Komisioni Evropian ka numëruar një sërë mospërputhjesh me standardet evropiane në fushën e zgjedhjeve, mediave gjatë fushatës zgjedhore dhe financimin e partive politike në raportin e publikuar për procesin e skrining për Maqedoninë e Veriut. Në këtë raport rekomandohet që vendi të adresojë në kohë dhe në mënyrë transparente rekomandimet e nxjerra nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
“Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet t’i ndahen burimet e nevojshme në kohën e duhur për të kryer mandatin e tij në mënyrë efikase dhe të pavarur. Saktësia e regjistrit të zgjedhësve duhet të vazhdojë të përmirësohet përmes kontrolleve sistematike, rishikimeve dhe përditësimeve të të dhënave. Duhet të vazhdojnë të bëhen përpjekje të fuqishme nga autoritetet për të kundërshtuar çdo formë presioni mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe privat, duke përfshirë blerjen e votave”.
Gjithashtu është rekomanduar që të fillojë veprimi për vetërregullimin e mediave dhe të ketë transparencë më të madhe për reklamat politike.
“Veprimi për vetërregullimin e medias duhet të rifillojë dhe të prodhojë rezultate praktike në avancimin e standardeve profesionale të gazetarisë. Duhet transparencë më e madhe në lidhje me reklamat politike. Është e rëndësishme të trajtohet dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore. Mediat online nuk drejtohen nga një ligj specifik dhe ka pikëpamje të ndryshme për nevojën për rregullim, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet në rritje nga dezinformimi.
Sa i përket financimit të fushatave zgjedhore KE evidenton një sërë boshllëqesh, sidomos në transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike./Klan