Kapërcimi nga mentaliteti lokal e fisnor në atë ideologjik, është misioni që duhet të marrin përsipër udhëheqësit e partive politike. Modelet e poliseve greke dhe principatave shqiptare janë tepër arkaike në një kohë të globalizimit, kur edhe partitë shtrihen përtej kufijve shtetërorë, duke u bashkuar apo bashkëpunuar në bazë të orientimeve ideologjike.
Shkruan: Xhelal Neziri
Ashtu siç po zhvillohen ngjarjet, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare çdo qytet do të ketë partinë e vet. Copëzimi i partive politike në baza lokaliste do të sjellë këtë rezultat. Harta politike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do t’i ngjajë hartës së Greqisë antike, ku çdo qytet ishte shtet në vete, apo siç ndryshe quhen “polise”. Apo principatat në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur mezi arriti t’i bindë princërit shqiptarë të pajtohen në Besëlidhjen e Lezhës në vitin 1444.
Ky lokalizëm te shqiptarët etnik të Maqedonisë së Veriut po ndodh në një epokë të globalizimit të vrullshëm, kur komunikimi midis njerëzve është i shpejtë, i lirë dhe shumëdimensional. Pra, paradoks i llojit të vet. Në tërë botën po ndodh globalizimi, sidomos pas paraqitjes dhe popullarizimit të Internetit në vitin 1990, kurse te shqiptarët e këtushëm – (g)lokalizimi.
E tani, për të maksimizuar rëndësinë e votës, partive shqiptare u nevojiten dy unifikues në nivel shtetëror: një Skënderbe për partitë në pushtet, e një tjetër për ato në opozitë. Garimi duke u bazuar vetëm në votat e principatave apo poliseve politike nuk do të sjellë asnjë rezultat të favorshëm për asnjë parti shqiptare.
A mund të lidhen dhe të funksionojnë koalicionet te shqiptarët? Historia e pluralizmit tregon se ndërtohen ngadalë, por rrënohen shpejt.
Nga viti 1991 janë shënuar katër raste të koalicioneve parazgjedhore: i pari në vitin 1998, i lidhur nga PPD-ja dhe PDSH-ja; i dyti në vitin 2008, i lidhur midis BDI-së dhe PPD-së; i treti në vitin 2016 midis LR-PDSH, RDK dhe Uniteti; dhe i katërti në vitin 2020 i arritur midis ASH-së dhe Alternativës. Të gjitha u prishën pas zgjedhjeve, pra nuk ishin afatgjata. Gjatë gjithë kësaj kohe në gati tre dekadat e fundit, spektri politik shqiptar asnjëherë nuk arriti të grumbullohet në dy koalicione kryesore ideologjike – i qendrës së majtë dhe të djathtë – siç është rasti te spektri politik i maqedonasve etnik, ku gjithherë dominojnë koalicionet e prira nga VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Tani, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, – të cilat pritet të jenë të rregullta pas pesë cikleve të parakohshme zgjedhore radhazi që nga 2006-ta, – tentimi për bashkimin e opozitës shqiptare u përshkua me përçarje të reja në BESA, Lëvizjen e Izet Mexhitit por edhe në Alternativa. Bashkimi dhe përçarja po ndodh në të njëjtën kohë, një tjetër paradoks në kampin politik shqiptar.
Ky “mëhallizim” i skenës politike te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka bërë që gradualisht të bjerë dalja në zgjedhje dhe interesi për politikën në përgjithësi. Në ciklet e fundit zgjedhore jehona në komunat me shumicë etnike shqiptare ka qenë nën 40 për qind. Sa për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 apo 1998 jehona e daljes në zgjedhje te shqiptarët kanë qenë mbi 65 për qind.
A është kjo gjendje reflektim i mentalitetit të qytetarit shqiptar se “më mirë i keqi i im sesa i miri i huaj”? Të dhënat e Regjistrit Qendror të Kompanive tregojnë se në rajonet ku shqiptarët etnikë janë shumicë vetëm 2 për qind e kompanive janë me më shumë se një pronar. Pra, 98 për qind e firmave të regjistruara janë në pronë të vetëm një personi. Numri i shoqatave aksionare, ku si pronarë paraqiten më shumë persona fizikë apo juridikë, është zero.
Ky egoizëm është një indikator i mungesës së besimit bazik në raportet ndërpersonale, mungesë e cila prodhon pengesa të shumta në ndërtimin e koalicioneve politike apo edhe partneriteteve në biznes.
Kapërcimi nga mentaliteti lokal e fisnor në atë ideologjik, është misioni që duhet të marrin përsipër udhëheqësit e partive politike. Modelet e poliseve greke dhe principatave shqiptare janë tepër arkaike në një kohë të globalizimit, kur edhe partitë shtrihen përtej kufijve shtetërorë, duke u bashkuar apo bashkëpunuar në bazë të orientimeve ideologjike.