Përveç deponimit të dorëheqjes kolektive të funksionarëve të BDI-së nga ana e Ali Ahmetit, ZVKRM i Parë Artan Grubi madje tha se kjo parti është e gatshme të tërhiqet edhe nga kryeministri i parë shqiptar. Ndërkohë, edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se do të tërhiqet nga pozita që mban tani. Por, kushti është që VMRO-DPMNE të mbajë fjalën dhe të votojë ndryshimet kushtetuese. Ky akt i BDI-së shkaktoi valë reagimesh në opinion. Çka thonë analistët?
Shkruan: Enis Shaqiri
Dorëheqja kolektive e funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit duket se ka gjetur të papërgatitur VMRO-DPMNE-në e Hristijan Mickovskit. Ishte pikërisht Mickovski i cili në maj të këtij viti parashtroi dy kushte për të votuar ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Propozimi Francez: i pari ishte Qeveri pa BDI, kurse i dyti zgjedhje të shpejta, të parakohshme.
Ishte kjo strategji, taktikë apo sakrifikim i BDI-së për integrimet evropiane, duke marrë parasysh se pikërisht ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE.
TAKTIKË APO PAMUNDËSIM TË TAKTIKAVE?
Analisti politik Albert Musliu nuk sheh taktikë në lëvizjen e BDI-së, por përkundrazi, siç thotë ai, pamundësim të “taktikave dhe kërkesave irracionale” të VMRO-DPMNE-së.
“BDI nuk merr pjesë në Qeveri me vullnetin dhe dëshirën e saj. BDI merr pjesë në Qeveri sepse kështu vendosën votuesit shqiptarë. Sipas mendimit tim, kjo qasje është e gabuar dhe do të duhet të justifikohet politikisht në një moment. Ndoshta tani përdoret për ndonjë konsolidim partiak apo për ndonjë PR, por në afat të gjatë do të duhet të shpjegohet në të kundërtën, dhe kjo nuk është e këndshme në politikë”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë (REL).
Analisti politik Vladimir Bozhinovski konsideron se këto nuk janë dorëheqje reale të BDI-së, por vetëm oferta për dorëheqje. Ai thotë se dorëheqjet nga Qeveria e BDI-së ishin vetëm një nga parakushtet e VMRO-DPMNE-së dhe se kërkesa kryesore është ndryshimi i Kushtetutës me efekt të vonuar, vetëm kur Maqedonia të hyjë në BE. Tani, thotë Bozhinovski, vendi është në qorrsokak dhe zgjidhja e vetme, sipas tij, janë zgjedhjet, në të cilat qeveria dhe opozita do t’i ofrojnë idetë e tyre qytetarëve.
“Edhe vitin e kaluar kemi thënë që pas ofertës për atë propozim francez të ketë zgjedhje dhe në ato zgjedhje qytetarët të vendosin nëse janë pro apo kundër pranimit të tij. Atëherë patëm një situatë ku Kovaçevski nënshkroi përkundër revoltës së madhe të shumicës së qytetarëve të Maqedonisë dhe deklaratave të opozitës se kjo ishte e papranueshme për ta. Nëse ka nënshkruar marrëveshje, tani le ta udhëheqë dhe ta zbatojë. Është diçka për të cilën ai u angazhua”, thotë Bozhinovski.
Për analistin Xhelal Neziri, paraqitja e dorëheqjes kolektive të zyrtarëve të BDI-së është një kontribut i rëndësishëm për arritjen e marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese, por edhe një strategji e mirë e partisë së Ali Ahmetit në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm.
“Lëvizja e BDI-së është strategjike: nga njëra anë, të gjithë barrën për amendamentet kushtetuese ia kalon VMRO-DPMNE-së, ndërsa nga ana tjetër forcon pozitat e saj para zgjedhjeve të rregullta parlamentare në pranverë ose vjeshtë të vitit të ardhshëm”, thotë Neziri për portalin në gjuhën maqedonase Triling.
Por, Neziri thotë se ky është “një hap i guximshëm i Ahmetit, me të cilin në njëfarë mënyre sakrifikon interesat dhe pozitat aktuale të partisë që të mos kemi bllokim të ri në integrimet evropiane”. “Ky ishte një nga opsionet që Mickoski propozoi për miratimin e amendamenteve kushtetuese – një qeveri e gjerë pa BDI deri në zgjedhjet e ardhshme,” shton ai.
Opsioni tjetër – zgjedhjet e shpejta dhe koalicioni etnik VMRO-LSDM, sipas Nezirit, është i papranueshëm për BDI-në, por edhe i rrezikshëm për shtetin.
“Duke dorëzuar dorëheqjet me kusht, BDI në fakt e pranon kushtin e VMRO-DPMNE-së dhe e zhvendos topin në fushën e opozitës. Mickoski nuk do të ketë më argumente për të refuzuar amendamentet kushtetuese, ndërsa me miratimin e tyre BDI-së sigurisht që do të ishte më meritorja”, është mendimi i gazetarit dhe analistit, Xhelal Neziri dhënë për Triling.mk.
VALË REAGIMESH NGA PARTITË POLITIKE
Pas njoftimit të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, se ministrat dhe funksionarët nga kjo parti kanë nënshkruar dorëheqjet, të cilat do të aktivizohen pasi që VMRO-DPMNE-ja të votojë ndryshimet kushtetuese, kanë reaguar edhe partitë opozitare, përcjell KDP.MK
Përmes një komunikate për media, VMRO DPMNE-ja e ka përshëndetur njoftimin e bërë nga kryetari i BDI-së, por ka thënë se kërkon që dorëheqjet të jenë të parevokueshme dhe menjëherë të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Mirë është që BDI-ja pas 20 viteve të të qëndruarit në pushtet po shprehet e gatshme të kalojë në opozitë prej nga do të përgjigjet për kriminalitetin. Dorëheqjet duhet të jenë të parevokueshme dhe menjëherë të mbahen zgjedhjet. Gjithçka tjetër është humbje kohe dhe lojë në kurriz të qytetarëve dhe shtetit”.
Ndërsa nga Alternativa thonë se pushteti aktualisht nuk i posedon 2/3 e votave për ndryshimet kushtetutese, dhe se “ora po ecën”.
“Dyfytyrësia e sotme e Ahmetit, Grubit dhe klaneve të tyre dëshmon për disa gjëra. E para, se shumica parlamentare është shumë larg nga 2/3 e shumicës për ndryshimet e dëshiruara kushtetuese. E dyta, Ahmeti, Grubi dhe klanet e tyre dëshmuan se janë në panik për atë që pason. E treta, pas një skenari të PR-it të heroizmit të rrejshëm, tashmë të parë, sikurse “Pse jo”, përsëri po tentojnë që ta defokusojnë opinionin nga njollat e tyre korruptive dhe politike. Alternativa porosit, zhytuni në baltën tuaj edhe pak, sepse pas zgjedhjeve parlamentare, kurdo që të ndodhin ato, do të jepni llogari para organeve gjyqësore për të gjitha padrejtësitë e bëra ndaj popullit shqiptar. Ora po ecën!”, thonë nga Alternativa.
Deputeti i vetëm i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, thotë se edhe ai është i gatshëm të jep dorëheqjen, nëse gjatë ndryshimeve kushtetuese hiqet “20%-shi” që i referohet gjuhës shqipe.
“Edhe unë si deputet jap dorëheqje nga pozita, nëse BDI e LSDM votojnë heqjen e 20% dhe në Kushtetutë të shkruhet GJUHA SHQIPE”, ka shkruar Zendeli.
Kurse ish zv/kryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, tanimë i prononcuar për krijimin e një partie të re politike, nuk e përjashton mundësinë për bashkëpunim me Frontin Europian në Qeveri.
“Nuk janë gjëra të pa kushtëzuara, janë të gjitha procese që duhet të ulen dhe të bisedohen , por këto ulen dhe bisedohen në momentin kur oferta është në tavolinë, për ta para se çka nënkupton dhe cili është misioni përfundimtar i një fronti të tillë, kështu që unë i lë të gjitha mundësitë e hapura”, tha Hoxha.
Hoxha në “Summer Click” në TV21 tha se nuk e sheh si fitues frontin opozitar.
“Fronti opozitar ka formuar një far lloj ideje, për të cilën unë nuk pajtohem sepse nuk e shoh si fitues”, tha mes tjerash Hoxha.
Ndërsa, nga Lëvizja e Re politike e Izet Mexhitit, (e cila pritet që gjatë javëve në vijim edhe zyrtarisht të themelohet), thonë se dorëheqjet po bëhen për shkak të skandaleve korruptive.
“Dorëheqjet do i jepni për skandalet korruptive, për listat e zeza, për kazinotë, për keqpërdorimet. Gjithçka tjetër është teatër”, thonë nga kjo Lëvizje.
Nga Lidhja Social-Demokratike e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, kanë thënë se pas vendimit të BDI-së, opozita duhet t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.
“Duke vënë interesin e shtetit para interesit partiak, BDI-ja tregoi përgjegjësi ndaj qëllimit kryesor strategjik, të ardhmes evropiane të vendit dhe të të gjithë qytetarëve. Hristijan Mickoski duhet të tregojë nëse ka kapacitetin e një burri shteti dhe nëse i intereson e ardhmja evropiane e vendit të mbështesë amendamentet kushtetuese. Votimi i tyre është votë për Evropën, për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme”.