Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton REL, përcjell KDP.MK
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimi.
Gjyqi për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani
Marigona Osmani u vra kur ishte vetëm 18 vjeçe. Më 4 gusht 2023, gati dy vjet pas vrasjes së saj, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
22 gusht 2021 – Marigona Osmani, 18-vjeçare, vdes . Dardan Krivaqa, i cili jetonte me Marigonën në bashkësi jashtëmartesore, si dhe Arbër Sejdiu, akuzohen se me dashje dhe në bashkëkryerje e vranë 18-vjeçaren në Ferizaj, në tentim për ta fshehur kryerjen e veprës penale dhunimi një ditë më parë.
14 korrik 2022 – Mbahet seanca fillestare e këtij rasti. Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm, ndërsa Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje.
23 gusht 2022 – Avokatët e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut kërkojnë hudhjen e aktakuzës.
2 shtator 2022 – Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut u konfirmohet aktakuza, pasi gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, hedh poshtë kërkesën për hudhje të aktakuzës.
24 janar 2023 – Gjyqtari Sahit Krasniqi aprovon propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Raporti i Institutit të Forenzikës konstaton se Krivaqa nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.
6 korrik 2023 – Dardan Krivaqa sërish mbrohet në heshtje.
1 gusht 2023 – Jepen fjalët përfundimtare. Avokati i familjes së 18-vjeçares së vrarë kërkon dënim maksimal, ndërsa avokati i Krivaqës thotë se, kur të merret vendimi për dënimin, duhet të merret parasysh që “vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.
4 gusht 2023 – Shpallet aktgjykimi.
Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.
Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.
Çfarë u kërkua në fjalën përfundimtare?
Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.
Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.
Ndërsa, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.
Pesëdhjetë gra të vrara në 12 vjet
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.
Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.
Kërkohet dënim maksimal
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një protestë para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për këtë rast.
“Prej vendimit të sotëm presim dënim maksimal, pavarësisht se jemi goxha skepktike, duke u bazuar në atë që gjykatat në të kaluarën kanë treguar se japin vendime shumë të ulëta për kryerësit e veprave, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën gjinore dhe dhunimet“, tha një pjesëtare e kësaj organizate.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha, po ashtu, para organizimit, se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa me ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmanit derisa ajo vdiq.
“Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot, nëse shteti do ta mbronte me kohë atë”, u tha në reagim.
Me gjithë provat e paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.
Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.
Vrasjen e kreu bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten./REL/