Ibrahim Kadriu (1945), është ndër shkrimtarët më të njohur në Kosovë, një krijues që me plotë meritë ka zënë vend në letërsinë shqipe, në përgjithësi. Kritika letrare çmon se falë cilësisë, falë vlerave, shumica e 20 veprave të tij tashmë flasin në më shumë gjuhë të botës. Në fakt, Ibrahim Kadriu sot është shkrimtari më i përkthyer në Kosovë, ndërsa së bashku me Ismail Kadarenë, Fatos Kongolin e Luan Starovën, përbën listën e emrave të cilët kanë më shumë meritë që prurjet e letërsisë shqipe sot po kapërcejnë kufijtë e saj. Prandaj, është për të përgëzuar Shoqatën “Ars Albanica” që së fundmi, në mjediset e Universitetit të Tetovës, organizoi një takim me shkrimtarin dhe gazetarin e njohur me të cilin më lidh një miqësi që nga puna e përbashkët në të përditshmen qendrore shqiptare në ish-Jugosllavi, gazetën “Rilindja”, ku ishte një kohë të gjatë redaktor i rubrikës së kulturës…
Shkruan: Seladin XHEZAIRI
Në fakt, takimin e parë, në distancë me Ibrahim Kadriun e kam pasur nëpërmjet librit të tij “Qyteti i luleve”(1970), ndërsa më 2016-tën them që isha ndër të parët që nga autori mora romanin “Misioni rus”. Kritika letrare reagoi duke e radhitur ndër veprat më të mira të këtij fillimshekulli për shkak të temës që trajton, temës historike me theks të veçantë mbi raportet shqiptaro-ruse, saktësisht ndikimin e Rusisë në këto hapësira, natyrisht në kuptimin negativ dhe në funksion të politikës dhe orekseve serbomëdha që nga luftërat ballkanike, apo dhe më herët që Kosovën e donin pa shqiptarë e që shqiptarët i paraqisnin si njerëz të pashkollë, primitivë, njerëz me bisht të cilët “nuk bëjnë dallim mes sheqerit dhe borës”!
Prizreni, Vushtrria, Prishtina, Nishi, Shkodra, Shkupi, Kumanova, Tetova, Ulqini e Podgorica, por edhe Shën Petersburgu, janë ndër pikat e shumta ku lëvizin 120 personazhet e Ibrahim Kadriut, si pjesë e mozaikut ku zhvillohet drama për zhbërjen e shqiptarëve dhe qëndresa epike për t’iu kundërvënë zaptuesve të cilët nuk zgjidhnin mënyra e mjete për realizimin misionit të tyre të mbrapshtë:
“Para se t’ia mësynte shkallëve, ktheu kokën dhe shikoi rrugicën mbrapa. Nja njëqind metra larg pa një njeri që i afrohej një muri, që kishte një derë të hekurt. Ajo derë ishte e mbyllur, kurse muri, si i mbështetur në pjesën e gurtë mbi të cilën ngjiteshin muret e tjera, kishte edhe një pjesë në formë dritareje. Aty afër, pikërisht te dritarja, që kishte parmakë hekuri, e pa atë njeriun që i afrohej murit, por që tash qëndronte me shikim nga një dritare e vogël. Ai ishte një hoxhë, me shpinë të kthyer. Se ishte hoxhë u bind në bazë të fesit dhe mbështjellëses së bardhë. Nikollai u gëzua kur e pa, me bindje se nga ai hoxhë do të mësonte shumëçka për qytetin. Sikur i harroi shkallët nëpër të cilat mendonte të ngjitej, duke e lënë për më vonë ngjitjen lart. Mendonte se më vonë do të davaritej tërësisht ajo shtresë mjegulle dhe do ta shihte më mirë kalanë.
Iu afrua hoxhës nga shpina. Qëndroi pas tij, derisa ai e kishte afruar fytyrën nga dritarja, përmes së cilës, e vërteta, nuk mund të shihte thuaja asgjë, sepse brenda ishte errësirë e plotë. E përshëndeti. Hoxha shpejt e ktheu kokën dhe mbeti si i ngrirë. Njësoj u befasua edhe Ruslan Nikollaj. Para veti e shihte imamin e Prizrenit, Mulla Adnanin, me emrin e vërtetë Kazimir Olenko.
-A po më bëjnë sytë, a…? – shprehu habinë Ruslan Nikollai.
-Ore ti, jemi parë në Prizren?
-E di se pate shkuar në anën e Tetovës, ç’u bë me ty?
-Isha, kreva punën që duhej ta kryeja. Tash, si po më sheh, kam ardhur në Ulqin. Këtu më kanë thënë se kanë nevojë për imam dhe unë erdha…, – u përgjigj Kazimir Olenko, Mulla Adnani.
-Dhe, ke mundur të sistemohesh?
-Po. Këtu, në Ulqin, më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. M’i kanë siguruar të gjitha kushtet. Kishte edhe xhemat me numër të madh.
-Au, sa si më befasove, or mik. Ti ke përvojë të madhe në Ballkan, prandaj edhe rrugët i ke të kalueshme.
-E ti? – ndërhyri Kazimir Olenko.
-Unë, si po më sheh, vazhdoj misionin. Do të shkoj në Kosovë. Atje do të përpiqem të realizoj obligimin tim prej misionari në qytetin e Vushtrrisë. Ka kohë që kam ardhur këtu në Mal të Zi, kurse në këtë qytet për herë të parë po vij. Nesër e vazhdoj rrugën drejt Kosovës, përmes Shkodrës,” – thotë pena e Ibrahim Kadriut që shkruan me një vërtetësi për ngjarje reale të cilat si dëshmi i gjejmë edhe në shënimet e Edith Durhamit, në kronikat e kohës(1912) të Leon Trockit nga Shkupi të botuara në gazetën ruse “Kievskaja misl”, apo të austriakut Leo Frojdlih, po nga kjo periudhë, i cili flet më së miri në “Golgotha Shqiptare” për krimet serbo-ruse gjatë luftrave ballkanike në të cilat, sipas raporteve të kohës humbën jetën 250.000 shqiptarë. Për më tepër, Komisioni i njohur i Karnegit, në raportin e tij ka nënvizuar se “qëllimi i krimeve ishte që kërkesat serbe të ndihmohen me ‘spastrimin etnik’ dhe manipulimin statistikor, para konferencës së fuqive të mëdha që do të përcaktojë kufijtë e rinj”.
Gjithashtu, në roman, autori është mbështetur edhe në personazhe reale duke i ilustron me angazhimet konkrete të tyre, duke i zbuluar dhe bërë publike ngjarjet trishtuese të vrasjeve dhe masakrimeve të shqiptarëve në atë periudhë të hidhur kohore. Dhe, pikërisht kjo është ajo që i jep kuptim realitetit historik. Natyrisht, gjithnjë duke e ngritur më pas këtë realitet në fiksion, që është vlerë e mjeshtrisë, do të thosha origjinale e të rrëfyerit, e kapshme dhe e kuptueshme për çdo lexues.
E pyeta autorin nga i lindi ideja për personazhin e këtij “hoxhe” të kamufluar:
“Ideja për romanin “Misioni rus” më ka preokupuar që nga fundi i viteve të tetëdhjeta kur, me detyrë të reporterit të lire të gazetës “Rilindja” u takova me një të moshuar, që (aso kohe) ishte mbi njëqind vjeç, ndonëse, siç thoshte, nuk e dinte saktë se sa vjet i kishte. Ai ishte Azem Tahiri, me vendbanim në Prizren, por i lindur në Budakovë. Ai, me atë rast, duke folur për përvojën e tij jetësore, më thoshte se më 1906 e kishin ftuar të shkonte nizam, në ushtrinë e Sulltanit, por tregonte se nuk i ishte përgjigjur thirrjes, ndaj kishte ikur nga shtëpia…Megjithatë, më 1911, vesh uniformën ushtarake, të ushtrisë së mbretit dhe dërgohet në Shkup që ishte stacioni i parë për rrugët e mëvonshme ushtarake. Mirëpo, edhe nga Shkupi kishte ikur dhe kishte arritur fillimisht në Kashtanjevë e më pastaj në Budakovë. Azem Tahiri më pat treguasr se, kur ushtria kishte hyrë në Prizren (më 1912), nga Bajrakli Xhamia kishte dalë imami i cili e kishte përshëndetur xhematin duke i thënë se atë ditë përfundonte puna e tij… dhe, ndërkohë më pati thënë ai, e kuptuam se ai imam kishte qenë rus dhe se kishte shërbyer 20 vjet rresht pa e kuptuar kush se ishte rus! Ky ishte motivi fillestar për shkrimin e romanit “Misioni rus” e që, pastaj, me vite të tëra jam angazhuar të siguroja dëshmi të kohës, dëshmi historike…,” – më thotë Ibrahim Kadriu duke pranuar se për këtë roman i cili tashmë është i përkthyer në frëngjisht, turqisht dhe kroatisht, ka punuar vite të tëra, “duke grumbulluar e sistemuar të dhënat historike të cilat janë reale”.
Sigurisht, ky nënvizim, ky piketim i imi, është vetëm një shenjë për në botën e paanë letrare të Ibrahim Kadriut, i cili mbetet një emër i përveçëm në letërsinë shqipe me një opus të gjerë në zhanre të ndryshme letrare, në poezi, tregim dhe roman. Substancë e padiskutueshme e opusit të tij krijues, në veçanti atij romanor, janë realitet e thella historike shqiptare, të cilat shpërfaqen në të gjitha dimensionet e mundshme nëpërmjet një galerie personazhesh origjinale, situatash dhe një sfondi historik dhe shoqëror, që ngritet në art origjinal i njohur tashmë edhe në shumë gjuhë të botës nëpërmjet përkthimit të romaneve të tij.