Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, bashkë me Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, Antonio Tajani, Maria Gabriel dhe Olta Xhaçka, kanë prezantuar iniciativën katërpalëshe me qëllim të lidhjes së përbashkët dhe zhvillimit ekonomik të rajoneve përgjatë Korridorit 8. Kjo platformë politike synon të forcojë bashkëpunimin dhe sigurinë e këtij rajoni, duke përmirësuar perspektivën e Bashkimit Evropian për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Pas takimit që u zhvillua dje në Brindizi të Italisë, u arritën gjashtë konkluzione për drejtimin e Iniciativës 8. Njëra nga këto konkluzione vuri në dukje se Korridori 8 ka një vlerë strategjike të veçantë, poashtu përfundimi i hekurudhës dhe linjës rrugore të këtij korridori do të kontribuojë në mënyrë të dukshme në rritjen ekonomike të rajonit dhe do të ndihmojë në integrimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në tregun unik të Bashkimit Evropian.
Në këtë drejtim, ministri Osmani theksoi: “Përfundimi i Korridorit 8 do të jetë aspekt shumë i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo platformë për bashkëpunim mes vendeve tona gjithashtu duhet të përdoret që të përshpejtohet procesi jonë dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Krahas kësaj, pres që integrimi të japë rezultate të prekshme, para së gjithash në dobi të qytetarëve, para anëtarësimit të plotë”, tha Osmani.
Nga ky takim i parë ministror katërpalësh, u dakordua se përveç zhvillimit ekonomik, anëtarësimi në BE është gjithashtu katalizator për tejkalimin e çështjeve bilaterale ose rajonale dhe inkurajimin e pajtimit. Në kontekstin aktual gjeopolitik, “realizimi i shpejtë i Korridorit 8 mund të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të zbusë ndikimin malinj të palëve të treta, kërcënimet hibride, dezinformatat dhe migrimin e paligjshëm”, theksohet në një nga konkluzionet.
Njëherit, në konkluzionet thuhet se “ministrat nuk do të kursejnë asnjë përpjekje” për të mobilizuar mbështetje shtesë financiare për Korridorin VIII dhe për të promovuar mundësitë infrastrukturore për sektorin privat, shoqërinë civile dhe vetëqeverisjen lokale.
Iniciativa që u promovua në Brindizi do të funksionojë në formatin e platformës politike për dialog dhe bashkëpunim dhe ministrat u dakorduan që në të ardhmen e afërt të zhvillojnë takimin e dytë ministror, si dhe forum biznesi me pjesëmarrjen e kompanive nga të katër shtete.
Kujtojmë se, ministri Osmani në fillim të vitit 2021 e prezantoi Iniciativën 8 si ide për platformë të re multidisiplinare ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Shqipërisë përmes së cilës do të intensifikohej dhe thellohej bashkëpunimi i ndërsjellë, si një interes strategjik për vendet që janë pjesë e iniciativës.