Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.
Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.
Grafiti në qendër të qytetit
Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.
Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.
“Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.
Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste
Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.
“Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë“, tha ajo.
Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.
Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.
Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia“, i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.
“Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t’i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
“Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.
“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është varg i një kënge popullore.
Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.
“Ka nga ata që e përdorin për t’i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar“, tha ai.
“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” edhe gjatë ndeshjes
Grafitet e shkruara nëpër qytet u pasuan me koreografi në stadiumin e klubit të futbollit Crvena Zvezda me të njëjtin mesazh “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Bashkë me pankartën, gjatë ndeshjes me Fiorentinën më 26 korrik, tifozët e Crvena Zvezdës krijuan edhe një koreografi që tregonte një tank dhe flamurin e Serbisë.
Deri në publikimin e këtij teksti, klubi i futbollit Crvena Zvezda, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për veprimin e tifozëve të tij.
Edhe nga UEFA (Bashkimi Evropian i Futbollit), deri në publikimin e këtij teksti, nuk iu përgjigjën pyetjes nëse do të reagonin ndaj shfaqjes së një mesazhi politik në stadiumin e Beogradit.