Si tek partitë politike shqiptare njëjtë edhe tek ato maqedonase, gjithnjë e më të zëshme po bëhen lëvizjet apo fraksionet politike brenda partiake, të cilat synojnë të zënë një hapësirë të caktuar në skenën politike të vendit. Çka do të thotë kjo për demokracinë dhe qytetarët?
Shkruan: Enis Shaqiri
Për ish ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, numri i partive politike është një shenjë e demokracisë në shoqëri. Ruzhin, duke folur për portalin kdp.mk shprehet se përgjatë historisë së RMV-së, ka pasur momente kur kanë egzistuar edhe nga njëzet parti politike, por ndonjëherë ato parti, sipas tij kanë qenë vetëm pro-forma, ndërsa në disa raste si “one man one-show“.
“Numri i partive politike është një shenjë e demokracisë në shoqëri. Ka pasur momente gjatë historisë së shtetit tonë kur kemi pasur edhe rreth njëzet parti politike, por ndonjëherë ato parti kanë qenë vetëm pro-forma, ndërsa në disa raste “one man one-show”, por pavarësisht kësaj, shohim ndodhi të rëndësishme në kontekstin politik. Pra bëhet fjalë për një proces me interes të madh, i cili ndodh vazhdimisht me intensitet të ndryshëm në të gjitha shtetet që kanë promovuar sistem shumë-partiak dhe demokratik”, thotë Ruzhin.
Pas themelimit të Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, dhe partisë në formim e sipër të zv/kryetarit të Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, në opinion po spekulohet se edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, së shpejti mund të formojë subjekt të ri politik, pasiqë prej kur ka ardhur në pozitë, i ka prishur relacionet me VMRO-DPMNE-në, e cila e solli në pushtet. Ideja e Arsovskës, siç edhe mësohet, ekziston prej kohësh dhe bazohet në vlerësimin e këshilltarëve të saj se ka pasur mbështetje të madhe nga qytetarët, gjegjësisht intelektualët, shoqëria civile, pjesë e votuesve të pavendosur. Kjo ide është nxitur nga rezultatet e anketës së fundit të publikuar nga IRI, ku thuhet se 19 për qind e të anketuarve mendojnë se Arsovska duhet të rizgjidhet kryetare e kryeqytetit, 29 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 53 për qind negative.
Analisti politik Nano Ruzhin, vlerëson se momentalisht bëhet fjalë për një proces me interes të madh, i cili sipas tij, ndodh vazhdimisht në të gjitha shtetet që e kanë të promovuar sistemin shumë-partiak dhe demokratik, por me intensitete të ndryshme. Ruzhin thekson se në Maqedoninë e Veriut mungon kultura politike, gjë që e bën të vështirë ekzistencën e fraksioneve legale, dhe si pasojë e kësaj situata vijonë deri tek krijimi i partive politike të rreja
“Një shembull konkret është që nga dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, kanë dalë shumë parti politike të tjera. Për shembull, nga LSDM doli NSDP e Tito Petkovskit. Nga pavarësia e deri më tani nuk e di saktë numrin e partive që janë formuar, e që janë shkëputur nga dy partitë më të mëdha. Është krejtësisht e kuptueshme kjo, është proces në të gjitha shtetet. Tash e shohim edhe me Grupin e Zjarrit, që po formon parti të re politike. Shohim se diçka po ndodh edhe në relacionin LSDM-Maksim Dimitrievski, por edhe në subjekte tjera kemi grupe formale apo joformale që kanë tendencë të shkëputen nga partitë e tyre politike”, thotë Ruzhin.
Maksim Dimitrievski, ish funksionar i lartë i LSDM-së, njëherit kryetar i komunës së Kumanovës, gjatë kohë dhe konkretisht po punon për të formuar parti, me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Dimitrievski në emisionin “Studio 10” në Tv24, ka informuar se ka qëllim që së bashku me ata që mendojnë njëlloj si ai, të formojë një lëvizje të re politike. Parti pritet të formojë edhe Nikolla Dimitrov, ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Ruzhin shton se përpara zgjedhjeve parlamentare, është e pritshme që ky proces të intensifikohet dhe kjo, sipas tij, është krejtësishtë normale.
“Është e pritshme që ky proces të intensifikohet para zgjedhjeve dhe kjo është krejtësisht normale. Të konstatoj: e para, me vetë faktin se jetojmë në një shoqëri liberale dhe demokratike, pavarësisht dobësive, megjithatë ekziston tendencë për formimin e partive të reja politike në bazë të shkëputjes apo si iniciativë e re; e dyta, fakti se nuk ekziston fraksioni brenda partive, pasi liderët e shohin si rrezik për kontrollin mbi partitë, është një nga faktorët që ndikojnë në formimin e partive; dhe e treta, këto tendenca forcohen veçanërisht para zgjedhjeve parlamentare”, thekson Ruzhin.
Ndryshe, në vitin e ardhshëm pritet të mbahen dy cikle zgjedhore: në pranverë janë paraparë zgjedhjet presidenciale ndërkohë në vjeshtë ato parlamentare. Nuk përjashtohet që të dyja ciklet të mbahen në një ditë, në pjesën e pare të vitit të ardhshëm, varësisht nga epilogu i ndryshimeve kushtetuese.