E hënë, 20 Janar, 2025

DEPUTETI OPOZITAR SERB: DODIKU ËSHTË TRADHËTARI MË I MADH

Në Banja Llukë, kryeqyteti i Republika Serpskës(RS), deputeti opozitar Nebojsha Vukanoviq, ka deklaruar se presidenti i shumëdebatueshëm për Perëndimin, Milorad Dodik, ka ardhur në pushtet me ndihmën e shërbimit sekret të Kroacisë: “Dodiku më shumë lufton për interesat kombëtare kroate sesa për ato serbe”- citon kdp.mk intervistën e Vukanoviqit për të pavarurën serbe “Danas”.

– Duke marrë parasysh të gjitha, cila është përshtypja juaj e përgjithshme për gjithçka që bën Milorad Dodik?

– Milorad Dodik është tradhëtari më i madh i RS-së dhe popullit serb. Ai shkatërroi të gjitha institucionet, vendosi kumbarët dhe të dëgjueshmit e tij në poste kyçe. Nën sundimin e tij ka humbur të paktën një e treta e popullsisë së RS-së. Ai shkatërroi ekonominë dhe na solli në robëri borxhesh. Shkatërroi kolektivet më të mëdha ekonomike. Të gjitha kompanitë publike në RS operojnë me humbje. Pasojat e tij janë sikurse pasojat e një uragani.

Dodiku është diktator dhe populist dhe shtiret si patriot. Në fakt, është e kundërta e asaj që paraqitet. Ai është një njeri që shikon veten dhe interesat e tij, gjë që e dëshmoi tani duke shkelur vendimet e Asamblesë Kombëtare të RS-së.

-Çfarë përfaqëson shkuarja e Dodikut te presidenti kroat Zoran Milanoviq?

– Dodik erdhi në pushtet me ndihmën e shërbimit sekret kroat. Dodik më shumë lufton për interesat kombëtare kroate sesa për ato serbe. Ai është në pushtet me ndihmën e koalicionit të përjetshëm dhe më të fortë me HDZ-në. Ai ia dorëzoi disa punë të rëndësishme, si gazifikimi i Rafinerisë së naftës, gjeneralit kroat Çermak dhe Makraçit dhe kompanisë Kroduks, që gjatë (operacionit) “Stuhisë” kanë kryer krime kundër serbëve në vitin 1995.

-Në përgjithësi, si i shihni reagimet e BE-së?

– BE-ja prej vitesh e mbështet Dodikun, në heshtje ose haptazi. Sa herë që Dodik gjendet në situatë pa rrugëdalje, vjen dikush nga Bashkimi Evropian. Nëpërmjet Bankës Botërore dhe FMN-së, Dodikut iu dhanë miliarda marka kredi për të ruajtur sistemin e tij të korruptuar dhe mafioz. Duhet thënë se ai ka pasur mbështetjen e hapur të disa përfaqësuesve të BE-së me të cilët ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm, dhe për të cilët dyshojmë se janë të korruptuar, ndërsa ai i ka “lyer” ata.

Këtu mendoj para së gjithash për (Lars Gunnar) Vigemarkun, anëtarët e familjes së të cilit kanë hapur këtu biznes. Para tij, mendoj për (Miroslav) Lajçakun. Duhet thënë se ka pasur raporte  jokorrekte vjeshtën e kaluar kur u vodhën zgjedhjet.

Milorad Dodik qëndron në pushtet duke blerë këshillat zgjedhore dhe duke korrigjuar vullnetin elektoral të qytetarëve. Për herë të parë këtë vit ka nisur procesi i numërimit kontrollues për të verifikuar sesi ka votuar realisht populli dhe janë konstatuar abuzime të shumta.

U konstatua se ai vodhi të paktën 15.000 vota, ndërsa Schmidt (përfaqësuesi ndërkombëtar në BeH) dhe BE-ja legalizuan vjedhjen e zgjedhjeve dhe i mundësuan që mbi zgjedhjet e vjehura të ushtrojë funksionin e presidentit të RS-së./kdp.mk/

Të fundit