë 58.2 për qind e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së, 41.9 për qind të LSDM-së, 48.9 për qind të Levica-s së  Dimitar Apasievit. Si më miqësore te mbështetësit e partive shqiptare shihen NATO, BE, SHBA, Kosova dhe Turqia.

Kjo to të thotë se ndryshimi i kursit të Sofjes ndaj Shkupit në vitin 2020, kur Bullgaria nga një mbështetës i fuqishëm në procesin e integrimit euroatlantik u shndërrua në bllokues të palëkundur, ishte një lëvizje e gabuar strategjike që rëndë mund të përmirësohet. Apo siç e tha në origjinal kryeministri i asaj kohe, Zoran Zaev, ishte “teshka strateshka greshka (gabim i rëndë strategjik)”.

Duke e pritur si më mirë Pendarovskin, Vuçiq përforcoi perceptimin e shumicës së maqedonasve etnik se “Serbia është miku më i madh, kurse Bullgaria kërcënimi më i madh” për to.

 

 

Të fundit