E mërkurë, 26 Mars, 2025

POLITICO: UASHINGTONI SANKSIONON HUNGARINË PËR SHKAK TË POLITIKËS PRO-RUSE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës martën kufizuan ashpër pjesëmarrjen e Hungarisë në programin e vet të heqjes së vizave për shkak të pasigurisë lidhur me pasaportat e rejatë lëshuara mes viteve 2011-2020, – transmeton kdp.mk shkrimin e portalit Politico.eu.

Sipas Programit amerikan për heqjen e vizave, qytetarët e vendeve pjesëmarrëse mund të udhëtojnë në SHBA për turizëm ose biznes deri në 90 ditë pa vizë dhe thjesht atyre ju duhet i ashtuquajturi Sistemi Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), por nga e marta, vlefshmëria ESTA për poseduesit e pasaportave hungareze do të reduktohet nga dy në një vit, ndërsa ESTA do të jetë e vlefshme vetëm për një përdorim.

Kjo lëvizje e paprecedentë, në përgjigje të shqetësimeve që lidhen me sigurinë, prek Hungarinë si i vetmi nga 40 vendet që marrin pjesë në programin e SHBA, – thuhet në shkrimin e portalit prestigjioz.

Pas ardhjes në pushtet në vitin 2010, qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban zbatoi një ndryshim të madh të politikës me të cilën hungarezëve etnikë jashtë shtetit iu dha nënshtetësi– duke përfshirë në Rumaninë, Sllovakinë dhe Ukrainën. Kritikët vendas thonë se lëvizja e diskutueshme e Orbanit është ndërmarrë për të përmirësuar gjasat e tij elektorale.

David Pressman, ambasadori amerikan në Budapest, i tha POLITICO-s në një intervistë përpara publikimit të vendimit: “Ka qindra mijëra pasaporta të lëshuara nga qeveria hungareze si pjesë e programit të thjeshtësuar të natyralizimit pa mekanizma të rreptë të verifikimit të identitetit.”

Qeveria e SHBA-së  tash disa  vjet e angazhon qeverinë hungareze për këtë “vulnerabilitet të sigurisë” gjatë disa administratave, tha Pressman, por “qeveria hungareze vendosi të mos e mbyllë atë”.

“Kjo është një ditë me të vërtetë fatkeqe,”- tha Pressman. “Ky nuk është epilogu të cilin Shtetet e Bashkuara e kërkuan ose po e kërkojnë”- citohet të ketë thënë diplomati amerikan.

Lëvizja e Uashingtonit vjen në një moment kur marrëdhëniet e Hungarisë me partnerët e saj perëndimorë janë në një pikë të ulët.

Aleatët e Budapestit në NATO janë thellësisht të frustruar që parlamenti hungarez nuk e ka ratifikuar ende kandidaturën e Suedisë për t’ju bashkuar Aleancës. Po ashtu, ekziston një shqetësim i vazhdueshëm për shkak të zyrtarëve të lartë hungarezë që promovojnë narrativat e Kremlinit, si dhe për shkak të përpjekjeve për të lehtësuar sanksionet evropiane kundër Moskës. Më herët gjatë këtij viti, SHBA vendosi sanksione ndaj një banke me bazë në Hungari për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Shumë vende perëndimore kanë folur për përkeqësimin e standardeve demokratike në Hungari, si dhe për politikën dhe retorikën për të cilat thonë se  minojnë të drejtat e komunitetit të atjeshëm LGBTQ.

Ambasadori Pressman nënvizoi se si ekspertët amerikanë kishin identifikuar më parë mënyra se si mund të zgjidhen problemet e sigurisë.

Në vitin 2017, SHBA-ja e bëri të përkohshëm statusin e Hungarisë në programin e heqjes së vizave, ndërsa shqetësimet e sigurisë ishin gjithashtu pas vendimit për t’i bërë hungarezët e lindur jashtë vendit të pakualifikuar duke filluar nga viti 2020.

Tani, megjithatë,do të preken të gjithë poseduesit e pasaportave hungareze.

“Këtu fjala është për zgjedhje”, tha ambasadori.

“Qeveria hungareze deri më tani vendosi të mos merret me këtë shqetësim të sigurisë, gjë që bëri që Shtetet e Bashkuara të reagojnë”.

Të fundit