Këmbëngulja për ta mbyllur me çdo kusht dhe në shpërfillje të ligjit Klan Kosovën, kanalin më të madh televiz në vend – duke e përdorur trukun më të vjetër në manualin e regjimeve autoritare, atë të luftës ndaj armikut (Serbisë) – nuk është një hap i rëndomtë i një qeverie ndaj të cilit mund të mbyllen sytë aq lehtë.
Pas disa vitesh laritjeje dhe maskimi në sytë e perëndimit si kampionë të demokracisë liberale, ky mund të konsiderohet si akti i parë i madh i metamorfozës së paralajmëruar të cubave ideologjikë në natyrën e tyre të vërtetë totalitare.
Klan Kosova historikisht i ka pasur lajmet ndër më të balancuarat në gjithë spektrin mediatik. Emisionet e saja kanë qenë gjithmonë të hapura ndaj VV-së, madje e kanë mundësuar rritjen e saj. Sulmi ndaj Klanit nuk është sulm vetëm ndaj Klanit, por përpjekje për ta nënshtruar dhe kërcënuar gjithë spektrin mediatik dhe biznesin privat – “ose i ndalni kritikat, ose e shihni se çka ju gjen”. Është hapi i parë testues i kufijve të rezistencës demokratike ndaj sundimit të ri autoritar.
Shumëkush në këto rrethana do të mund të tundohej ndaj këtij nënshtrimi. Por ata që bëjnë llogari të tilla le ta dinë se për totalitarët njerëzit janë lecka që hidhen në plehra sapo të mos jenë të dobishëm. Militanti më i madh i sotëm nesër rrezik edhe vetë, me pakënaqësinë më të vogël të shprehur, përfundon si agjent i Serbisë – sepse vetë e ushqeu këtë standard të qeverisjes.
Ky është mbi të gjitha testi më i madh për shoqërinë civile. Këtu kemi qenë kur të gjithë së bashku kemi reaguar dhe kemi protestuar për qindra skandale të qeverive të kaluara – prokurorive të kapura, kontratave milionëshë për rrugë, dallavareve me energji, etj. Heshtja sot do të ishte kulminacioni i hipokrizisë.