VMRO-DPMNE do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, edhe pse ka qenë më e zëshme kundër kësaj. Mëse nuk do t’i votojë, kjo parti nuk do t’i bllokojë të ndodhin kah fundi i këtij viti. Këtë për Televizionin Nacional Bullgar BNT e ka deklaruar gazetari dhe analisti nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xhelal Neziri, përcjell KDP.
Ai tha se dorëheqjet kolektive të ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim janë vazhdimësi e politikës së liderit të saj Ali Ahmeti, i cili ishte shumë i përfshirë në përgatitjen dhe zbatimin e Propozimit Francez nga viti i kaluar.
Intervistën e plotë VIDEO e gjeni KËTU
BNT: Si i shikoni dorëheqjet e ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët janë shqiptarë etnikë dhe që i kanë dorëzuar ditë më parë? A është ky PR apo po tregojnë një përkushtim serioz për shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese në parlamentin maqedonas?
Neziri: Me këto dorëheqje, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i hapi rrugën votimit të ndryshimeve kushtetuese. Në këtë mënyrë, BDI përmbush një nga kushtet që VMRO-DPMNE-ja i ka vendosur në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe në këtë mënyrë kontribuon në zgjidhjen e kësaj krize politike në aspektin e integrimeve evropiane. Kështu, ky proces ka gjasa të zhbllokohet dhe vendi të vazhdojë të ecë përpara në procesin e negociatave me BE-në. Më lejoni t’ju kujtoj se Propozimi Francez si zgjidhje vitin e kaluar erdhi me iniciativën e Ali Ahmetit, i cili është kreu i BDI-së. Ai ishte shumë aktiv në këtë temë, si në kontaktet me Sofjen ashtu edhe në përshpejtimin e proceseve në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i tij ishte të krijonte një atmosferë ku të dy palët mund të afroheshin dhe të arrinin një kompromis. Kjo mori formën e “Propozimit francez”. Prandaj, mendoj se kjo lëvizje është vazhdimësi e vizionit të BDI-së dhe liderit të saj, që Maqedonia e Veriut të ecë më guximshëm dhe më shpejt drejt BE-së dhe kjo mund të bëhet vetëm duke hapur kapitujt e parë dhe duke përmbushur kriteret që janë vendosur nga Brukseli.
BNT: Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni kanë një politikë mjaft divergjente dhe disa prej tyre duan që gjuha shqipe të hyjë si gjuhë e dytë zyrtare, së bashku me hyrjen e bullgarëve maqedonas në kushtetutën e vendit tuaj, a është kështu?
Neziri: Kohë më parë edhe kam shkruar se kërkesa të ngjashme që kanë ekzistuar gjatë ndryshimeve të mëparshme kushtetuese në vitin 2018, kur duhej të zbatohej Marrëveshja e Prespës, kur vendi ndryshoi emrin dhe më pas kërkohej të hiqej 20% që i referohej shqiptarëve etnikë në RMV. Kjo po propozohet sërish sot pasi do të hapet Kushtetuta, për shkak të angazhimeve të marra me “Propozimin francez” të BE-së, i cili është aneks i Traktatit të Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë. Këto kërkesa, përveçse të palogjikshme, janë gjithashtu rezultat i një përpjekjeje për të marrë pikë nga politika e ditore. Në vende si RMV, ku marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të brishta, operacionet e ngjashme me hapjen e Kushtetutës, nëse përdor fjalorin mjekësor, duhet të jenë minimalisht invazive. Për këtë mendoj se duhet një iniciativë e veçantë dhe çdo parti etnike shqiptare në Maqedoni që realisht punon për këtë kauzë dhe realisht mendon se kjo duhet të ndryshojë duhet të marrë një iniciativë të tillë dhe të ndryshojë vetë, por jo të përfitojë nga iniciativat e huaja. Sepse ajo do të ishte njëjtë sikur të bësh dasmë me muzikën e fqinjëve.
BNT: A mendoni se do të kalojnë ndryshimet kushtetuese në RSM?
Neziri: Mendoj se përfundimisht do të gjendet një zgjidhje. Jam optimist se VMRO-DPMNE përfundimisht do të votojë për ndryshimet kushtetuese. Mendoj se do të gjendet një mënyrë për t’i pranuar që të mos i bllokojnë. Dhe garancitë disi erdhën nga rezoluta e Bundestagut gjerman para një muaji për njohjen e gjuhës maqedonase, tani ka një iniciativë të ngjashme për të miratuar një rezolutë të ngjashme nga Kongresi amerikan, kështu që nuk mund të ketë më shumë garanci se këto, aq më tepër që me veprimin të BDI-së u realizua edhe një kërkesë tjetër e VMRO-DPMNE-së – të ketë një qeveri pa pjesëmarrjen e partisë së Ali Ahmetit, e cila do ta çonte vendin drejt mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta. Gjithashtu, partia e Ahmetit – BDI, u tërhoq nga marrëveshja me LSDM-në për të pasur kryeministër shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Në këtë mënyrë janë hequr të gjitha dilemat e opozitës dhe tani nuk e shoh pse VMRO-DPMNE nuk duhet të votojë ndryshimet kushtetuese. Dhe për këtë do të them sërish se jam optimist që në fund VMRO-DPMNE, nëse nuk votojë, të paktën nuk do t’i bllokojë.
BNT: Si i trajtojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut bullgarët dhe Bullgarinë duke pasur parasysh marrëdhëniet dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit?
Neziri: Sondazhet e fundit që u publikuan tregojnë se këto marrëdhënie midis maqedonasve etnikë dhe bullgarëve nuk janë shumë të mira sepse e vendosin Bullgarinë si vendin më armiqësor ndaj RMV-së dhe mendoj se vjen nga zhgënjimi për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë. Por kur bëhet fjalë për shqiptarët etnikë, rezultatet tregojnë se Bullgaria nuk është një vend armiqësor për ta. Kjo për shkak të politikës së saj konstruktive në lidhje me proceset në rajon dhe në veçanti ndaj Kosovës, dhe se ajo ishte ndër të parat që e njohu pavarësinë e saj. Në fund, mendoj se shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut e perceptojnë Bullgarinë si një vend mik.