E hënë, 20 Janar, 2025

EKZEKUTIVI I BDI-së NUK BËHET PISHMAN, KU ËSHTË VMRO-ja?

Pesë ministrat e BDI-së në seancën e qeverisë pritet që t’i dorëzojnë edhe zyrtarisht kryeministrit Dimitar Kovaçevski dorëheqjet e tyre, të cila duhet të hyjnë në fuqi kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Nga BDI thonë se e kanë përmbushur kërkesën e opozitares VMRO-DPMNE, andaj tani ata duhet të mbajnë premtimin për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Kurse nga VMRO-DPMNE, dorëheqjen e ministrave të BDI-së e cilësojnë si një tjetër hap për të zvarritur zgjedhjet e parakohshme.

Shkruan: Enis Shaqiri

“I plotësojmë të gjitha kërkesat e opozitës njëra pas tjetrës. Ata kërkuan garanci – i morën nga bashkësia ndërkombëtare, kërkuan daljen e BDI – e morën me vendim që hyn me automatizëm në fuqi. Të gjithë duhet të tregojnë përgjegjësi në këto momente të rëndësishme, të gjithë duhet të bëjnë një pjesë të rrugës. BDI e ka bërë hapin e saj, presim që secila parti politike të bëjë një hap, të takohemi në mes, të sigurojmë rrugën evropiane, pastaj do të shkojmë në zgjedhje. Në të njëjtin moment kur të miratohen ndryshimet që do të sigurojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve, do të shkojmë në zgjedhje. Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që ata kërkojnë për ndryshimet kushtetuese”.

Kështu deklaroi shefi i diplomacisë dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani në ditarin e televizionit Telma, duke sqaruar qëllimin e dorëheqjeve të kushtëzuara të ministrave të BDI-së. Ai paralajmëroi se dorëheqjet edhe formalisht do t’i dorëzohen kryeministrit Kovaçevski në mbledhjen e qeverisë të nënshkruara individualisht nga vetë ministrat.

I pyetur për deklaratën e opozitës se dorëheqjet janë vetëm mashtrim, Osmani ju bëri thirrje “t’i testojnë, t’i votojnë ndryshimet kushtetuese”, me çka, potencoi, se me automatizëm do të aktivizohen dorëheqjet e ministrave, por edhe të gjithë funksionarëve të zgjedhur në Qeveri nga radhët e partisë.

Po mundohemi t’u përcjellim qytetarëve porosinë se me këtë vendim po vihet në pikëpyetje ëndrra e perspektivës evropiane. Tani jemi në udhëkryq, a do të izolohet vendi me vendet që kanë çështje të hapura dhe do të hyjë në një grup vendesh që do të duhet të mbyllin të gjitha çështjet e hapura, që do të thotë bilateralizim i plotë i procesit, apo së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi do të jenë vendet e para që do të bëhen anëtare të BE-së dhe do të realizohet ëndrra e qytetarëve për një jetë më të mirë”, thekson Osmani.

Nga ana tjetër, analistë politik e shikojnë si të arsyeshëm vendimin e Bashkimit Demokratik për Integrim për të tërhequr ministrat nga qeveria, me kusht që opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese. Ata në një bisedë me Zërin e Amerikës, kanë vlerësuar se shumica parlamentare do të arrijë të bindë një numër të caktuar deputetësh opozitarë që të votojnë pro këtyre ndryshimeve kushtetuese, të cilat paraqesin kusht për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

XHEZAIRI: TOPI NË FUSHËN E VMRO-DPMNE-së

Seladin Xhezairi shprehet se tani topi është në fushën e VMRO-DPMNE-së, e cila në fillim të muajit qershor theksoi gatishmërinë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me kusht largimin e BDI-së nga qeveria. Analisti vlerëson se kushtëzimet që VMRO DPMNE-ja i bën për përjashtimimin e BDI-së nga qeveria janë joserioze:

Idetë nuk bien nga qielli – ka thënë një filozof italian në shekullin e kaluar dhe në këtë rrafsh, kështu i shoh edhe veprimet e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. S’do mend se edhe integristët e zotit (Ali) Ahmeti llogarisin për zgjedhjet e radhës, por janë veprime si një përpjekje për të imponuar hyrjen në lojë të VMRO-DPMNE-së”, thotë Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).

Xhezairi thotë se qeveria po bën llogari për arritjen e numrit të nevojshëm të deputetëve duke përfshirë disa prej ligjvënësve të opoztës maqedonase të cilët do të votonin ndryshimet kushtetuese.

Ai është i bindur se aktualisht po bëhen kontakte të qeverisë me deputetë të VMRO-së, por megjithatë vlerëson se komuniteti ndërkombëtar “do të arrijë t’ia ndryshojë mendjen drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE) për heqjen dorë nga kushtëzimet e paraqitura”.

Ndërkaq, paralajmërimet e zotit Mickovski se do ta linte jashtë BDI-në kur ai të formojë qeveri, i shikon si të ngutshme, nga që BDI-ja sipas të gjitha sondazheve del partia më më tepër mbështetje tek elektorati shqiptar.

Është e logjikshme se çdo parti bartëse e mandatit për formimin e qeverisë, do të duhej të ishte e interesuar që ta ketë rehatinë politike e ndëretnike në ekzekutivin e ri”, thotë zoti Xhezairi.

MUSLIU: PARADOKSALE REFUZIMI I OPOZITËS MAQEDONASE PËR NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS

Nga ana tjetër, analisti Albert Musliu thotë se BDI-ja nuk është në qeveri vetëm me dëshirën dhe vullnetin e vetë por dhe të votuesve për të qenë pjesë e pushtetit.

Sa i palogjikshëm të duket ky vendim (i BDI-së), ai është i kushtëzuar me votimin e ndryshimeve kushtetuese; nuk është pa kushte. Por, mendoj se ia pamundëson narrativin e mëtutjeshëm VMRO-së lidhur me efikasitetin ose mënyrën e qeverisjes së kuadrove të BDI-së”, thekson Albert Musliu nga Asociacioni për Nisma Demokratike.

Ai shton se në të kaluarën partitë maqedonase kanë bërë gabime strategjike në kurriz të shtetit, ndërsa “partitë shqiptare kanë treguar durim dhe kapacitet për hir të afrimit të vendit me institucionet euro-atlantike”.

Musliu e quan paradoksale refurzimin e opozitës maqedonase për ndryshimin e kushtetutës në një kohë kur Suedia, siç thotë, “nën trysninë e Turqisë po ndryshon kushtetutën e saj”:

Me mbylljen e argumenteve, siç e bëri BDI-ja lidhur me pjesëmarrjen e saj në qeveri, do t’i pamundësohet hapësira manovruese VMRO-DPMNE-së dhe do ta bëjë atë hap (të përfshirjes në ndryshimet e kushtetutës). Mos të harrojmë se presim vizita të miqve tanë evropianë e euro-atlantiuk me qëllim që t’i inkurajojnë zyrtarët e VMRO-së. Me kalimin e kohës, jam më shumë skeptik se do të bëhet me ndonjë konsensus më të gjerë, por shpresoj se qeveria të arrijë të bind një numër të deputetëve të opozitës me qëllim që ata të mbështesin ndryshimet kushtetuese”, thekson analisti Musliu, duke shtuar se ndryshimet kushtetuese herët a vonë do të bëhen, por nëse zvariten do të ketë pasoja, sipas tij, për shoqërinë e këtij vendi.

Analistët mendojnë se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm pse opozita e drejtuar nga VMRO-DPMN-ja e kërkon me ngulm një gjë të tillë.

VMRO-DPMNE: DORËHEQJET PËR DEFOKUSIM TË OPINIONIT

Nga ana tjetër, dorëheqjet e pesë ministrave të BDI-së nuk është se kanë çuar në ndryshim të qëndrimeve të partisë, lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese. Nga VMRO- DPMNE-së, thonë se ky është një hap tjetër për të zvarritur zgjedhjet e parakohshme. Sipas kësaj partie, dorëheqje duhet të japin edhe ministrat e Lidhjes Social Demokrate të Kovaçevskit dhe vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me shtirje të këtilla. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. Nëse Artan Grubi dëshiron, le të japë dorëheqjen menjëherë, por problem nuk është vetëm BDI por edhe për LSDM të japin dorëheqje, të parevokueshme që të shkojmë në zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare”, deklaroi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Mirëpo një gjë të tillë e refuzon, nënkryetar dhe ministri i Punëve të Jashtme i BDI-së, Bujar Osmani. Osmani është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe se deri në nëntor ndryshimet do të kenë sukses.

Jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet do të jenë të rregullta në pranverë, vitin e ardhshëm, ndërsa deri atëherë, deri në ditën e fundit, do të punojmë në sigurimin e të ardhmes evropiane të qytetarëve dhe do të kemi sukses sepse i kemi qytetarët prapa”, tha Osmani.

LSDM: MICKOSKI TË VENDOS ËSHTË PËR BE APO PËR IZOLIM

Ndërkaq, nga partia në pushtet, LSDM, thonë se “Hristijan Mickoski është në lëvizje për të vendosur nëse është për BE apo për izolim, pasi ministrat nga BDI kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, të cilat do të hyjnë në fuqi menjëherë pasi deputetët e VMRO-DPMNE-së të votojnë për amendamentet kushtetuese”.

Me këtë dhe me vendimet e miratuara paraprakisht të Bordit Qendror të LSDM-së, janë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Mickoski që VMRO-DPMNE t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në procedurë parlamentare, janë shpallur publikisht dhe pasi përmbajtja e tyre bëhet publike, askush, përfshirë edhe Mickoskin, nuk ka asgjë kundër ndryshimeve të tilla. Deputetët e VMRO-DPMNE-së të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës evropiane. Me votën për Evropën në Kuvendin e Maqedonisë, Mickoski dhe VMRO-DPMNE mund të tregojnë se janë vërtet për agjendën evropiane, se agjenda evropiane është gjithashtu maqedonase, në vend që të ngecë dhe të bllokojë”, thonë nga LSDM.

Ndryshe, parlamenti ka caktuar 18 gushtin për hapjen e seancës plenare lidhur me ndryshimet kushtetuese ku pakica bullgare dhe pakicat e katër popujve të tjerë ballkanikë pritet të përfshihen në Preambulënë e Kushtetutës. Megjithatë, për këtë duhet mbështetja e dy të tretës së ligjvënësve, apo 80 vota në parlament, të cilat aktualisht partitë e shumicës nuk i kanë.

 

 

 

Të fundit