E hënë, 20 Janar, 2025

KONGRESISTI AMERIKAN:SHQIPËRIA E MAQEDONIA E VERIUT  KANË BËRË GJITHÇKA PËR T’U BËRË PJESË E BE-së

Kongresisti amerikan, Bill Keating ka deklaruar se në Bashkimin Evropian duhet “të rrisin presionin ndaj vendeve që nuk janë të dobishme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian” në mënyrë që të zhbllokohet integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë: “Nuk ka dyshim se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë gjithçka që është kërkuar në kontekstin e anëtarësimit në BE”- citon kdp.mk deklaratën e kongresistit Keating për seksionin serb të Zërit të Amerikës, të zhvilluar pas paraqitjes së Zëvendës-ndihmësit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar në Nënkëshillin e Kongresit për Evropë ku foli për zhvillimet në Ballkan. Në vazhdim ju sjellim thekse nga bashkëbisedimi i tij.

Zëri i Amerikës: A ishit të kënaqur me atë që dëgjuat nga z. Escobar dhe a dëgjuat ndonjë gjë që ju shqetësoi veçmas?

Bill Keating: Nuk mendoj se dëgjuam ndonjë surprizë, por gjatë shqyrtimit e kemi bërë të qartë – dhe unë e bëra këtë – se kjo periudhë e dhunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë. Ne duam të ndihmojmë në rajon sa më shumë që të mundemi dhe të përpiqemi të mundësojmë paqen. Kjo po zgjat për një kohë të gjatë dhe ka probleme që duhen adresuar. Gjatë shqyrtimit u theksua sesa të rëndësishme janë çështjet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe me pjesëmarrjen e plotë, apo punën për këtë, si dhe se pjesëmarrja e plotë do të thotë të mos ketë ndërhyrje apo përpjekje të organizuara nga Serbia për bojkotimin e zgjedhjeve. Kjo është pika e rëndësishme e kësaj. Gjithashtu, marrja me çështjen e bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe progresi në këtë, si pjesë e planit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili është shumë i angazhuar për këtë çështje. Të gjitha këto gjëra janë përmendur. Po përpiqem t’ua theksoj aleatëve dhe miqve tanë në Bashkimin Evropian se ata duhet me të vërtetë të vënë si prioritet dhe të rrisin presionin ndaj vendeve që nuk ndihmojnë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të dy vendeve që kanë bërë absolutisht gjithçka që u kërkua prej tyre. Nuk ka dyshim se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë gjithçka që është kërkuar në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa zvarritja nuk është diçka e rëndësishme vetëm për këto dy vende, por edhe për të gjithë rajonin. Mendoj se vendet e tjera, të cilat po ecin në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe planifikojnë ta bëjnë këtë, duhet të shohin veprime në këtë drejtim dhe kjo do t’i frymëzojë ato që edhe vet të ecin më shpejt. Për mua, mesazhi kryesor në mbarim të shqyrtimit është se është koha që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta marrin këtë qasje. U mor vesh, ky është vendim i Bashkimit Evropian, por është koha që t’i kushtohet vëmendje serioze pse Bullgaria po bën përpjekje për të penguar të dy vendet të ecin përpara. Nuk ka arsye të mirë për këtë. Gjithnjë derisa vendet e tjera nuk shohin që këto dy vende po shkojnë përpara, ato mund të vënë në pikëpyetje se cili është qëllimi i gjithë kësaj. Këto janë detajet më interesante, gjërat kryesore që dolën nga shqyrtimi. Mendoj se i kemi mbuluar gjërat në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe e kemi bërë qartë të ditur se përpjekjet tona, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, janë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar këtë proces të ecë përpara në të ardhmen. Është një fushë kyçe dhe njerëzit gjithmonë shikojnë rajonin dhe flasin për Rusinë. Por përmenda gjithashtu gjatë shqyrtimit se edhe Kina është me ndikim dhe se disa nga huadhëniet e saj grabitqare dhe marrëveshjet financiare nuk janë të dobishme. Ato përfundimisht do t’ua lidhin duart vendeve që bashkëpunojnë me ta. Ato vende më janë drejtuar gjatë disa viteve të kaluara dhe më kanë thënë se kisha të drejtë, por edhe më kanë pyetur se ku janë Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kemi arritur potencialin për optimizëm në rajon, që buron nga fakti se nëse këto vende ndërmarrin hapa dhe ecin përpara, siç kanë bërë tashmë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, forcojnë sundimin e së drejtës, bëhen më të qëndrueshme, na përket ne që të trimërojmë investimet ekonomike perëndimore dhe amerikane në ato zona. Sepse nëse keni njerëz si (Milorad) Dodik, me retorikën e tij kundërproduktive, të frymëzuar nga Rusia, kjo nuk mund të matet me përparimin konkret ekonomik që njerëzit mund ta shohin dhe ta ndjejnë aty për aty.

Zëri i Amerikës: Kur është fjala për  Rusinë, kohë më parë Shtetet e Bashkuara sanksionuan Aleksandër Vulinin, shefin e shërbimit informativ në Serbi, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë, por edhe për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar dhe korrupsionin. Si e komentoni këtë?

Bill Keating: Mendoj se është kjo një përpjekje e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara që të mundohen të pengojnë bllokadat që ekzistojnë për sa i përket përparimit drejt demokracisë, stabilitetit, sundimit të së drejtës, për të gjitha ato gjëra për të cilat sapo fola, e që do të çonin drejt një progresi të madh në rajon. Shtetet e Bashkuara kanë një politikë të këtyre sanksioneve dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë, sepse bllokadat jo vetëm që pengojnë problemet aktuale të rëndësishme në kontekstin e Rusisë dhe Ukrainës, por edhe e shtyjnë të gjithë rajonin prapa. Ndërsa i gjithë qëllimi i tyre reduktohet në përçarje, në mënyrë që të mos ketë përparim. Mendoj se mesazhi i tyre aktualisht nuk hasi në truall të plleshëm në rajon. Nuk ka përparim në këtë drejtim. Qëllimi i vetëm i Rusisë për momentin është pengesa që do të shkaktojë ngadalësime dhe barriera, pa një qëllim konstruktiv, pa një alternativë konstruktive për t’u krahasuar me të, por vetëm për të bllokuar, shkaktuar çrregullime, trazira politike, me qëllim të ngadalësimit të procesit dhe që rajoni të bëhet i paqëndrueshëm. Dhe kjo nuk është e ndershme ndaj njerëzve të rajonit.

Zëri i Amerikës: Serbia shihet shpesh si një shtet i ulur në dy karrige. Nga njëra anë Serbia thotë se është properëndimore, për Bashkimin Evropian, për marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, por nga ana tjetër është një nga vendet e rralla në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe në vend  ka një ndjenjë të fuqishme pro-ruse. A mendoni se është koha që Serbia t’ju bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe ndoshta përfundimisht të bëjë atë zgjedhje midis Rusisë dhe Perëndimit?

Bill Keating: Serbia tha se kanë pasur të kaluarën me sanksione, kur ishin në anën e gabuar të sanksioneve, gjë që ndikoi në politikën e saj të mëvonshme mëvonshme. Mendoj se është koha për të ecur përpara, sepse në të kundërtën nuk ka rrugë për të shkuar përpara. Mendoj se kjo për Serbinë  do të bëhet gjithnjë e më e qartë. Nuk ka rrugë për përpara  duke bërë allashverishe me Rusinë për çështje të destruksionit dhe trazirave. Thjesht, nga kjo nuk ka leverdi. Punë tjetër është se si po shkojmë përpara me disa nga vendet e tjera në rajon, edhe Serbia do të dëshirojë të bashkohet. Ata nuk do të duan të mbeten prapa të tjerëve. Pra, ne mund të punojmë në dy fronte. Së pari, le të bëjmë të qartë se veprimet e tilla çrregullojnë gjithë rajonin dhe nuk janë të drejta ndaj shteteve të cilat e përbëjnë atë rajon si tërësi. Dhe së dyti, se do të ecim përpara me hapa konkretë në rajon dhe se ata mund të përfshihen dhe ta shfrytëzojnë këtë, ose të mbeten prapa.

Zëri i Amerikës: Cilat do të ishin ato hapa konkretë, sipas mendimit tuaj?

Bill Keating: Shikoni potencialin ekonomik të këtij rajoni. Është një nga zonat më emocionuese kur vëzhgoni  se ku mund të ndodhë përparimi ekonomik, pozicionin gjeografik të vendeve, disa nga pasuritë e tyre ose industritë tashmë ekzistuese. Sinqerisht mendoj se më shumë investime amerikane dhe perëndimore janë një hap i madh përpara për njerëzit në atë rajon. Ne investojmë ndryshe nga kinezët. Kur marrim pjesë me vende të tjera, nuk orvatemi t’i marrim ato ose të ndikojmë në vendimmarrjen politike të atyre vendeve. Nuk përpiqemi të marrim pasuritë  dhe gjithçka tjetër ose të minimizojmë përfitimet për ato shtete, por e bëjmë të kundërtën. Kur në rajon ka investime amerikane dhe perëndimore, kjo sjell të ardhura dhe vende pune për njerëzit. Kjo nënkupton integrimin e të gjitha veprimtarive ekonomike, e jo vetëm marrje, siç bën shpesh Kina me mineralet e rralla dhe nxjerrjen e nxjerrjen e as që munden, duke shfrytëzuar njerëzit e vet dhe më pas duke u larguar, ndërkohë që vetëm një pjesë e fitimeve mbetet për vendet pjesëmarrëse. Investimet amerikane bazohen vetëm në suksesin ekonomik që ndahet me shtetet dhe ku aftësitë sovrane të vendeve për ekonominë u janë lënë atyre vendeve. Qeveria jonë nuk përzihet në sipërmarrjen e lirë. Kina po e bën atë. Çdo gjë që ata bëjnë tërheq me vete detyrime. Këtë nuk e keni me  investimet amerikane. Dhe besoj se investimet amerikane janë gati për aktivitet edhe më të madh, pasi situata të stabilizohet.

Mirëpo, një gjë është e qartë. Nëse shikoni të ardhmen dhe shihni të ardhmen me Rusinë, ju shihni regresion, ose nëse shihni të ardhmen me Kinën, shihni kontrollin e tyre, nevojën e tyre për të kontrolluar portet qasëse  dhe ekonomitë. Ata duan kontrollin. Ose mund të keni vetëvendosjen e atyre vendeve, që është rruga që ofrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, për sa i përket investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Dhe, kur ta keni këtë, shumë barriera politike, dhe disa prej tyre janë historike dhe shumë reale, do të prishen, sepse kur njerëzit në vendet e tyre dhe në jetën e tyre të përditshme shohin përparim dhe sukses, punë për veten e tyre, familjet dhe fqinjët e tyre, atëherë do të jetë e qartë se cila palë do të fitojë. Dhe prandaj po shohim përpjekje, veçanërisht të Rusisë, me dezinformime, vlime dhe shkaktim problemesh, sepse kjo është e gjitha që ata mund të ofrojnë. Shqyrtimi i nxori të gjitha këto në plan të parë dhe shpresoj se ai përçoi një mesazh të qartë për ata në rajon që thonë se ne nuk jemi atje në mënyrë që duhet, se jemi atje dhe të gatshëm për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur ata.

Zëri i Amerikës: Le t’i kthehemi shkurtimisht çështjes së sigurisë, sepse njerëzit atje janë të shqetësuar për këtë. Kriza mes Kosovës dhe Serbisë. Duke pasur parasysh se deri më tani asnjëra nga palët nuk e ka respektuar atë që është rënë dakord, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se ka frikë se krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do të krijonte një Republikë të re të Serpska, sipas mendimit tuaj cila është rruga përpara dhe si e komentoni këtë?

Bill Keating: Ne i kuptojmë këto shqetësime dhe madje edhe me zgjedhje të lira, ka disa gjëra që ishin jashtë kontrollit të Kosovës, njerëzit bojkotuan. Por ne e bëmë të qartë se këto janë gjëra për të cilat Kosova është obliguar, sa i përket atyre komunave dhe bashkësisë, dhe se për këtë duhet të punohet më tej. Por, e para dhe më kryesorja, dhuna duhet të ndalet dhe kjo është diçka mbi të cilën të dyja palët kanë kontroll. Ky është parakushti për të ecur përpara në të gjitha frontet e tjera. Kosova tha se do të bënte përparim drejt një asociacionit të komunave, dhe kjo është diçka që Bashkimi Evropian dëshiron veçanërisht ta shohë. Shtetet e Bashkuara nuk janë aq drejtpërdrejt të përfshira në procesin e anëtarësimit, sikurse është Bashkimi Evropian. Kjo është mes Unionit dhe atyre vendeve, por nëse ato shkojnë përpara drejt qasjes dhe obligohen për disa gjëra, ato edhe duhet ta përmbushin atë, nëse edhe Bashkimi Evropian shkon përpara./VOA/

Të fundit