Maqedonia e Veriut përkujton 120-vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit dhe 79-vjetorin e seancës së parë të ASNOM-it dhe krijimit të shtetësisë. Të dy ngjarjet kanë ndodhur më dy gusht dhe njihen si Ilinden i Parë dhe i Dytë, raporton KDP.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, mbrëmë në hapjen e manifestimit tradicional “Dhjetë ditët e Republikës së Krushevës”, tha se Kryengritja e Ilindenit nuk është fillim dhe as fund, por amanet dhe ideal që vendi të vazhdojë në rrugën evropiane.
“Ilinden-asit dhe Asnom-asit, na ngarkuan çdo ditë, qartë dhe me besim, që të vazhdojmë, shumë më shpejt dhe më mirë se më parë, në rrugën evropiane, si një rrugë që ruan identitetin historik, kulturor e gjuhësor, që forcon pozitën tonë jashtë vendit, por më e rëndësishmja, forcon, modernizon dhe përmirëson gjendjen aktuale! Nuk kemi alternativë tjetër dhe nuk duhet të kemi. Askush nuk duhet të vjedhë dhe të ndryshojë historinë tonë! Sepse kjo është e pamundur! Askush më parë, e lëre më tani, nuk mund të vjedhë, modifikojë apo fshijë shekuj e shekuj traditë, kulturë dhe individualitet të krijuar e të zhvilluar! Të gjitha mohimet nga jashtë dhe nga brenda duhet t’i kundërshtojmë me ndjenjën supreme kombëtare, me vetëbesim dhe krenari të lartë kombëtare, dhe më e rëndësishmja me një bashkim të shëndetshëm dhe të arsyeshëm rreth parimeve dhe vlerave të përbashkëta, universale”, tha Kovaçevski.
Ditën e Republikës e ka uruar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Deri në mesditë ka qenë i vetmi lider i një partie shqiptare që e ka uruar këtë festë shtetërore.
“120 vite më parë popujt e vendit tonë do të bëheshin bashkë rreth një kauze jetike, asaj të lirisë dhe barazisë kundër pushtuesit.
Ajo kryengritje e përbashkët e vitit 1903 është udhërrëfyesi më i mirë i bashkëveprimit tonë për të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin, si dhe kundër të keqes izoluese dhe përçarëse.
Sot është edhe çasti i duhur të reflektojmë mbi atë që kemi arritur bashkë gjatë një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, të kujtojmë paqen që solli Marrëveshja e Ohrit, integrimin në NATO dhe të mendojmë se si bashkë të konkretizojmë misionin e integrimit në Bashkimin Europian.
Urime të gjithë qytetarëve të vendit Ditën e Republikës!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Festimi po mbahet edhe këtë vit në një atmosferë kritike për shkak të shqetësimit se identiteti historik, kulturor dhe gjuhësor i maqedonasve etnik është prekur nga kushtet e reja në rrugën evropiane.
“Kur kujtesa kolektive bëhet pjesë e qenies së një kombi, çdo problematizim i saj, në këtë rast nën presionin e Bullgarisë, çon në trauma”, thotë për DW sociologu Ilija Aceski.
Ndarjet, shtresimi social, vështirësia për të mbajtur ritmin me përfitimet e reja tekniko-teknologjike, ndikojnë gjithashtu në shkallën e progresit dhe vetëbesimit. Sipas ambasadorit Marjan Gjorçev, Ilindeni i tretë duhet të përfaqësojë një “agim të bardhë social-ekonomik” për një lartësi të re njerëzore.
“Në fillimin e mijëvjeçarit të tretë në shtetin maqedonas dominon ‘kultura e parasë’. Disponueshmëria e përfitimeve të reja tekniko-teknologjike kufizohet nga ndarja e mprehtë klasore midis të pasurve dhe të varfërve. Në një paqartësi të tillë të ‘drejtësisë së diskutueshme të sotme’ dhe ‘barazisë relative të së nesërmes’, Ilindeni i tretë, nga njëra anë, duhet të përfaqësojë një ‘agim të bardhë socio-ekonomik’ për një lartësi të re njerëzore! Nga ana tjetër, Ilindeni i tretë duhet të “ringjallë” vektorin qytetërues maqedonas, i cili është një amalgamë kulturore shekullore, me të cilën identifikohemi me termin Maqedoni dhe etnonimin maqedonas. Shteti maqedonas duhet të jetë një formë institucionale që mundëson përmbushjen e përmbajtjes kulturore të jetës sonë. Koncepti i identifikimit kulturor maqedonas do të jetë dosja maqedonase në shoqërinë moderne digjitale”, thotë Gjorçev.
Festa dhe sfidat e reja po diskutohen sot në disa vende, ku festohet solemnisht festa e Republikës. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka qenë në Kalanë e Kalasë në Shkup, ndërsa një delegacion qeveritar vendosi lule para monumentit të ASNOM-it në parkun “Zhena Borec”, para monumentit të Nikolla Karevit dhe para monumentit memorial të Metodija Andonov-Çentos në sheshin e qytetit.
Ilindeni ka karakter përbashkues pasi paraqet një kryengritje multietnike për çlirim nga Perandoria Osmane, thonë historianët. Sipas historianëve, shqiptarët u paraqitën si shtetformues në kryengritjen e Ilindenit dhe se kjo është shënuar edhe në dokumentat e proveniencave bullgare, austro-hungareze dhe të tjera. Sipas tyre, kontributi i shqiptarëve në këtë kryengritje me karakter lokal ka qenë evident, jo vetëm në parapregaditjen, por edhe me pjesëmarrje, dhe kjo dokumentohet edhe në organet legjislative, në Kuvendin e madh i cili pas 2 gushtit u zgjodh me 60 vetë, me 20 shqiptarë, 20 vllehë dhe 20 maqedonas etnik.